Largimi i një drejtori si "Top-Story" i një loje pushteti

Postuar në 15 Nëntor, 2017 10:28

Lajmi për largimin nga detyra e drejtorit të informacionit të Top-Channel, Sokol Balla, është kaluar me një njoftim të thatë nga televizioni në fjalë. Sipas tekstit publikuar dje në faqen online të TCH, pas zhurmës që u bë për këtë çështje, thuhet se Balla qëndron në emsionin Top-Story por nuk është më drejtor informacioni.

Asnjë sqarim dhe arsye për largimin, ndërkohë që duket se vetë viktima nuk ka qenë në dijeni të një mase të tillë. Sipas burimeve thuhet se Balla ka zhvilluar normalisht mbledhjen e mëngjesit me gazetarët dhe lajmi për largimin e tij është përhapur nga portale të ndryshme.

Top-Channel ka thyer me këtë rast një normë të detyrueshme transparence me publikun. Pasi largimi i një drejtuesi duhet të argumentohet dhe të ketë arsye. Qoftë sepse kjo vendos një praktikë të mirë, por qoftë sepse kemi të bëjmë me një media pranë pushtetit. Përndryshe u hapet rruga hamendësimeve nga më të ndryshmet sidomos kur për rastin në fjalë ka rrethana që shtojnë dyshimet. Shumëkush në media sheh te largimi i Ballës një dorë të kryeministrit Edi Rama, që gjithsesi dje në një intervistë me Eni Vasilin e mohoi një gjë të tillë.

Konflikti juaj me Top Channel, u pasua me heqjen e Sokol Ballës. Opinion për këtë, a ka pasur një lidhje?

Janë teori konspiracioni. Prodhojnë argumenta për atë që unë e quaj kazan. Publiku vetëm fiton nga ballafaqimi i të vërtetave. Kur unë shprehem, flas me të vërtetat e mia. Publikon shikon, gjykon, vendos. Nuk i shmangem kurrë të vërtetave të mia

Ky është episodi që trajton këtë çështje.

Në një pasazh tjetër z. Rama ka qenë edhe më kriptik kur ka folur për ato që i quan gjobat e medias:

Ka në media gjobaxhinj, shumë gjoba që janë si ato gjobat mafioze që dërgohen me kode. Publikut i jepet si shqetësim i madh për një çështje, ndërkohë që i dërgohet mesazhi dikujt, që na jep këtë ose do vazhdojmë të bëjmë këtë. Ka ardhur një kohë që dera nuk hapet më me këto mesazhet e koduara, që ne do të të bëjmë zi ty para publikut, nëse ti nuk na jep këtë

Njësoj si televizioni në fjalë, edhe kryeministri preferon ta kalojë pa ndonjë gjë konkrete këtë akuzë. Të cilën ja dërgon patjetër me të njëjtën teknologji mafioze atyre që më herët janë përpjekur të gjobisin. Ky është përfundim i vetvetishëm në kushtet kur nuk ka asgjë konkrete.

Por kush e ka gjobitur kryeministrin, i cili në një konferencë ndërkombëtare për mediat, organizuar në Tiranë, foli edhe “për pasuri të tejskajshme që gjenerohen në media”?  Kjo nuk dihet, por ajo që kuptohet në pamje të parë është fakti se në përplasjen mes Edi Ramës dhe Top-Channel duket se ka paguar drejtori i Informacionit, nxjerrë me gjasë jashtë një loje pushteti në të cilën ai mund të ketë kërkuar një rol që nuk ka fuqi të mbajë.

Marrëdhënia e Top-Channel me këtë qeveri mund të hulumtohet në disa drejtime. Por nuk ka dyshim se pika më problematike e saj është mbulimi thuajse me heshtje i situatës së kanabizimit. Dhe është krejt e papranueshme që një televizion me burime të këtilla të mos ketë patur mundësi në hulumtime apo invetigime për këtë çështje. Mjafton të sjellim në vëmendje këtu, shënimin e fundit që TCh bëri duke kërcënuar hapur kryeminstrin Edi Rama, më datë 10 nëntor 2017:

Top Channel nuk është një portal. Është televizioni me i besueshëm në vend. Është televizioni që transmetoi me zë dhe me figure çfarë ndodhi në Gërdec, çfarë ndodhte në qeverinë Berisha, çfarë ndodhi në 21 janar, apo si ndryshoi rezultati i tetë majit për Tiranën, siç ishte Top Channel që hetoi si paguheshin votuesit të vinin e të votonit në zgjedhjet lokale të 2015, apo siç ishim të parët që sollëm në Shqipëri dosjen hetimore të Katanias për klanin Habilaj.

…sepse lajmi më parë kalon nga ne, Dje, Sot dhe Nesër. Sa për besueshmërinë e Topit, Dje, Sot dhe Nesër, e lëmë më mirë të gjykojnë shqiptarët

http://top-channel.tv/2017/11/10/koment-i-top-channel-reagimi-i-kryemini...

Një pasazh që i jep të kuptojë z. Rama mesazhin se njësoj sikundër me Berishën edhe me të, belaja mund të jetë e madhe. Por që na shton habinë edhe ne, lexuesve, sesi është e mundur që lajmet për kanabisin i shpëtuan për katër vjet këtij institucioni të së vërtetës në Shqipëri.

Le të vihet re në pasazhin e fundit sesi shënimi pa emër, por patjetër i autorizuar nga drejtori i Informacionit, i kujton z. Rama sjelljen në Shqipëri të dosjes “Habilaj”. Është goditja e parë që drejtohet ndaj qeverisë nga ky televizion. Dhe në këtë goditje mpleksen shumë fije që nuk duken mirë. Dosja Habilaj u njoftua nga Sokol Balla në emisionin e tij “Top-Story” dhe hollësi të saj u publikuan në datën 17 tetor 2017. Por në datën 31 tetor këtij televizioni ju desh të sqaronte opinionin sesi ishte siguruar dosja, duke hedhur poshtë akuzën e ish-kryeministrit Sali Berisha se dosjen Habilaj e ka shërbyer për median vetë kryeminstri. Në një intervistë me gazetarin e Merdionews, Dario De Luca, TCh deklaronte se dosja ka dalë nga hetimet e Guardia di Finanza.

E përgënjeshtrojmë në mënyrë absolute ish kryeministrin Berisha, sepse pasi publikuam lajmin, kemi bashkëpunuar me Top Channel. Top Channel na kërkoi dokumentacionin dhe ne ja dhamë kolegëve shqiptarë, që më pas bënë hetimet e tyre më të thella

shprehej De Luca.

http://top-channel.tv/2017/10/31/top-story-si-mberriti-dosja-habilaj-ne-top-channel/

Kjo marrëdhënie që evidenton rolin e Italisë në çështje të politikës shqiptare ecën edhe më pas në kohë. Top-Channel u angazhua drejtpërdrejt në mbrojtjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë skandalit të pajisjes përgjuese Imsi Catcher. Kulmi i kësaj politike editoriale ishte publikimi i një letre të ambasadorit Italian Alberto Cutillo sipas të cilës ish-drejtori i Policisë italiane, Alessandro Pansa siguronte tërthorazi prokurorinë shqiptare se pajisja nuk ishte përdorur për përgjime.

http://www.respublica.al/2016/05/20/p%C3%ABrgjimi%E2%80%9Ctop-channel%E2%80%9D-%E2%80%9Cmbylli-debatin%E2%80%9D-%E2%80%9Ctv-klan%E2%80%9D-e-hap-prokuroria-letra-e-pansas-pa-vul%C3%AB

Siç rezultoi më vonë, Pansa ishte larguar nga detyra dhe letra ishte pa vulë. Ajo nuk u mor në konsideratë si provë nga prokuroria. Gjithçka në mbrojtje të minstrit të Brendshëm Saimir Tahiri, personi kyç i problemeve të mandatit të parë qeverisës. Dhe është pikërisht emri i Saimir Tahirit që është shkaku i debatit të parë publik mes Edi Ramës dhe Ballës. Gjatë emisionit të 13 marsit 2017, Rama pyetet pse u shkarkua Saimir Tahiri, ai ministër për të cilin TCh kishte investuar aq shumë duke ekspozuar besueshmërinë e vet e që në fund kryeministri e kishte lëshuar pa asnjë problem.

http://www.gazetatema.net/2017/03/13/video-rama-sherr-me-sokol-ballen-ne-emision-po-me-nderpreve-iki-fare/

Nëse shikohet video, duket qartë se Balla inskenon një debat me kryeministrin që bëri lajm ato ditë.

Si të shpjegohet atëherë që i njëjti televizion që mbrojti kaq shumë ministrin e Brendshëm, kalon në sulm duke publikuar dosjen e tij italiane? Dhe si shpjegohet ky fill i raporteve me Italinë në të dyja rastet?

Një gjë është e qartë: Top-Channel u përpoq të çante karantinën ku Edi Rama futi çështjen “Tahiri”. Me publikimin e dosjes Habilaj, ndjekjen e saj dhe mandej goditjen e Ramës, TCh e ktheu atë nga një çështje të mbyllur të një ministri që u la jashtë kabinetit qeverisës për arsye të pakuptueshme, në një skandal publik që kërcënon stabilitetin e qeverisë kur ajo sapo ka marrë mandatin e dytë. Aq më shumë merr kuptim një synim i tillë po të kujtojmë intervistën e Tahirit në Top-Story, zhvilluar në shtëpinë e ish-ministrit duke e paraqitur atë si djalin e mirë që kishte pësuar një shok.

A e ka fjalën për këtë rast kryeministri kur flet për gjobaxhinj? Gjërat duhet të kenë lëvizur shpejt në harkun e vetëm dy javëve, e në mos më pak, derisa sa erdhëm në shënimin e televzionit që pyeste për heshtjen e Tahirit dhe PS-së për patentat e gjetura në makinën e Orest Sotës bashkë me 863 mijë euro. Tahiri ngjan si mall shkëmbimi në një lojë që e kuptojnë vetëm dy palë. Në mos, dhe kjo mund të jetë shumë problematike, vetëm dy persona.

Por nëse mbrojtja e tij, njësoj si mbrojtja thuajse fanantike për Erjon Veliajt në këtë televizion, është konsistente, pra vijë editoriale miratuar nga pronarët e TCh, mbetet e pasqaruar se çfarë ka ndodhur në detajet e kësaj marrëdhënieje me pushtetin. Pse erdhi puna që kryeministri e quajti edhe TCH kazan, term me të cilin ai përkufizon ato media që luajnë jashtë rolit të tyre dhe synojnë presionin për përfitime?

Ky dyjavësh i fundit është përcaktues për të kuptuar tensonin që çoi në largimin e Ballës. I cili fare mirë mund të inkuadrohet tani si subjekt I të gjitha ligjëratave të fundit të z. Rama, që nga pasuria e hamendësuar, e deri te gjobat. Është konteksti dhe rrethanat që na e sugjerojnë këtë. Por se çfarë konkretisht bëhet fjalë, se çfarë ka ndodhur këtë javë, çfarë vendimi është marrë, çfarë është negociuar me forcë përmes dosjes së nxehtë Habilaj, kjo është e paqartë. E sigurt është se kur lajmi kalon më së pari në një vend, “dje, sot dhe nesër”, aty me siguri nuk negociohet dhe as është halli i ekskluzivitetit. As i informimit të opinionit. Por i diçkaje tjetër, interesave të pastra, të cilat kryeministri i di, por nuk i thotë. Duke preferuar të godasë aq sa mundet, e ndoshta edhe duke lëshuar gjetkë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.