Guvernatori në lojën e qeverisë?

Postuar në 14 Nëntor, 2017 11:04

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka kërkuar sot nga bankat e dyta në Shqipëri që të vlerësojnë me objektivitet dhe të japin kredi për projekte që siç i quajti ai janë fisibël.

“Bilancet e bankave janë pastruar dhe gjendja e tyre është e shëndetshme. BSH kërkon që bankat të studiojnë kërkesat fisibël per kredi. Ka ardhur koha që kreditimi të zërë vendin që i takon në ekonomi”, tha Sejko gjatë fjalës së mbajtur në konferencën “Bankat dhe rritja ekonomike në Shqipëri”.

http://www.gazetatema.net/2017/11/14/sejko-kerkese-bankave-te-japin-kred...

Duke vlerësuar gjendjen e mirë të bilanceve të tyre dhe në mënyrë të nënkuptuar edhe një situatë të shëndetshme ekonomike në vend, Guvernatori ka kërkuar përfshirjen e sektorit bankar në kreditime projektesh. Mesazhi i Sejkos – parimisht legjitim - nuk mund gjithsesi t’i shpëtojë kontekstit politik. Këto ditë opozita parlamentare ka akuzuar qeverisë se me projektbuxhetin e vitit 2018 ka krijuar kushtet që të bëhet pastrimi i parave të kanabisit. Përfaqësues të saj kanë vënë gishtin në dy pika: heqja e tatim fitimit për sektorin e hotelerisë(5yje) dhe projekti “1 miliardë euro për rindërtim”.

Sipas deputetëve të ndryshëm të PD-së, hoteleria dhe ndërtimi janë dy sektorë tradicionalë të pastrimit të parave dhe politika fiskale e qeverisë po krijon kushtet për këtë. Një aspekt që është vlerësuar në këtë drejtim është pikëpyetja se ku do të gjejë paratë qeveria për përmbushjen e këtyre ambicieve kur nga vlerësime të ndryshme edhe vetë biznesi nuk disponon këtë sasi parash në treg?

Dyshimit të opozitës i kundërvihet pra thirrja e Guvernatorit që u kërkon bankave të bëjnë kreditimin e projekteve duke dalë indirekt një farë garanti me kredibilitetin e BSH-së. Nuk është rastësi që edhe përfaqësues të shumicës kanë kundërargumentuar ndaj akuzave të opozitës me idenë se “industria bankare në Shqipëri është shumë e zhvilluar”.

Ky rol i Guvernatorit në këtë konekst, nuk është për t’u lavdëruar, por në kushtet kur opozita ka hequr dorë nga kërcënimi se do të zhbëjë kontratat koncesionare kur të vijë në pushtet, projektet e sugjeruara nga qeveria kanë garanci.

Do të jenë bankat që do të vendosin se çfarë do të bëjnë, por apeli i qeverisë dhe BSH-së patjetër që ka ndikim. Është një politikë që pritet të përcaktojë ecurinë ekonomike të një vendi, qeveria e të cilit premton rritje 4-5%. Dhe kjo nuk mund të arrihet pa investime të cilat po kërkohen qoftë për të financuar projektet, qoftë për të rrëzuar akuzën e pastrimit të parave.

Qasjes i mungon këtu transaprenca e projekteve që merret si e mirëqenë te fakti se ato sugjerohen nga qeveria dhe do të paguhen dikur nga buxheti. Ndonëse në parim Guvernatori ka të drejtë të apelojë për kreditim, edhe sepse ai i ka të dhënat e sakta për situatën në vend, sërish konteksti e kompromenton disi rolin e tij. Nuk është parë më herët një rol i këtillë nga BSH-ja për këto çështje, ose një sinkronizim i tillë me qeverinë, ndërkohë që nuk është dëgjuar asnjë fjalë për çështjen e komisioneve bankare. Përvoja e mëparëshme e blerjes së hotel “Dajtit” nga BSH-ja kur drejtonte Ardian Fullani, me siguri që nuk është për t’u lavdëruar.

Për këtë arsye, theksojmë Konteksti, krijon përshtypjen e një raporti të papranueshëm mes rolit rregullator të BSh-së dhe bankave që tani fitojnë rol kryesor në rritjen ekonomike. Një raport që duket sikur thotë se “ne ju tolerojmë, tani ju zgjidheni qesen”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.