Dhjetëra milionë dollarë investime: Politika e Jashtme e SHBA duhet të ndryshojë

Postuar në 12 Nëntor, 2017 21:14

Politika e jashtme e SHBA-së është shumë e militarizuar, intervencioniste dhe e shtrenjtë. Ky është mendimi që po zë përherë e më shumë vend e që duket se është reaksion ndaj dominimit të politikës së jashtme nga neokonët për dekada me radhë. Dhe siç e kërkon modeli amerikan, për të ndryshuar këtë qasje po hidhen para dhe jo pak.

“The Washington Post” raporton se miliarderi Charles Koch që është themelues i një fondacioni që trajton tema të politikës së jashtme, po investon miliona dollarë në formën e donacioneve për universitetet më të mira në SHBA me synim që të nxitet debati për këtë temë.

3.7 milionë dollarë pritet të përfitojnë javën që vjen universiteti i Harvardit dhe Massachusetts Institute of Technology, shumë që pason 10 milionë dollarë të dhëna për universitet e Notre Dame, Tufts, Catholic dhe ai i San Diegos.

Zv. Presidenti i Fondacionit, Will Ruger shprehet se kjo nismë është pjesë e një projekti shumë më të madh që synon të shtrojë pyetje mbi rolin e vërtetë të Amerikës në botë dhe sesi duhet të ecim përpara.

Vëllezërit Koch janë të njohur në skenën politike amerikane si financues të republikanëve që mbështesin idetë e qeverisë së vogël, më pak rregullore, tregëti e lirë dhe që janë skeptikë për rolin e njeriut në ndryshimet klimaterike. Por në politikën e jashtme, Koch ndahet me republikanët sidomos për vendimet për nisjen e luftës së Irakut dhe asaj të Afganistanit. Po kështu Koch ka dalë kundër luftës dhe ndërhyrjes së SHBA në Vietnam. Për këtë arsye investimet e tij në fushën e politikës së jashtme, në funksion të një “shkolle realiste të mendimit” në këtë drejtim që nuk i mëshon idesë së pacifizmit por nevojës për të qenë më të zgjuar.

Paratë do të shkojnë për kërkime dhe bursa doktorature. Vitet e fundit janë bërë përcaktuese në debatin për ndryshime në politikën e jashtme të SHBA, çka përbën një hap thelbësor që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Nuk është çudi që në një të ardhme jo të largët do të kemi rastin të shikojmë një SHBA më pak ndërhyrëse dhe më pak propaganduese për të drejtat dhe liritë. Paraja dikton shumëçka.

https://www.washingtonpost.com/world/national-security/libertarian-billionaire-charles-koch-is-making-a-big-bet-on-foreign-policy/2017/11/10/f537b700-c639-11e7-84bc-5e285c7f4512_story.html?utm_term=.9925ee06767f

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.