Katandisja e një partie/Në "mbrojtje" të Saimir Tahirit me letra anonime nga populli dhe biografinë e Habilajve

Postuar në 09 Nëntor, 2017 15:23

Sot ka folur në Parlament deputeti i PS-së, Fate Velaj. Z. Velaj nuk është njeri i prononcimeve, as edhe ndonjë parlamentar me përvojë. Ai vjen nga tjetër rrugë. Por kontributi i z. Velaj në këtë seancë ka qenë larg artit, ndonëse pranë letrave. Ai ka nxjerrë nga xhepi një letër të banorëve të Vlorës, që kanë tubuar njohuritë e tyre për lidhjet fisnore të Habilajve.

Velaj ka tundur lart letrën duke cituar pasazhe të saj:
“Basha të pyesë vjehrrën e tij se çfarë e lidh nënën e saj me fisin Habilaj? Pyete pak edhe vjehrrin tënd si  njeh Habilajt dhe Alimuçajt e Vlorës? Pyete pak kunatin se kush ishin të fortët që dolën në ikrah teksa ndërtohej hoteli në det?”

Zotëria ndoshta keqpërdoret, ose përpiqet sinqerisht të bëjë tribunin, por nuk ngatërron dot njeri. Sepse këtu nuk është nën hetim apo gjykim fisi Habilaj, por një apo dy persona që kanë këtë mbiemër e që rezultojnë në përgjimet e policisë italiane për trafik droge. Kjo është e qepur trashë edhe për t’u konsideruar goditje poshtë brezit, përveç faktit se PS-ja çuditërisht vazhdon praktikën e letrave nga populli që përpilohen sa herë dikush i bie bilbilit.

Kjo histori na kujton një tjetër, sërish me banorët e Vlorës. Që këtë radhë prezantoheshin si socialistë të degës. Bëhet fjalë për vitin 2004, kur po krijohej LSI-ja dhe një grup që donte të godiste deputetin Eduart Allushi, stisi një letër drejtuar selisë qendrore titulluar: Lënda: Na ka humbur deputeti.

Letra çuditërisht doli në media në formën dhe mënyrën që është tashmë e njohur. Z. Velaj, sigurisht që dëshmon integritet tjetër kur letrën e nxjerr nga xhepi i vet dhe e lexon në Parlament, por meqenëse ka dëshirë të denoncojë lidhjet e z. Basha me persona të ndryshëm, apo interesa, le të na tregojë për raste të tjera, këtu në Tiranë, madje me ata që janë në majën e drejtimin ekonomik e politik të PS-së apo institucioneve publike.

Letra e tundur sot është një turp për derexhenë e argumentit me të cilin PS-ja bën sikur mbron Saimir Tahirin dhe jo pse zhgënjen më njeri për ecjen qorrazi në lojën me armiqtë demokratë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.