Një autizëm që nuk e beson më njeri

Postuar në 05 Nëntor, 2017 10:47

Rruga e Saimir Tahirit në politikë duket se ka marrë fund. Të paktën me këtë ekip që drejton sot Partinë Socialiste dhe me këtë mandat qeverisës. Ditë pas dite, zhvillimet penale dhe politike për çështjen që implikon ish-ministrin e Brendshëm, e bëjnë atë më të papranueshën, më të pambrojtshëm dhe për pasojë përherë e më shumë viktimë e një lufte politike që po gjeneron kosto edhe për qeverinë. 
Duke e parë në këtë këndvështrim, mundet të kuptohet edhe lëshimi gradual që mazhoranca dhe PS-ja po i bën njeriut të saj. Rasti më i fundit me patentat lundruese nën emrin e z. Tahiri, i shton edhe më shumë dyshim dyshimit që tashmë është maksimal. Mjafton të shohësh teknikën informative që u vu në veprim me këtë rast. 

Lajmi u nxor së pari nga kreu I PD-së, Lulzim Basha, duke e kthyer ndalimin e një shtetasi në çështje politike. Policia e cila nuk e kishte raportuar ndalimin në fjalë, u kap në befasi, ose më mirë luan këtë rol, pas rrjedhjes së informacionit drejt PD-së. Z. Altin Qato, drejtori I Policisë në Elbasan u shpreh se “ne nuk e bëmë publike gjetjen e patentatve të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk përbën vepër penale”. Është një mënyrë për të shkarë nga një situatë që patjetër ka shumë pikëpyetje.

Patentat e një personi tjetër, sidomos të një ish-ministri, nuk hyjnë te sendet personale të të ndaluarit dhe për shkak të rrethanës së gjetjes në makinë edhe të parave për të cilat kërkohet burimi dhe personi po hetohet, duhen raportuar. Edhe zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj tha se me rastin në fjalë nuk duhet spekulluar, pasi personi u ndalua pasi nuk iu bind urdhërit të policisë. 
Kjo mund të jetë e vërtetë, por policia e ka për detyrë të informojë, sidomos kur si standard informimi ka vendosur raportimin e çdo lloj aksioni. Të përgjigjesh me alibi nuk ndihmon në kthimin e besimit, aq më tepër kur policisë i duhet të konfirmojë versionet që në media hidhen nga ish-kryeministri Berisha apo kreu aktual I opozitës Basha. Në vend se policia të jetë pika më e besueshme e raportimit, ajo sot gjendet në një “garë” paradoksale me opozitën, e cila për Elbasanin është hera e dytë(rasti i aksidentit me makinën e Qazim Sejdinit) që është para në informimin e publikut dhe detyron policinë të deklarohet. 

Aspekti politik i çështjes është edhe më kritik. Asnjë prej përfaqësuesve socialist apo edhe vetë z. Tahiri nuk flasin për këtë çështje duke preferuar t’ia lënë policisë. Kjo mund të jetë një mënyrë për të mos dëshmuar ndonjë kompleks frike apo tjetërlloj, mirëpo ne kemi aq përvojë sa të kujtojmë se z. Taulant Balla shprehet thuajse edhe për gjëra banale në mënyrë gjysmë zyrtare. Saimir Tahiri nuk është një qytetar i zakonshëm për PS-në, ai ka qenë funksionar i saj dhe sado që vendimi politik I përjashtimi zyrtarisht e bën atë një person që duhet të përballet vetëm me ligjin, akuzat aktuale në fakt lidhen me një periudhë qeverisëse, në frymë qeverisëse dhe jo thjesht dhe vetëm me një person.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.