A po i vjen ora Qazim Sejdinit?

Postuar në 04 Nëntor, 2017 16:48

I përfolur si mbrojtës politik i elementëve kriminalë në Elbasan, Qazim Sejdinit duket sikur po i ngushtohet laku ose gjithçka bëhet për t'u liruar disi laku nga implikimi i ri i Sajmir Tahirit. Vizion Plus raporton se Prokuroria ka nisur një superhetim për pastrim parash ndaj familjeve kryesore të Elbasanit, ndër të cilat përfshihen edhe afërm të kryebashkiakut Sejdini. Bëhet fjalë për familje e persona që janë pronare të bizneseve të ndryshme me miliona euro xhiro e fitime.

Me një kërkesë zyrtare të datës 27 Tetor Prokuroria i kërkon drejtorisë rajonale të tatimeve që të japë informacion për 66 persona, nëse janë të regjistruar si subjekte, a i kanë paguar detyrimet dhe çfarë fitimi kanë patur ndër vite. Mes tyre është vajza e kryebashkiakut Qazim Sejdini dhe bashkëshorti i saj, dhëndri i kryebashkiakut Sejdini dhe babai i tij si dhe Suel Çela dhe i ati i tij Petrit Cela, të bërë të njohur pas incidentit me policinë në hyrje të tregut të qytetit.

Për shtetasit në fjalë kërkohet informacion i detajuar nëse janë të regjistruar si subjekt tatimpagues, vendin e ushtrimit të aktivitetit, statusin, faktin nëse janë  debitor në pagesat e detyrimeve fiskale, masat administrative te marra, sa aktivitete janë të regjistruar në emër të tyre, fitimet që kanë realizuar ndër vite etj. 

Emri i Qazim Sejdinit doli në skenë në mesin e  muajit shtator në Elbasan, kur një makinë “Audi” goditi mjetin e policisë gjatë një aksioni pranë tregut të qytetit, ngjarje në të cilën dyshohet se është i implikuar dhëndri i tij Suel Çela, një nga personat për të cilët Prokuroria ka kërkuar informacion.

Nga ana tjetër drejtues të lartë të Partisë Socialiste vijojnë të shfaqen me Qazim Sejdinin në inspektime punimesh të bashkisë që ai drejton, duke e prezantuar madje si një njeri vizionar që ka vetëm punë dhe jo llafe.

“Ka qenë një iniciativë e kahershme e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit që çdo rikonstruksion shkolle të përfshijë edhe të gjitha standardet e domosdoshme. Puna e Bashkisë Elbasan është e shkëlqyer. Ne vazhdojmë të merremi me punë, ka ca të tjerë që merren me llafe”-tha kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në një material të përgatitur nga zyra për shtyp e tij dhe të dërguar për transmetim në media.

Ky hetim i Prokurorisë qarkulloi në media në kulmin e pikëpyetjeve që ka ngritur kapja në Elbasan e një biznesmeni 25 vjeçar me 2 patenta të Sajmir Tahirit dhe 863 mijë euro. A është kjo një përpjekje për të zhvendosur sërish vëmendjen nga çështja Tahiri. Dyshimet mbeten për aq kohë sa kërkesa e Prokurorisë ka më shumë se një javë që i është dërguar Drejtorisë së Tatimeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.