Operacion imazhi me ish-rezervistët që u gdhinë prefektë

Postuar në 01 Nëntor, 2017 18:17

Rrokadën e prefekteve kryeministri Rama e argumentoi me një fazë të re në luftën kundër kanabisit, pa dhënë detaje për objektivat, por duke thënë se roli i prefektëve do të ketë rëndësi të veçantë në këtë luftë.

Në funksion të këtij qëllimi ishte dhe përzgjedhja e 12 ish-ushtarakëve në rezervë si  prefektët e rinj të 12 qarqeve. Kryeministri zgjodhi t’i prezantojë vet emër për emër si një “trupë speciale” që do të rivendosë kontrollin qeveritar mbi territorin.

“Jemi të angazhuar vendosmërisht që fazën e dytë të betejës së hapur kundër kultivimit të kanabisit për t’u shkuar nga pas dhe vënë pas hekurave rrjetet e elementëve kriminalë dhe për të marrë për publikun asetet e përfituara nga veprimntaria e tyre rolin i prefekteve merret me rëndësi të veçantë”- deklaroi kryeministri

Pyetja është pse dështuan në kontrollin e territorit prefektet që u shkarkuan dhe a janë garanci 12 ish-ushtarakë për të frenuar apo ndaluar mbjelljen e kanabisit? Në konferencën për shtyp kryeministri tha: “Këta prefektë do jenë përgjegjës para qeverisë për situatën e kontrollit të territorit në rang qarku në kuptimin e marrjes së informacionit në kohë reale për gjithë problematikat që pastaj institucionet e tjera duhet ti trajtojnë dhe zgjidhin”.

Nga përgjigjia e kryeministrit kuptohet se ish-prefektët që u shkarkuan nuk kanë ndihmuar me informacion për parcelat e kanabisit në rajonet që mbulonin, çka nëse është kështu implikon jo vetëm policinë në kanabizimin e vendet, por edhe nivelet e larta të qeverisjes.

Pyetjes pse i shkarkoi 12 prefektët në bllok kryeministri dha këtë përgjigje: “Argumenti është çdonjëri nga prefektët që janë këtu on block”. Çka do të thotë se zgjedhjet e bërë në mandatin e kaluar ishin të gabuara dhe të paafta për të kontrolluar territorin. Nuk u shkarkuan 2 apo 3 por gjithë trupa e prefekteve, çka do të thotë se ekonomia e kanabisit ishte shtrirë jo vetëm në një rajon, po në të gjitha prefekturat.

Garancia që na ofrohet është titulli i ish-ushtarakut dhe integriteti i tyre. Duket një operacion imazhi, dhe asnjë garanci më tepër. Nuk janë vetëm ish-prefektët përgjegjësit e vetëm të kanabizimit të vendit. Edhe radarët ishin në dorën e ushtrisë, por dyshohet se sistemet e vëzhgimit të hapësirës detare u fikën qëllimisht për të favorizuar trafikun e kanabisit, çështje që tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.