Ekuilibrat e cenuar nga kanabisi

Postuar në 30 Tetor, 2017 13:11

Ajo çfarë po ndodh këto ditë në Shqipëri që nga shpërthimi i çështjes “Tahiri” është një provë e hidhur e ndikimit të krimit apo aktivitetit të paligjshëm në vendimmarrjen politike të vendit. Shumëkujt kjo mund t’i duket e largët, çështje e mediave dhe interesave të politikës, por në fakt prek të gjithë. Sepse droga duket se ka pjesën e vet të rëndësishme në strukturimin e pushtetit politik dhe siç po del edhe atë ekonomik(lajmi për depërtimin e parave me burim të paidentifikuar në industrinë e ndërtimit).

Ndryshimi i qëndrimeve të PS-së për ish-ministrin e Brendshëm nuk flet thjesht për një orientim nga solidariteti, por konfirmon dyshimet për një raport shantazhi reciprok që po zhvillohet aktualisht në ekipin drejtues të pushtetit në Shqipëri. Dorëheqja e kreut të SHISH e mbingarkon skenën me një akt që flet për tension shumë të madh, ndërkohë që opozita është tubuar rreth idesë se droga dhe flagranca e çështjes “Tahiri” janë mënyra efektive për të larguar Edi Ramën nga karrigia.

E ndërkohë që pushteti nuk po ja del dot të shpikë ndonjë diversion të hajrit në këtë lumë informativ që qarkon kryelajmin e një ish-ministri të Brendshëm që është i pandehur, ne duhet të mbajmë në vëmendje atë zinxhir veprimesh që çliroi dosja “Habilaj”. Një parti në pushtet që është angazhuar të përmbajë digën e lajmeve që mund ta vënë poshtë, që nuk arrin të artikulojë një qëndrim distancues ndaj dukurisë së kanabisit, ekzistencën e së cilës u mundua ta mohojë. Që këtu kuptohet fare mirë se kanabisi ka potencial destabilizues për PS-në dhe perspektivën e saj , se ai cenon ekuilibra të rëndësishëm brenda saj. 

Lajmi i mirë është se kanabisi nuk e destabilizon dot vendin, sa kohë që ai po kufizohet si precedent penalo-politik te një rreth i ngushtë. Është për t’u shënuar që pavarësisht përgjegjëisve që ka secila forcë, droga sot është etiketë e vetëm një force. Dhe është ajo që duhet ta mbajë atë përgjegjësi që i takon, edhe pse sot po përpiqet të shpëtojë prej tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.