Biznesi miliardësh që kamuflohet pas fasadeve dhe çmimeve

Postuar në 15 Tetor, 2017 15:06

Pak ditë më parë në televizonet kombëtare u shfaq një lajm me rëndësi po të tillë, pra kombëtare. Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës mori një çmim për transparencë në shërbimin ndaj qytetarëve. Autorë të çmimit, një shoqatë, InfoCip, e cila kishte kryer një të ashtuquajtur studim dhe sponsorizohej edhe nga ambasada suedeze. “Studimi” merrte në vëzhgim ndër të tjera edhe përditësimin e faqes online të bashkisë duke konsideruar këtë si shenjë transparence, ndonëse aty mund të shihet edhe një politikë marketingu. Nuk është e rëndësishme që të sjellim këtu fjalën e rastit të z. Veliaj, që mendon se tregon zgjuarësi dhe mençuri duke u fshehur pas modestisë së fjalëve me të cilën mbulon pazarin e çmimeve të tilla. Sepse ndërkohë që jepet një çmim për transparencë, një pjesë e opinionit ka pikpëyetje të mëdha për transaprencën e këtij individi që është katapultuar në vendimmarrje.

Zotëria po ndjek sot një politikë të KUNDËRT me atë që premtoi në fushatë. Pas një lulishteje apo një këndi lojërash që promovohet, del lajmi për kullat dhe parkingjet nëntokësore. Ka punime në Tiranë pa tabelë informuese, ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se në llogarinë politike të z. Veliaj janë edhe dy viktima. Kujdes: Llogarinë politike, pasi atë penale e vendos tjetërkush. Ardit Gjoklaj dhe Mirvete Duka janë viktima të procedurave jotransparente të mëkuara nga z.Veliaj, i cili po ndihmohet shumë dhe pa doganë nga çdo lloj medieje, që të patinojë imazhin e tij të njeriut që punon dhe që i duhet shqiptarëve. Që të shtrojë asfaltin e ambicies së tij politike e cila si askujt tjetër më parë, po i përshëndetet pa pyetur se çfarë fshihet pas këtij katapultimi? Pas këtyre parave që vërshojnë lumë dhe pas miratimit të çdo politike fiskale që çon në rritje taksash. Është shumë e shtrenjtë për një shoqëri si ne që të tregohemi kaq leshko dhe dorëlëshuar me njerëz të kësaj kategorie.

Si për ironi, pak ditë pasi u mor çmimi i transparencës, z. Veliaj mori një tjetër çmim: çmimin e PËRSOSMËRISË në shërbime. Kësaj radhe ishte qendra “Lincoln” e cila i bëri zotërisë dhuratën e radhës, kuptohet nisur vetëm dhe thjesht nga vullneti i mirë. Lexoni se çfarë tha me këtë rast, drejtuesi i qendrës, z. Robb Provost:

Është dikush në këtë sallë që çdo ditë zgjohet duke menduar për qytetin e tij. Nëse ju e ndiqni në mediat sociale, e dini se çdo ditë, më shumë se 15 orë, ai është duke punuar për njerëzit e këtij qyteti. Ai është një mobilizues njerëzish, jashtëzakonisht i talentuar; ka mësuar si të ndërtojë ekipe, si të udhëheqë, duke fuqizuar të tjerët, si të sjellë transparencë në qeverisje, transparencë të cilën nuk e kishim parë deri në ditët e sotme. Pasioni i tij është të shohë Tiranën të shkëlqejë jo vetëm në Shqipëri, por në skenën botërore”.

Duke mos besuar se ka njerëz që besojnë këto fjalë, veç në mos qoftë ky një rast i jashtëzakonshëm, të na lejohet një hipotezë: Ndoshta zotëria ka mbetur i impresionuar nga lufta e z. Veliaj ndaj urinimit në publik, diçka që me të vërtetë kërkon prirje perfeksionisti sidomos në një qytet me klimën e Tiranës, që ka të katër stinët në një ditë. Por nuk duhet të shtyhemi më tej në gjykimin e këtij ngazëllimi që ndoshta ka arsye të jetë gjenuin.

Pasi sot u njoftua se z. Veliaj mori një tjetër çmim. I treti në një muaj. Çmimin e Mirënjohjes për organizimin e Maratonës së Tiranës, ku ai mori pjesë personalisht. Dikush mund të thotë se ndihemi xheloz dhe ziliqarë për suksesin e z. Veliaj, ndaj edhe merremi me çmimet e shumta të tij. Pse jo, mundet edhe të jemi media keqdashëse, siç është edhe një akuzë zakonore me origjinë mjaftiste ndaj mediave të ndryshme.

Por nuk është kështu. Ka shumë gjëra që çalojë, që provokojnë dyshime që lënë hijen e aferës në sjelljen e z. Veliaj. I cili po bën diçka ndryshe nga paraardhësi, por nuk po çliron ndryshimin pozitiv në një qytet.

Po vë dorë te vizat e bardha, semaforët dhe fasadat, po ndërton disa kopshte dhe shkolla, por këto janë çikërrima të mirëamballazhuara për mediat në shërbim, përkundrejt biznesit të vërtetë që mbahet larg syve: kullave, parkingjeve, lejeve të ndërtimit dhe kapjes së mjedisve më të mira për klientët tradicionalë. Për të cilat ka prova Dokumentare që janë me probleme serioze në raport me ligjin. Dokumentare…

Jetojmë në një vend paradoksesh, ku zhvillimi i keqdrejtuar përfton nota pozitive elektorale. Ishte Edi Rama që nisi procesin e betonizimit pa kriter të Tiranës, duke shpërndarë leje dhe favore në funksion të një projekti politik dhe ekonomik. Por ai mori çmime ndërkombëtare për ngjyrat e fasadave dhe u ndërkombëtarizua si njeriu i ndryshimit. Sot është e njëjta metodologji nga nxënësi i tij, veçse ndërkohë që z. Rama bëri sikur habiti veten dhe ASKËND TJETËR, me çmimin e Legjionit të Nderit në Francën e Francois Hollande, dishepulli i tij po ecën mirë me përmbylljen e thelës së fundit në Tiranë. Projekt jo më pak ambicioz se ai i z. Rama në vitet '2000 edhe pse çmimet e marra janë ende shumë më modeste. Por çmimet janë lajmi që duhet lexuar, pasi siç thotë vetë z. Veliaj, kjo punë është me statistikë: “50% lexojnë titujt, 30% shohin foton dhe vetëm 20% tekstin”. Për këto arsye ne e kemi detyrim ndaj vetes që t’i kuptojmë ndryshe këto çmime-tituj që përhapen si epidemi me katalizatorë “aktorët e nderuar të shoqërisë civile”, e cila ka në shumë raste vetëm një uniformë: PARANË.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.