Paketa 1 miliard dollarë!

Postuar në 27 Tetor, 2017 14:42
Prof. dr. Arben Malaj

Investime publike jashtë buxhetit 1 miliard dollarë me burime të brendshme, edhe pse private apo nga sistemi bankar, është një shumë e madhe dhe është një borxh me një kosto më të rëndë se financimi nga buxheti apo me kredi nga institucionet financiare. Kjo e fundit është rezultat i shumë studimeve ndërkombëtare për riskun e investimeve të përzgjedhura jo me kujdesin dhe përgjegjësinë profesionale dhe ligjore.

Për të eliminuar çdo rrezik në sistemin tonë bankare, bankat tregtare duhet të vendosin në financimin e këtyre kërkesave nga garancitë e kompanive që do të aplikojnë për kredi dhe jo nga ideja së është e garantuar nga qeveria. Qeveritë, në rast krize ndërmarrin politika shtrënguese, ku përfshihen edhe angazhimet për subvencione ose detyrime të papërfshira direkt në buxhet.

Banka Qendrore duhet ta analizojë këtë rast me shumë përgjegjshmëri për efektet direkte dhe indirekte në ekonominë e vendit dhe në impaktin në bankat tregtare. Pak vite më parë, sistemi bankar spanjoll u godit rëndë nga kreditë e dhëna për biznese të subvencionuara për energjinë diellore. Sapo skema e subvencionimit ra, kreditë e këqija u rritën ndjeshëm në sistemin bankar spanjoll. Shumë vite më parë Kroacia rriti ndjeshëm investimet publike për infrastrukturën e saj, rriti ndjeshëm deficitin publik dhe pak vite më vonë, kaloi në një krizë të rëndë financiare.

Aktualisht, në kushtet e krizës globale, në kohën e rritjeve të ulëta ekonomike, të gjitha institucionet financiare u kanë rekomanduar qeverive të rritin nëpërmjet buxhetit investimet e tyre publike, sidomos ato që lehtësojnë dhe rritin mbështetjen ekonomike, të etiketuara si investime të mençura/smart investments. Qeveria duhet të bëjë transparencë të plotë në Parlament për paketën 1 miliard dollarë; të qartësojë dobishmërinë ekonomike e sociale të çdo projekti dhe të arkivojë analizën profesionale të aftë- sisë për t’i paguar këto detyrime.

Duhet bërë në Parlament, sepse koha e shlyerjes së tyre është minimalisht me shumë se një mandat 4-vjeçar. Përzgjedhja e projekteve duhet të jetë me përgjegjshmëri të madhe profesionale. Ekspertiza e ekspertëve të ministrive duhet të jetë detyrim ligjor dhe pjesë e arkivit ligjor të identifikimit, përzgjedhjes, miratimit, implementimit dhe mbikëqyrjes së këtyre projekte. Struktura e projekteve të përzgjedhura duhet të jetë më mirë e balancuar.

Sfida reale e vendit është varfëria dhe braktisja e një pjese të vendit. Kjo kërkon që investimet në zonat rurale, përmirësimi i infrastrukturës rurale, të marrin prioritet më shumë se çdo projekt tjetër, ndoshta edhe deri në 50% të të gjithë shumës.

Sipas studimeve të BB, investimi në infrastrukturën rurale, ku rritet aksesi në treg për prodhimet e tyre, ku përmirësohet ndjeshëm shërbimi shëndetësor dhe cilësia e arsimimit, ka efektshmëri 6 herë më të madhe se nëse këto investime përdoren për një prioritet tjetër. Çdo diskutim midis kolegëve është i dobishëm. P.S. Mirëpres në e-mail arben.malaj@gmail.com çdo vërejte dhe sugjerim.

*Rektor i Universitetit “Luarasi”

Burimi: Panorama(http://www.panorama.com.al/paketa-1-miliard-dollare/)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.