Ndihmojeni, por ndryshe

Postuar në 25 Tetor, 2017 14:28

Çështja e Sajmir Tahirit i merr me vete të gjitha sëmundjet e shoqërisë shqiptare. Ajo na rrëfen historinë e suksesit të kanabisit, të kthimit të tij në ekonomi kombëtare. Na rrëfen penetrimin e krimit në nivele të larta, për veprime apo mosveprime të policisë, na thotë shumë për dështimin e policisë, e cila edhe nëse nuk është e implikuar në këtë aferë, ka dështuar me faktin se në 4 vjet nuk ka pikasur grupin e Habilajt. Kjo rezulton të paktën nga përgjimet e dorëzuara nga pala italiane.

Po ashtu, ka dyshime të asryeshme të mendohet se prokuroria është përdorur politikisht dhe kjo mund të shihet te kërkesa për arrestim bazuar mbi prova që nuk u dhanë dot. Ose nuk ishin bindëse. Të cilat shtojnë edhe një dyshim tjetër: atë mbi tensionin e madh të socialistëve, kaosin dhe çorientimin që i përfshiu ata që nga kryeministri, diçka e çuditshme po të mendosh se kishim të bënim thjesht me një përpjekje të organit të akuzës.

Si e tërë, çështja “Tahiri”, e cila ka si pikë transparence maksimale intervistën zëdridhur të ish-ministrit të Brendshëm, na ofron shpërfaqjen e të gjithë kompleksit inkriminues të shoqërisë, që arriti kulmin me dy momente: protestën solidarizuese për Sajmir Tahirin para Kryesisë së Kuvendit dhe ligësinë dhe kompleksin e inferioritetit të disa mediave.

Ndonëse një aferë me shumë pikëpyetje, mediat kryesore nuk rendën drejt pyetjeve, por drejt diversionit dhe mbulimit. Drejt relativizimit të skandalit me gogolin Berisha dhe bëmat e pushtetit të kaluar. Me mendimin, instinktin, urdhërin apo kërkesën e pushtetit se kështu po kryenin shërbim mbrojtës, mediat lejuan të kalojë me sa më pak stres të mundshëm një të pandehur për të cilin nuk ka mbetur shqiptar i gjallë që të mos ketë një bindje se ka dorë në kanabizimin e vendit. Por ky zell vjen e merr një pamje të patretshme kur ekzaltohet fjalimi i Edi Ramës në mbledhjen e Grupit Paralamentar të PS-së, fjalim që shpallet si kryevepër e vockël e ndershmërisë politike dhe intelektuale në kontekstin e një llumi politik. Kështu kompleksin e inferioritetit dhe pandershmërinë e qëndrimeve të njëanshme për shkaqe viscerale që lidhen me emrin Berisha, media të caktuara e transformojnë në opinion pozitiv për kryeministrin që na duhet dhe mezi e kemi.

I cili në rendin e fjalëve të thurura në shqipe korrekte kamufloi dhe paketoi frikën e vet nga skandali  -për të cilin dimë të gjithë shumë pak - si marrje përgjegjësie për dëbimin e Tahirit. Katër ditë pasi skandali plasi, katër ditë pas një heshtjeje dhe disa statuseve në panik e sipër, mes shokësh të Partisë Socialiste dhe me një version retorik të Jo-së për arrestimin mbështetur mbi argumentin e mungesës së provave. Ai që dëgjoi Edi Ramën dy ditë më parë pa të fjalosej para shqiptarëve një njeri që na tregoi afërsinë njerëzore me Sajmir Tahirin, për të inskenuar dhe ndarë  me ne “dramën e madhe” të kryeministrit në lëshimin për hir të transparencës që po i bënte mikut dhe beniaminit të tij.

U luajt dobët, shumë dobët, roli i një burri shteti që ngrihet në nivelin e përgjegjësive të detyrës, duke folur përpara shokëve, por në emër të tyre dhe të mbrojtjes së Kushtetutës. Kësaj fasade gjestesh të sinkronizuara me fjalë të mirëmenduara, u shkon keq tradhëtia e emocioneve, e një paniku të lexueshëm.

Nuk është pra kërkess e prokurorisë ajo që shqetëson, pasi si e tillë e paraqitur dobët dhe pa ndonjë aneks informativ shtesë që ne nuk e dimë, ajo nuk nuk do të shqetësonte kaq shumë pushtetin. Është ngjarja në tërësi, loja politike dhe goditja e akumuluar ajo që shfryu si pikë tensioni tek emri i Sajmir Tahirit që na premtoi se “nuk kemi parë asgjë akoma”. Dhe këtë ngjarje çdo media në botë do ta menaxhonte me një pafundësi pyetjesh për të zbërthyer një skandal kaq të madh. E kundërta ndodhi. Media të ndryshme morën rol për deskandalizimin e çështjes duke gjetur si epilog për djersitjen e vet disa ditore vaktin retorik të kryeministrit.

Edi Rama është politikan. Ose më mirë, ai merret me politikë dhe ka zgjedhur të luajë lojën që është në modë: Unë bëj shtet sipas midesë time. Është e drejta e tij dhe ofertë që ta lejon zanati. Por në një sistem ku trashëgohen kaq shumë duartrokitës vullnetarë të pushtetit, është e udhës që mediat të vijojnë të qëndrojnë edhe ca kohë në atë kazanin e stigmës së kryeministrit, jo për ta gjobitur, mos o zot kush ka këllqe për këtë punë, as për ta kthyer në qëllim goditjen e tij, as për ta konkuruar në artin e fjalëve bosh dhe djallëzore, por për ta ndihmuar. Për ta ndihmuar që të flasë më pak dhe si kryeministri që merr përgjegjësi dhe qëndrime të cilat edhe nëse nuk na pëlqejnë na japin mundësi të shquajmë një grimë intuite dhe pozitivizmi.

Të lihet për pak kohë mënjanë të bërit sikur nuk kupton, të izolohet sa të mundet(nëse është e mundshme)inferioriteti, përpjekja për ta veshur me pekule dhe izoluar kryeministrin intelektual nga llumi i supozuar që e rrethon dhe po do ta mbysë. Të harrohet për një çast edhe Sali Berisha pasi kështu nuk shpëtohet as “alternativa qytetare” e politikës, por mbyllet ajo në kullën e frikës së vet për të mbetur vetëm dhe kundruar veten pas së cilës ka nisur të dalldiset.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.