"BE-ja nuk ka mësuar asgjë nga luftërat në ish-Jugosllavi"

Postuar në 23 Tetor, 2017 22:37

Shkrimtarja Slavenka Drakulić, e njohur për librat e saj për konfliktin në ish-Jugosllavi, ka folur për gazetën spanjolle “El Confidencial” ku shtjellon situatën e pazakontë jugosllave në prag të shpërthimit të luftës. Më shumë se çdo gjë, intervista ndihmon për të kuptuar një nacionalizëm që duket se ka ngulitur klishe të veta, stereotipe, kuptimi i të cilave e bën më të kuptueshëm keqkuptimin e vazhdueshëm në Ballkan.

Serbët, kroatët, sllovenët jetonin së bashku dhe “tensioni  etnik” ishte diçka që shihej të ndodhte vetëm në stadiumet e futbollit. Askush nuk e parashikoi atëherë se çfarë do të ndodhte në opak vjet më vonë. Kombinimi i krizës ekonomike dhe nacionalizmit ka një fuqi destruktive që mund të krijojë efekte shumë shpejt. Si ishte e mundur një gjë e tillë? E parashikoi dikush luftën të vinte në Jugosllavi?

Askush  nuk e pa të vinte, askush nuk e besonte se ishte e mundur. Por e vërteta është se nuk ndodhi shumë shpejt. Konfliktet dhe luftërat si rregull, nuk ndodhin brenda natës, edhe pse duket kështu nga jashtë. Mjafton të shihet p.sh se çfarë ndodhi në Gjermani, duke lexuar ta zëmë librin e Viktor Kempler “Dëshmia ime: Një ditar i viteve naziste, 1933-1941”. Aty ai përshkruan një seri hapash të vegjël të diskriminimit kundër hebrejve  që po i tranformonin ata në Të Tjerët. U deshën vite dhe vite dhe nisi duke u ndaluar  atyre të përdornin transportin publik, të blinin lule apo të shkonin te beriberi, e mandej duke i detyruar të mbanin një yll të verdhë…pastaj Holokausti.

Në ish-Jugosllavi u deshën të paktën pesë vjet të inkurajohej propaganda nacionaliste, të homogjenizoheshin njerëzit në grupe nacionaliste dhe të përgatiteshin për konfliktin e dhunshëm. Nisi me ngritjen drejt pushtetit të Sllobodan Millosheviçit në Serbi dhe me aparteidin në Kosovë në vitet ’80. Në atë kuptim, dikush mund të thotë se ngritja e nacionalizmit kroat ishte një përgjigje ndaj kundërpartit të vet serb, sidomos pasi pakica serbe në Kroaci shpalli autonominë. Pas kësaj, Millosheviç me Ushtrinë Popullore Jugosllave ndjeu se mund ta sulmonte Kroacinë.

Si ishte në fillim? Si nisi të bëhej kritike situata?

Media pati rol kyç në procesin e krijimit të armiqve. Kolegët e mi - gazetarë dhe shkrimtarë, intelektualë dhe akademikë – merrnin pjesë me dëshirë në propagandën nacionaliste; ata nuk ishin as besimtarë të vërtetë as oportunistë. Duhet të dini se, siç na mëson historia, në fillim duhet të identifikosh armikun. Është më e lehtë nëse pastaj ke një armik historik, nëse ka patur konflikte më të vjetra mbi të cilat mund të krijosh – si rasti i LIIB mes kroatëve dhe serbëve. Me ndihmën e elementëve të historisë(armiqtë antikë)plus mitet dhe gjysmë të vërtetat, ti mund të krijosh një përzierje emocionale eksplozive. Ideologjia mesa duket mund të tejkalojë interesat ekonomike dhe arsyen.

Ne të gjithë e nënvlerësojmë fuqinë dhe pushtetin e emocioneve. Në themel të këtyre emocioneve qëndron frika, frika se “armiku” do të – në këtë rast – marrë territorin. Nëse propaganda nacionaliste ja del të krijojë frikë te njerëzit, atëherë hapi kryesor drejt konfliktit është hedhur, pengesa kryesore është kapërcyer.

Pas gjakderdhjes së parë konflikti bëhet real. Era e gjakut është këmbëza e konfrontimit real. Por edhe kjo nuk është luftë e vërtetë, sepse në fillim viktimat janë disa, kështu që ata janë ende individë: ne i dimë emrat e tyre. Përkufizimi im për luftën është se ajo fillon kur ka kaq shumë viktima se ne nuk i njohim më emrat e tyre. Luftërat nisin kur viktimat bëhen anonime.

Përshtypja ime është se kur shpërthejnë konfliktet, poziconet e mesme, ato të paqebërësve – janë të parat që neutralizohen. Është pikërisht ajo që po ndodh në Spanjë. Ndodhi e njëjta gjë në Jugosllavi?

Kjo është ajo çfarë lufta i bën një individi: të detyron të marrësh anë. Deri atëherë është vonë për paqebërësit. Këta zakonisht neutralziohen përpara se konflikti të nisë dhe në të vërtetë kjo është shpesh një shenjë e problemeve që po afrohen. Ajo çfarë më duket interesante në Jugosllavi nuk pati shumë opozitë ndaj konfliktit që po përvijohej në horizont.

Mendoj se kishte të paktën dy arsye për këtë:

Njëra ishte vetë natyra jodemokratike, autoritare e shoqërisë ku jetonim e cila ndalonte zhvllimin e shoqërisë civile. Jugosllavia ishte një një vend pa alternative politike të zhvilluara si në vende të tjera – Polonia, Hungaria, Çekosllovakia. Arsyeja tjetër ishte fakti se

brezi im, i lindur në fundin e viteve ’40 dhe fillimin e viteve ’50, duhet të kishte punuar. Por ne ishim të llastuar dhe të kënaqur me thërrime si liria për të udhëtuar jashtë, një standard më i mirë jetese etj.. Brezi im ishte i fundit që besonte te socializmi. Ne, në ndryshim nga bashkëmoshatarët tanë në vendet e bllokut sovjetik që sapo përmenda , nuk ndjenim aq shumë represion sa të krijonim një alternativë politike apo liderë si Lech Walesa, Adam Michnik apo Vaclav Havel.

Çështja është këtu: kur nacionalizmi u shfaq në skenën politike nuk kishte alternativë politike.

Në ish-Jugosllavi shumica e familjeve kishin të afërm në vende të tjera. Ato ishin aq të përziera por sërish u kthyen kundër njëra-tjetrës. Çfarë e provokoi një gjë të tillë? Si e vuajnë njerëzit këtë gjë?

Jugosllavia ishte një vend federal, një përzierje kombesh. Ashtu siç e ka thënë historian dhe ish-disidenti polak, Adam Michnik, virusi i nacionalizmit është kudo I pranishëm(sidomos në një shoqëri shumëkombëshe) por ai kërkon rrethanat e duhura socio-politike që të zgjohet. Është  e qartë që ne në ish-Jugosllavi I krijuam këto rrethana…

Bosnje-Hercegovina ishte shembulli i bashkëjetesës së serbëve, kroatëve dhe myslimanëve boshnjakë për dekada por pikërisht aty ishte edhe lufta më e ashpër. Jo vetëm pse numri më i madh i viktimave ishte aty – kujtoni p.sh Srebrenica ku në vitin 1995 serbët ekzekutuan më shumë se 8000 burra dhe djem myslimanë, apo rreth 30 mijë gratë myslimane të përdhunuara në kampe. Thjesht mbani parasysh se përpara vitit 1991, 30% e fëmijëve ishin lindur nga martesa të përziera. Nacionalizmi i ndau familjet për shkak të kësaj. Sërish, siç e përmenda, emocionet u dëshmuan të ishin më të forta sesa arsyeja, më të forta edhe sesa lidhjet familjare.

Disa ekspertë thonë se dy lloje nacionalizmash. Një lloj i shekullit të 18-të, i lindur gjatë Romanticizmit, bazuar te gjuha, traditat, vendi, ndryshimet etnike dhe e drejta e lindjes. Dhe një nacionalizëm ideologjik, bazuar në vlera dhe ide, si ai Australian apo amerikan- të paktën në të shkuarën.

 A bini dakord me këtë pikëvështrim?

Nuk ka dyshim se gjatë historisë ideologjia nacionaliste ishte e rëndësishme në krijimin e identitetit kombëtar dhe shteteve kombe. Por nuk më pëlqen të trazoj nacionalizmin me patriotizmin, çka ndodh shpesh.

Në vështirmin tim, nacionalizmi është një ideologji që ka nevojë për armiq: e konstituon veten në konfrontim me Tjetrin, e ka të domosdoshëm Tjetrin. Patriotizmi është ndryshe sepse nuk ka nevojë për armikun, nuk ke pse të provosh se vendi yt është më i mirë se ndonjë vend tjetër dhe kjo është arsyeja pse ti e do atë. Ju thjesht e doni, nuk ka nevojë për justifikime.

Politikanët dhe disa herë media kanë një përgjegjësi të madhe. Mund ta luajnë konfrontimin sikur të ishin në teatër, ndonëse ndihen mirë duke jetuar bashkarisht.

Mendoni se Bashkimi Europian mësoi diçka nga ajo që ndodhi në Jugosllavi? Si prisni që të reagojë?

BE-ja për një kohë të gjatë nuk i kushtoi vëmendje zjarrit “lokal” që po digjej në kopshtin e vet. Jugosllavia nuk ishte një shtet anëtar. Një nacionalizëm I parëndësishëm dhe një vend i parëndësishëm që po ndahej në luftëra të përgjakshme në Kroaci, Bosnje, Kosovë; 2 milionë të zhvendosur dhe refugjatë. Në fund, SHBA përfundoi luftën në Bosnje, por është BE-ja që ende po paguan për Bosnjen që të funksionojë.

Kam ndjesinë se asnjë mësim nuk është mësuar nga luftërat në ish-Jugosllavi. Madje as aq sa të dallohen rreziqet e nacionalizmave që po ngrenë kokë kudo, tani edhe brenda vetë BE-së.

Edhe pas luftërave të ndodhura dhe vuajtjeve, nacionalizmi vazhdon të sundojë jetën e shumë njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Në vend se të imunizoheshin prej luftës, sëmundja është përhapur edhe më shumë.

Po, sepse ende nuk ka ndodhur pajtimi. Ka dy mënyra për t’u marrë me luftërat: mënyra spanjolle dhe ajo gjermane. Mënyra spanjolle është ose ishte ta linte të shkuarën të flinte në paqe dhe jo të evokonte shpirtin djallëzor të nacionalizmit dhe fashizmit. Mënyra gjemane është të përballet e kaluara fashiste me kokën lart në mënyrë që të jesh i aftë të ecësh përpara pa peshën e rëndë të fajit. Ne, në shtetet e sapokrijuara, sidomos në Serbi dhe në Kroaci, nuk jemi në gjendje të flasim për LIIB, aq më pak për luftërat e afërta. Ka arsye historike për këtë. Ne kemi mësuar vetëm intepretimin e Partisë Komuniste të historisë, më shumë sesa faktet. Ndoshta është koha ta ndryshojmë këtë.

Marrë nga: http://www.eurozine.com/tackling-the-virus-of-nationalism/

*Titulli dhe përkthimi me shkurtime nga ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.