Ironike, antimafia italiane propozon legalizimin e drogave të lehta

Postuar në 22 Tetor, 2017 21:02

Duket si fat i paracaktuar që kjo qeveri në Shqipëri të bëhet qesharake në çdo moment. Ndërkohë që angazhimi i saj kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës synon dekanabizimin, nga Italia fqinje vjen një sinjal për një strategji tjetër jopolicore. 
Tv Klan raporton se Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias Franco Roberti, i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë që të miratojë legalizimin e drogave të lehta, për të goditur në themel trafikun.  
“I kemi kërkuar Parlamentit dhe Qeverisë një zgjedhje, që mund të jetë legalizimi i dograve të lehta. Kemi vënë në dispozicion të gjitha burimet tona për të luftuar trafikimin e drogave të lehta, ose t’i japim shtetit monopolin e prodhimit e shitjes së drogave të lehta, duke njohur mungesën e vlerës morale të përdoruesit të saj. Por, qëllimi i një ligji është që të mposhten fuqitë kriminale në mënyrë që të mos jenë më së bashku”, ka thënë Franco Roberti i ftuar në kongresin vjetor të Organizatës Kombëtare të gjyqtarëve italianë.
Sipas tij “drogat e lehta kanë pushtuar vendin, duke shkaktuar viktima siç ndodhi në San Marco in Lamis, në provincën e Foxhias, e rrjedhë e trafikut të drogave të lehta nga Shqipëria”. 

Ky është një mesazh shumë i qartë për donkishotizmin e qeverisë së Tiranës, e cila vetëm pak muaj më parë deklaronte se nuk kishte kapacitete të plota për të luftuar kanabisin. Edhe ish-ministri i Brendshëm, sot nën akuzë, Sajmir Tahiri, deklaroi për një farë kohe se kanabisi kërkonte angazhim ndërinstitucional. Është shumë komike të shikosh sesi këshillat e Koço Kokëdhimës për legalizimin e kanabisit po adoptohen si kërkesë edhe nga autoritetet përtej Adriatikut, në një vend që sot po provokon tërmet politik në Tiranë me raportet e veta.  Ndoshta Shqipëria mund të bëjë diçka të re në këtë drejtim, por nëse e fiton betejën atëherë sërish na provohet se kanabizimi ka qenë politikë shtetërore dhe asgjë më pak se kaq. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.