Kujtesë/"Dritën e të vërtetës s’e kam as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia"

Postuar në 20 Tetor, 2017 13:03

Në këto momente kur Komisioni i Mandateve vendos nëse do të pranojë apo jo kërkesën e Prokurorisë për imunitetin e mandej arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, po del në pah një kurs i ri i Partisë Socialiste. Ndonëse Tahiri dje deklaroi se kishte parashikuar arrestimin dhe burgosjen, ndonëse nuk kërkonte mbrojtjen e askujt, qëndrimi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa dhe përfaqësuesve të PS-së në Këshill po dëshmon se “partia po e mbron Sajmirin”. Për cilat arsye dhe për motive kjo nuk dihet por e qartë është se kjo mbrojtje nuk mund të jepet pa bekimin e kryeministrit të vendit.

I cili në reagimin e tij të parë publik për këtë çështje iu drejtua kështu shqiptarëve:

Kur them dua një vend me drejtësi kuptoj vetëm drejtësi! Kur them dua të vërtetën nga drejtësia s’e bëj si ata që veç janë tallur dhe tallen me drejtësinë prej 27 vjetësh rresht! E besoj këtë fjalë megjithë mend dhe luftoj për kuptimin e plotë të kësaj fjale, megjithë zemër. Drejtësi për të gjithë dhe drejtësi mbi këdo.

Uroj që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh. Por këtë dua ta mësoj nga drita e së vërtetës dhe këtë dritë s’e kam as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund.

Të shpresojmë se drita e të vërtetës të mos jetë venitur kaq shpejt pas këtyre fjalëve të fryra nga parimet dhe të shpresojmë se PS-ja do të ketë aq vullnet sa të mos i vërë shkelimin reformës në drejtësi. Për të tjerat, ndoshta nuk ka mbetur më njeri në këtë vend që nuk e ka kuptuar se çfarë do të thotë Rilindje e këtij lloji.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.