Cilin ministër të besojmë?

Postuar në 20 Tetor, 2017 10:35

Dëgjojeni ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se çfarë thotë dy ditë më parë për çështjen “Tahiri”.

“Kur flet drejtësia nuk ka pse flet ministri”, thotë ai ndër të tjera, duke mohuar kategorikisht se kjo çështje e nxehtë, që është çështje e shtetit shqiptar, politikës, shoqërisë dhe më në fund edhe partive parlamentare, të jetë detyrim edhe për të për ta komentuar dhe reaguar.

Po atë ditë u bë publik lajmi se prokuroria shqiptare bëri bashkimin e disa dosjeve për ta inkudruar formalisht çështjen në fjalë si pjesë të punës së saj. Përfundimi: kërkesë për arrestimin dhe kontrollin e banesës për shtetasin Saimir Tahiri.

Teksa ministri Xhafaj preferoi të bënte juristin profesionist përpara ministrit, sot bën të kundërtën. Bën politikanin duke instrumentalizuar cilësitë e tij si jurist.

“Nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, nëse do më pyesni nga pikëpamja legale, ajo çka është çuar nga prokurorët e krimeve të rënda dhe aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe bazueshmërinë në prova. Sipas meje jemi në rastin kur individë të prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një situatë të nxehtë politike. Flas për sa unë kam parë dhe kam lexuar. Nëse prokuroria ka prova të tjera le ti shohim. Para se të jem ministër, jam jurist dhe nga ky këndvështrim po jap vlerësimin tim. Precedent të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe marrëdhëniet parlamentare për aq sa unë kam lexuar. Nëse prokuroria ka prova të tjera mbetet për t’u parë dhe për t’u gjykuar”, tha Xhafaj.

Kjo ndërhyrje është krejt e pavend dhe krijon përshtypjen se minstri më shumë se çdo gjë tjetër po përpiqet të qetësojë paraardhësin që dje në mbrëmje në intervistën për “Opinion” bëri të qartë se ka edhe ai një çantë të zezë për shumëkënd.

Ndoshta z. Xhafaj po bën socialistin solidar për një shok partie në vështirësi, por këto kostume që ndërrohen nga dita në ditë, me qëndrime që tradhëtojnë në fakt pasigurinë dhe mungesën e qetësisë në PS dhe qeveri, cenojnë edhe atë autoritet dhe besim që z. Xhafa përfaqëson për ekzigjencat që shfaq në punë, por edhe në krahasim me paraardhësin që ishte padiskutim një personazh i diskredituar rëndë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.