Pakicë...me 3000 firma dhe një telefonatë. Zv. kryeministrja Zaharieva: "Ka një marrëveshje të vitit 1932..."

Postuar në 15 Tetor, 2017 20:38

Miratimi i ligjit për pakicat kombëtare ka provokuar reagime në rajon. Maqedonasit dhe grekët duket se janë më të pakënaqurit, por ndërsa për të parët kuptohet irritimi, për të dytët ende nuk merret vesh se ku qëndron realisht kundërshtia. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Alexandros Yenimatas tha se ligji përbën një hap prapa për pakicën greke në Shqipëri.

Në vend që të sigurojë të drejtat e pakicave në vend, bazuar në standardet europiane, projektligji që votoi Parlamenti shqiptar mbi mbrojtjen e minoriteteve përjetëson abuzimet e regjimit të Enver Hoxhës. Ky është një hap përpara për pakicat joekzistuese dhe një hap prapa për minoritetin kryesor dhe ekzistues të Shqipërisë”, tha ai.

Me pakicat joekzistuese me siguri që është fjala për pakicën bullgare e cila mbiu në ligj pas një telefonate të kryeministrit bullgar Borisov për homologun e tij shqiptar. Këtu më të shqetësuarit duhet të jenë shqiptarët që shohin se kanë në krye një kryeministër që sanksionon në ligj një pakicë me një telefonatë, duke injoruar çdo rrethanë objektive në diskutim. Aq më tepër që askush nuk e di se mbi cilat premisa juridike u shtua pakica bullgare në ligj dhe këtë nuk e bën as lektori pa honorar i të drejtës europiane, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Zv.kryeministrja bullgare, Ekaterina Zaharieva ka sqaruar diçka që në Shqipëri nuk thuhet. Ajo kryen edhe detyrën e ministrit të Jashtëm dhe sipas saj është luftuar shumë që të arrihet në “këtë rivendosje të drejtësisë historike”.

“Gjëja më e rëndësishme në një shtet demokratik, që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, është që të mos pengojë njerëzit të identifikojnë veten në rastet kur ata janë të vetëidentifikuar si bullgarë dhe kanë fakte historike.  Falënderoj minoritetin bullgar në Shqipëri që mblodhi 3000 firma për rreth një muaj e gjysmë”, citohet ministrja bullgare nga agjencia “Focus”(http://www.focus-fen.net/news/2017/10/14/423998/minister-ekaterina-zaharieva-recognizing-the-bulgarian-minority-in-albania-restores-historical-justice.html).

Sipas saj madje mes të dyja vendeve, pra mes Shqipërisë dhe Bullgarisë ka një marrëveshje të vitit 1932 për njohjen e pakicës bullgare por e cila nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk është finalizuar firmosja e saj.

Pala shqiptare, më saktë qeveria, por edhe opozita që e votoi pa asnjë vërejtje, përveç LSI-së, u mbrojt me faktin se ligji i referohet në identifikim legjislacionit të censusit që bazohet te vetëdeklarimi pa zbuluar identitetin. Por me këtë logjikë gjithkush mund të shpallë kombësinë që i leverdis e pastaj qeveria do të duhet ta verifikojë me regjistrat e vet të Gjendjes Civile, në të cilët nuk figuron më kombësia si pjesë e gjeneraliteteve.

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Synimi i politikes se brendeshme e te jashtme shqiptare, eshte vetem e vetem si ti vehet kundra greqise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.