Për çfarë shteti bëhet fjalë?

Postuar në 15 Tetor, 2017 22:35

"Çdo shqiptar që nuk ndikohet nga arsyetimet e PD-së e kupton se ne po bëjmë shtet. Ne do vazhdojmë në këtë drejtim për t’ia arritur këtij qëllimi të madh për të bërë shtetin modern shqiptar".

Ky është një paragraf i marrë nga një fjalim i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili tani ka kaluar në fazën e vetëkorrigjimit, pra të anatemimit të modelit që u ndërtua në 4 vitet e mandatit të parë, me argumentin e keqqeverisjes që imponoi LSI. Pyetjet që shtrohen janë nëse kryeministri Rama ka patur mundësinë të demostrojë vullnetin për të bërë shtetin që premton këtu e 4 vjet. 

1. Duke nisur që nga emërimet në adminstratë, ku firmën në disa dikastere e kanë hedhur ministrat socialistë. Në konsultimet publike të ditëve të fundit janë diskretituar drejtorët e shkollave dhe mësuesit pa nivel, ndonëse meritokracia në arsim përmes portalit "Mësues për Shqipërinë" ishte kryefjala e mandatit të kaluar sa i takon reformave shtetformuese.  
Kush e mban përgjegjësinë për sharlatanizmin që prodhoi një reformë për të cilën u falenderua në mënyrë të veçantë ministrja e Arsimit? Kush i bëri emërimet që anatemohen sot nga kryeministri dhe pse vazhdon të mbahet në detyrë e njëjta ministre? Nëse pas kësaj mënxyre zonja Nikolla nuk shkarkohet atëherë nuk është çudi që arsyet  të jenë personale!

Çfarë nuk shkon në këtë teatër absurd që po ndodh është se ne e marrim kryeministrin më seriozisht nga sa merr ai publikun ose audiencën në funksion të retorikës që përcjell në shumë forma. Në këtë pikë ngjashmëria me Erion Veliajn është e madhe, pasi të dy renditen pa vështirësi në dy njerëzit që dominojnë ekranet dhe rrjetet sociale. Por le të marrim në analizë ato që tha veçantërisht ditët e fundit kryeministri lidhur me sfidat që ka përpara vendi për t'u bërë shtet dhe një vend normal. 

2. Qeveria e tij në 4 vitet që lamë pas u ekspozua keq në raport me kriminalitetin dhe veçanërisht me identifikimin si hambar i prodhimit dhe trafikimit të kanabisit. Policia ishte tërësisht në dorën e një ministri socialist, Sajmir Tahirit, i cili së fundmi ka propozuar një ligj për mbrojtjen e kafshëve. çfarë e pengoi qeverinë e drejtuar nga zoti Rama të tregonte autoritetin e shtetit jo vetëm në Lazarat, por edhe në pjesën tjetër të vendit ku lulëzoi mbjellja e kanabisit? Policia është nën akuzë për lidhje të forta kriminale dhe dëshmia më flagrante me zë dhe me figurë është ngjarja e Elbasanit ku shteti tregoi sa i tredhur është përballë individëve të lidhur me pushtetin. Kryeministri tani na thotë se në nëntor do vijnë agjentë gjermanë dhe amerikanë të ndihmojnë në luftën kundër krimit dhe të fortëve të lagjeve. Atëherë ku është sensi i reformës në drejtësi dhe i ngritjes së SPAK-ut (Prokurorisë Speciale) dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për çfarë bëhet gjithë ky investim politik, financiar dhe njerëzor kur as këto institucione nuk janë garanci për shtetin që na thuhet se po ndërtohet, kur zgjidhja vjen sërish nga jashtë? 

3.Është e qartë tashmë se policia e këtij shteti nuk ka besimin e partnerëve, të cilët dërguan deri edhe për asistencë në komisariatet e kufirit për të frenuar azilkërkuesit.  Autoriteti i brendshëm nuk zgjidh punë dhe nuk ka asnjë peshë dhe kjo vlen edhe për politikën.

4.Një telefonatë e kryeministrit bullgar Borisov dhe një letër e eurodeputetëve bullgarë i imponuan lehtësisht Tiranës zyrtare shtimin e minoritetit bullgar në listën e pakicave. Ajo çfarë demostroi shteti shqiptar në këtë rast vlen për të kuptuar se nuk ka as dinjitetin për të marrë vendime jashtë llogarive të vogla politike që bën ministri apo kryeministri i radhës

5. Ky i fundit priti e përcolli në zyrë disa ambasadorë dhe eurodeputetë derisa mbërriti në pikën që duhet të ulej për marrëveshje politike me kundërshtarin e tij. Pazari i brendshëm që u bë më pas mes tij dhe Lulzim Bashës nuk ka asnjë vlerë, përtej barcaletave për burra shteti dhe histori suksesi. 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.