Thaçi: "Shqipëria e ka detyrim kushtetues pajisjen me pasaportë të qytetarëve të Kosovës"

Postuar në 14 Tetor, 2017 15:19
Intervistoi: Bekim Shehu

Presidenti i Kosovws, Hashim Thacci, ka pwrswritur kwrkeswn e tij qw Shqipwria tw pajisw shtetasit e Kosovws, tw cilwn ai e drejton, me pasaporta shqiptare. Nw njw intervistw pwr agjencinw gjermane, “Deutsche Welle”, Thacci ka deklaruar se Komisionin Europian ka qasje diskriminuese ndaj Kosovws. Mw poshtw pjesw nga intervista:

President Thaçi, dy ditë më parë ju ishit shumë kritik me bashkësinë ndërkombëtare lidhur me qëndrimin strikt të saj që mos t'ia mundësojë Kosovës lëvizjen e lirë pa përmbushur kriterin e demarkacionit me Malin e Zi. Vazhdoni ta mbani këtë qëndrim dhe të jeni kritik ndaj BE-së?

Unë nuk isha kritik, unë e thashë atë që është e vërtetë dhe kjo e vërtetë ndoshta dikujt edhe mund t'i dhembë, natyrisht se pastaj ka interpretime të ndyshme herë keqkuptime e herë keqinformuese. Edhe një herë e ritheksoj që qëndrimi i Bashkimit Evropian është absurd dhe i turpshëm në raport me qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Ne nuk kemi kërkuar as më pak e as më shumë sesa të trajtohemi barabart sikurse vendet e tjera të rajonit e jo të dyfishohen kriteret. Megjithatë prej 95 kritereve për liberalizimin e vizave, 94 prej tyre i kemi  plotësuar, ka mbetur edhe ratifikimi demarkacionit me Malin e Zi dhe për këtë jemi të vetëdijshëm që pa impelmentimin e këtij kriteri nuk ndodh liberalizimi i vizave nga BE-ja. Ky kriter i është vënë Kosovës padrejtësisht dhe në mënyrë befasuese nga BE-ja që unë mendoj që më tepër sesa kriter për implementim, ka qenë kurth politik nga Komisioni Evropian që ta shtyjë edhe më tutje liberalizimin e vizave për Kosovën. Prandaj mendoj se BE-ja duhet të fillojë të ndryshojë qasje në raport me Kosovën. Këtij Komisioni Evropian i kanë mbetur edhe 17 muaj mandat dhe  shoh se nuk kanë qëllim dhe vizion për Kosovën dhe ky  ka qenë mesazhi im për qytetarët e Kosovës për institucionet e Kosovës, prandaj duke u ndodhur në këtë situatë ne duhet të lëvizim sa më shpejt për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit në kuvendin e Kosovës, por edhe në momentin që ne e ratifikojmë marrëveshjen për demarkacion, përsëri do të kemi sfida me këtë përbërje të Komisionit Evropian me Kosovën sepse nuk e ka fokusin për Kosovën.

Nëse këtë që e thoni që BE-ja nuk ka qasje të merituar për Kosovën, atëherë si mendoni të hyni në fazën e fundit të dialogut me Serbinë ku ndërmjetësues do të jetë pikërisht Bashkimi Evropian?

BE-ja jo që nuk ka qasje të merituar në raport me Kosovën, por ka qasje diskriminuese në raport me Kosovën, në raport me politikën e Kosovës dhe të ardhmen e Kosovës, prandaj ne kemi kërkuar që kjo qasje të ndryshojë në mënyrë drastike.

President, do të ketë kësaj radhe përfshirje të drejtpërdrejt  të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi?

Në takimin që kisha me zëvëndëspresidentin e SHBA-së Pence unë kam kërkuar përfshirjen e tij dhe të kabinetit të tij drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo që mund të them është që zëvëndëspresidenti Pence konfirmoi përfshirjen e SHBA-së në një dinamikë të re dhe aktive të drejtpërdrejt.

Besoni në pajtimin e madh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Unë besoj në dialog, besoj në komunikim në fqinjësi, besoj në vlerat euroatlantike, prandaj kjo është rruga që duhet ta ndjekim dhe pyetja shtrohet çka nëse nuk ka dialog, ka vetëm probleme, armiqësi, konflikte nga të cilat nuk përfiton askush. Nga dialogu do të jemi përfitues të gjithë dhe nga marrëveshja finale do të jetë  fituese edhe Kosova  edhe Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, sepse nuk mund të jetë fituese vetëm njëra palë.

President dua të kthehem edhe njëherë te demarkacioni me Malin e Zi. Kryeministri malazez ishte shumë i prerë në qëndrimin e tij se Mali i Zi nuk do të negociojë më me Kosovën as edhe për një centimetër çështjen e kufirit me Kosovën. Ju keni qenë vet nënshkrues i një marrëveshje të demarkacionit me Malin e Zi. Bazuar në këtë qëndrim të ngurt të Malit të Zi nga njëra anë dhe qëndrimit kundërshtues të kësaj marrëveshje nga kryeministri Ramush Haradinaj. Ku e shihni rrugëdaljen?

Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur marrëveshje, të saktë të drejtë dhe të qëndrueshme profesionale dhe të përgjegjshme shtetërore. Tash problemi nuk është ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, por problemi është te votimi në kuvendin e Kosovës, prandaj duhet të fokusohemi të gjithë që t'i sigurojmë dy të tretat e votave në kuvend për të votuar marrëveshjen. Kjo marrëveshje është e përmbyllur në mënyrë të përgjegjshme institucionale prej komisionit shtetërorë të Republikës së Kosovës, pastaj  prej dy komisioneve tjera ndërkombëtare, gjithashtu e kemi edhe vlerësimin e NATO e kemi edhe vlerësimin e departamentit amerikan të shtetit, kështu që prej të gjithë faktorëve institucional politik ndërkombëtar e ka marr bekimin kjo marraveshje. Kjo për Washingtonin, Brukselin, NATO-n është e përmbyllur, prandaj ne duhet të jemi shumë syçelur, shumë të vëmendshëm shumë të përgjegjshëm që t'i kryejmë obligimet tona të marrëveshjeve shtetërore, sepse marrëveshjet shtetërore nuk janë leksione të orëve të gjeografisë, por janë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kur jemi të vendet fqinjë të Kosovës, një ditë më parë ishte për vizitë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nga i cili ju kërkuar që Shqipëria t'i pajisë me pasaporta shqiptarët e Kosovës në mënyrë që të lëvizin lirshëm, meqë BE-ja nuk po i liberalizon vizat për Kosovën. A nuk ju duket kjo deklaratë, kjo kërkesë, si një lloj heqjeje e shtetësisë së qytetarëve të Kosovës dhe kërkimi i një shtetësie tjetër?

Pas izolimit klasik që u ka bërë BE-ja qytetarëve të Kosovës dhe mbylljes së çdo vrime të shpresës që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, ne duhet të kërkojmë që këtë problematikë ta zgjidhim edhe në rrafshin kombëtar aq sa mund të zgjidhet. Kërkesa ime është e drejtë kushtetuese dhe ligjore duke respektuar kushtetutën e Kosovës por është edhe e drejtë dhe obligim kushtetues dhe ligjor i Shqipërisë. Ne duhet të jemi realistë, të gjithë njerëzit e politikës në Kosovë duke përfshirë bartësit e institucioneve, ministrat, deputetët, elitat në Kosovë, të gjithë kanë pasaporta shqiptare dhe në të njejtën kohë kanë edhe shtetësinë e Kosovës dhe po ashtu mund të marrin shumë shpejt viza në ambasadat në Kosovë. Por, kush janë të privuar nga e drejta për lëvizje të lirë, studentët, janë nganjëherë edhe njerëzit e biznesit, janë qytetarët e rëndomtë. Prandaj, Shqipëria  mendoj se duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme duke i kryer obligimet e saja kushtetuese. Ky mund të jetë një vendim që më tepër ka karakter fisnik dhe human. Kërkesa ime nuk është presion ndaj Shqipërisë por është nevojë, kërkesë fisnike dhe shumë humane. Shqipëria mendoj se do të sillet përgjegjshëm dhe përsëri kërkesa ime është edhe me e fuqishme sot që edhe Presidenti Meta edhe kryeministri Rama të jenë në kryerje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore por edhe të përgjegjësive kombëtare që t'ua lehtësojnë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë nëpër zonën Shengen.

Mendoni se me kaq lehtësi mund të kalojë kjo kërkesë e juaja përballë bashkësisë ndërkombëtare?

Shqipëria e ka obligimin kushtetues dhe ligjor, ndërsa ne e kemi të drejtën kushtetuese dhe ligjore. Derisa është diçka e lejueshme me kushtetutë dhe ligj, atëherë duhet të jetë e pranueshme edhe në veprim institucional qeveritar të të dy vendeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.