Formësimi i një kushtetute materiale për Shqipërinë

Postuar në 09 Tetor, 2017 09:20
Elvis Zaimi

Pas rënies së komunizmit, tekstet tona kushtetuese janë përmirësuar në vite, por konstitucionalizmi shqiptar ende është i paaftë të qëndrojë në mënyrë solide mbi këmbët e veta, d.m.th të jetë i pavarur nga tronditjet me efekt negativ që shkaktojnë mbi të ngjarjet e jetës politiko-shoqërore, të cilat pengojnë shfaqjen, afirmimin dhe zhvillimin e një identiteti kushtetues kombëtar, si dhe të një rendi të lirë demokratik. Pra, hartimi i një teksti racional dhe të përpiktë kushtetute duket shumë më i lehtë sesa jetësimi dhe objektivizimi i vlerave kushtetuese, e cila mbetet sipërmarrja e vërtetë kushtetuese.

Ideja e parashtruar në mënyrë elegante nga Monteskje, se ligjet e çdo kombi përfaqësojnë ose mishërojnë diçka të veçantë nga “shpirti” apo kultura e tij, ende nuk ka gjetur rolin e duhur në zhvillimin e konstitucionalizmit shqiptar. Kjo sepse shpesh harrohet se uniteti i brendshëm logjik i tekstit kushtetues është i paaftë të prodhojë kushtetuetshmëri funksionale, nëse nuk ekziston njëkohësisht me të edhe uniteti reciprok dhe i qëndrueshëm ndërmjet vetë tekstit integral të kushtetutës me realitetin ekonomik, shoqëror dhe politik ku teksti kushtetues gjen zbatim.

Ndërtimi i një identiteti kushtetues kombëtar, mbetet pra ende një detyrë e së ardhmes, që duhet të spikasë më dukshëm në dinamikën e praktikës gjyqësore, veçanërisht asaj të Gjykatës Kushtetuese, duke ngulitur dhe vënë në epiqendër të kësaj dinamike arsyet që e gjejnë mbështetjen e tyre te nevojat reale të zhvillimit të ekonomisë dhe shoqërisë, të konsideruara nga këndvështrimi i traditës historike dhe aspiratave të së ardhmes. Nëse do të merrja një shembull, ai më domethënësi do të ishte i lirisë së besimit në kontekstin e bashkekzistencës jo vetëm paqësore, por edhe të një harmonie të përsosur ndërmjet tre komuniteteve fetare, një produkt i historisë sonë kombëtare, arritje për të cilën ndihemi krenarë dhe bota na admiron. Preambulat, në eksperiencën kushtetuese, njihen si një dokument karakteristik ku gjejnë shprehje vlerat, identitetet, dhe narrativat unike të një kombi.

Në preambulën e kushtetutës sonë, e cila është “animus”-i interpretues i saj, kur vjen fjala për bashkekzistencën ndërfetare, ky koncept evokohohet me togfjalëshin “frymën e tolerancës fetare”, e cila nuk e shpreh, madje padrejtësisht e fsheh këtë arritje të historisë sonë kombëtare. Arritja e tolerancës fetare do të ishte një detyrë që me kushtetutë duhet t’u ngarkohej shteteve në vende të tilla p.sh., si Libani, ndërkohë që detyrë e shtetit shqiptar është të vigjëlojë dhe të ruajë “harmoninë ndërfetare”, vlerë unike e historisë kombëtare. Ndryshe nga toleranca që është një kompromis që mundëson bashkë- jetesën edhe në mungesë të respektit të ndërsjelltë ndërfetar, harmonia bazohet në respektin e natyrshëm dhe të sinqertë ndërmjet komuniteteve fetare. Gjithashtu, magjepsja pas ideologjisë narrative “të të drejtave të njeriut”, kryesisht sesi ato vijnë në shprehje në KEDNJ dhe në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, dhe që ka çuar në “ndërkombëtarizimin e të drejtës kushtetuese shqiptare”, ka lënë pas dore në studimet kushtetuese çështje të shqyrtimit të strukturës së konstitucionalizimit shqiptar. A kemi një strukturë të shëndoshë konstitucionale shqiptare, d.m.th a janë parimet, normat, marrëdhëniet dhe proceset institucionale brenda shtetit shqiptar të afta të mbështesin, justifikojnë dhe gjenerojnë pritshmëritë nga proceset demokratike të shqiptarëve? A janë institucionet shtetërore të afta të strukturojnë dhe të bëjnë të parashikueshme, brenda kornizave të shtetit të së drejtës, sjelljen e aktorëve që ushtrojnë pushtetin publik? Nuk duhet harruar se ndërsa çdo shtet i planetit, përfshi edhe diktaturat dhe republikat e bananeve kanë në tekstin e tyre kushtetues kapitullin me katalogun e të drejtave të njeriut, struktura e shëndoshë e konstitucionalizmit është ajo që i dallon demokracitë e qëndrueshme euroatlantike nga vendet e tjera të botës.

Jo vetëm realiteti politik i tranzicionit, por edhe teksti i kushtetutës, i cili në nenin 134 i tij, në bazë të një ndarjeje që më duket mekanike dhe pa justifikim të arsyeshëm, i njeh legjitimitet të privilegjuar për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në mbrojtje të interesit publik vetëm Presidentit, Kryeministrit dhe një numri të caktuar deputetësh, e ka penguar afirmimin e një strukture të shëndoshë të konstitucionalizmit shqiptar. Në optikën time ky kufizim i legjitimitetit në drejtësinë kushtetuese e ka ngushtuar atë që është thelbi i demokracisë dhe vetë drejtësisë kushtetuese, pjesëmarrjen qytetare në jetën publike dhe ushtrimin e kontrollit kushtetues mbi veprimtarinë shtetërore nëpërmjet verifikimit të zbatimit të sistemit normativ kushtetues mbi këtë të fundit. Kjo e ka tjetërsuar rolin e Gjykatës Kushtetuese duke e shndërruar shpeshherë në forumin e “lojërave të holla politike”. Shembulli më i freskët në këtë pikë është ligji për vettingun dhe ligjet e tjera të paketës së reformës në drejtë- si. Përfshirja e gjerë e qytetarëve në jetën publike dhe qeverisjen e vendit, për të cilën ka përkrahje nga të dy krahët e politikës, duhet të gjejë pasqyrimin e saj edhe në tekstin e kushtetutës. Si shembull mund të merret rasti i Francës, e cila në vitin 1995 amendoi nenin 11 të kushtetutës për të lejuar një pjesë- marrje më të madhe popullore në jetën publike, duke i dhënë presidentit të drejtën e thirrjes së referendumeve për një numër të caktuar çështjesh.

Strukturën e shëndoshë të konstitucionalizmit të një vendi e dëshmon efektiviteti dhe legjitimiteti afatgjatë i institucioneve të tij, por historia postkomuniste shqiptare provon pikërisht të kundërtën. Fakti që sot institucionet shqiptare në mjaft raste janë të deligjitimuara dhe në një proces rithemelimi, dëshmon, përveç arbitraritetit të klasës politike, edhe për aktivizëm të munguar të Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim, veçanërisht duke vënë në dukje faktin se kritika mbi institucionet erdhi nga kanale informale dhe jo brenda proceseve të pjesëmarrjes demokratike që ofron një strukturë e shëndetshme konstitucionale. Përveç vendimeve që kanë të bëjnë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kontributet e Gjykatës Kushtetuese për çështje të tjera të qeverisjes së brendshme institucionale, janë të ndrojtura, modeste, ose mungojnë krejtësisht. Në këtë drejtim, spikat rasti i Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera të pavarura, për të cilat mungon doktrina zyrtare kushtetuese.

Kushtetutshmëria materiale-funksionale në praktikën e Gjykatës Kushtetuese është më së shumti e pohuar si standard dhe e shtjelluar teorikisht, sesa e analizuar dhe interpretuar në rrethanat e kontekstit social, ekonomik dhe politik të vendit. Në këtë mënyrë kontributi i Gjykatës Kushtetuese në jetësimin e vlerave dhe parimeve kushtetuese i mbetet borxhli në të ardhmen, pritshmërive të kushtetutëvënësit, pra kombit shqiptar, në realitetin shoqëror dhe politik në zhvillim.

"Panorama"(http://www.panorama.com.al/formesimi-i-nje-kushtetute-materiale-per-shqi...)

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje shkrim i hapur dhe paksa pa ngjyre! Autori don te bej se fundi si strumbullar te shkrimit nenin 134 te kushtetutes (paragr. i trete nga fundi), nen ky i cili si shume nene te tjere tregon arsimimin e ulet te hartuesve te kushtetutes shqiptare, pasi nuk ka nevoje te permenden te gjitha subjektet (personat juridike) qe vene ne levizje Gjykaten Kushtetuese, kur dihet se kjo eshte aty per te pare nese ligjet kane kontradikta me njera-tjetren, ndaj dhe mund te informohet nga cdo subjekt dhe cdo njeri i thjeshte mbi te metat e legjislacionit. Pastaj, ky nen (134) te con tek neni 145, i cili thote se kur gjykatesi e cmon se ligji vjen ne kundershtim me kushtetuten, mund ta pezulloje ceshtjen ne gjykim. Kjo detyre i perket Gj.K. dhe jo cdo gjyqtari! Gjyqtari ka per detyre ta zbatoje ligjin, i cili parashikon thjesht masen e denimit te te pandehurit. ne te kundert quhet perzierje detyrash! Pastaj, edhe rasti qe permend ketu autori ne lidhje me ndryshimin e nje neni te kusht. franceze per ti dhene me shume favor mbajtjes se referendumeve, kjo nuk perben nje akt jurisprudence (te vete shkences), por thjesht nje akt juridik, i cili ne fund te fundit (referendumi) duhet te saksionohet ne vetevete qarte ne kushtetute se kur dhe nga kush duhet te thirret, per t'mos ia lene kete detyre vetem presidentit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.