Çfarë standardi po vendos ministri i ri?

Postuar në 09 Tetor, 2017 10:52

Hije dyshimi sërish mbi policinë për një ngjarje që lidhet me bashkinë e Elbasanit. Policia e këtij qyteti akuzohet se ka mbajtur të fshehur një aksident në aksin rrugor Librazhd – Elbasan, që dyshohet se është shkaktuar nga kryetari i saj. Ajo reagoi 3 orë më vonë për ngjarjen pasi ish-kryeministri Berisha postoi një denoncim se makina e kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini aksidentoi një 32 vjeçar në Labinot Fushë.

Në postimin e Berishës shkruhej se bëhen përpjekje për të mbyllur me para aksidentin:

Doktor ju përshëndes! Me lajmërojnë se para një ore makina e Qazimit me atë brenda, pasi ka dale nga një lokal ku ka drekuar ka përplasur ne rrugën e Labinotit Fushe një motor me drejtues A. Allushi. Personi është dërguar urgjent ne spital. Ngjarja mbahet e fshehtë dhe familjareve i është ofruar shumë parash dhe bërë presion të mos flasin. Gjithsesi, duhet verifikuar.

Pas këtij polistimi policia e Elbasanit tha se po kryen veprimet hetimore dhe procedurale nën drejtimin e Prokurorit. Ky nuk është rasti i parë kur policinë e detyron presioni i medias apo denoncimeve në rrjetet sociale të reagojë për të sqaruar ngjarje. Ikja e Sajmir Tahirit dhe ardhja në krye të ministrisë së Brendshme e Fatmir Xhafës çliroi në një farë mënyre qeverinë nga dritëhijet që rrethonin ish-ministrin në raport me trafikun e drogës dhe grupet kriminale. 

Por ngjarja e 18 shtatorit në Elbasan la të kuptohet se në përplasjen me krimin apo inkriminimin qeveria operon me standarde që varen nga ministri i radhës dhe jo nga filozofia për të trajtuar çdo ngjarje pa ngarkesa edhe kur ato implikojnë vetë strukturat e shtetit.

18 shtatori ishte një episod ku policia u ekspozua për shkak të publikimit në media të pamjeve të operacionit dhe apatisë së policisë për të ndërhyrë. E shoqëruar kjo me denoncimet e forta të ish-kryeministrit Sali Berisha për ndikime politike që lidhen me kryebashkiakun e Elbasanit Qazim Sejdini, qeveria u detyrua të japë shpjegime mbi akuzat dhe të mbajë edhe një qëndrim politik mbi luftën kundër bandave kriminaleve veçantërisht në Elbasan.

Madje ministri i ri i Brendshëm bëri edhe një historik të përplasjeve të grupeve kriminale në këtë qytet. I gjithë ky reagim vetëm pasi ngjarja doli nga kornizat e njoftimit të policisë, raportimi i së cilës ishte i përciptë dhe pa iniciale. Media siç ka parapëlqyer t’i quajë kryeministri rastet flagrante të korrupsionit apo implikimit të shtetit në afera kriminale, nxorri me zë dhe me figurë atë që policia dhe ministri i ri i Brendshëm u munduan ta fshehin.

Për faktin e thjeshtë se në këtë ngjarje dyshohet si i impikuar edhe dhëndri i kryebashkiakut socialist të Elbasanit Qazim Sejdini.  Ndaj jo vetëm ministri i Brendshëm, por çdo kush nga mazhoranca që ka komentuar ngjarjen ka folur për veprime të matura të policisë dhe jo stepje të saj. Gjithsesi ajo që mbetet për t’u shënuar është standardi me të cilin ministri i ri dhe qeveria që ai përfaqëson sjellin kur janë ata të cilëve u është besuar lufta kundër krimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.