Kush ka realisht interes që regjimi i TVSh-së të mos ndryshojë?

Postuar në 06 Tetor, 2017 13:35

Qeveria ka zyrtarizuar synimin që të përfshijë në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe ato që deri më sot quhen “biznese të vogla”. Të tilla janë ato që përjashtohen nga ky regjim nëse kanë një xhiro poshtë 5 mln lekë. Kryeministri e argumentoi kështu arsyen e këtij vendimi:

Ne do t’i kërkojmë biznesit të vogël që të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit e duke përfshirë në regjimin e TVSH-së do të mbyllim hapësirat për të gjithë ato biznese të mëdha që faktikisht nuk shkarkojnë TVSH-në. Nga ana tjetër do të pamundësojmë që një pjesë e bizneseve të vogla të bëjnë konkurrencë të pandershme me pjesën tjetër, duke mos pranuar faturë TVSH-je nga të mëdhenjtë. Kjo është strategjia e këtu nuk ka kompromis! Nuk është rritje takse”.

Nëse i drejtohemi faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, aty TVSh-ja përkufizohet si “një tatim i përgjithshëm, mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve”. Nisur nga ky përkufizim është e logjikshme që kur flitet për përjashtim nga TVSh, apo për ulje të saj, I duhet referuar mallrave dhe shërbimeve. Në fakt politika shqiptare ka zbuluar se kjo praktikë mund të aplikohet edhe me një kriter të ri që është xhiroja vjetore.

Që nga ardhja e kësaj qeverie në detyrë, për shkak të qëllimeve të saj për të ndryshuar politikat fiskale dhe paaftësisë së saj për të përputhur synimet me realizimet, sulmet dhe kritikat në këtë drejtim kanë qenë të shumta. Por në shumë pak raste, ka patur kritikat për realizimin e të ardhurave nga mbledhja e TVSh-së. Kjo ka arsyet e veta dhe këto arsye patjetër që duhen kërkuar te deklarata e kryeministrit e sipërcituar. Nuk është rastësi që ndërkohë që prezantohet nisma për përfshirjen e biznesit të vogë në regjim TVSh-je, shumëkush ka nisur të “shqetësohet” për çmimet që do të rriten “automatikisht” siç shkruante p.sh revista ekonomike “Monitor”. Pra nëse qeveria më në fund po hedh sytë te lufta ndaj evazionit të biznesit të madh, debati deformohet për t’i dhënë prioritet çështjes së çmimeve.

A rriten çmimet automatikisht?

Në një shkrim të vetin, ndërtuar mbi bazën e “analizave” të “ekspertëve” anonimë, revista “Monitor” e argumentonte kështu efektin e kësaj mase:

Nëse një produkt hyn në doganë me 100 lekë, menjëherë për këtë produkt do të paguhet TVSH 20 % dhe tarifë doganore nëse ka. Kur ku produkt magazinohet ndaj tij faturohet kosto transporti 10 lekë dhe vlera totale me TVSH shkon 130 lekë. Distributori nga ana e tij, në këtë çmim do të llogarisë 20 lekë kosto operacionale dhe 20 lekë fitim. Në total çmimi i produktit shkon në 170 lekë. Më pas kur ky produkt nga distributori shkon tek pika e pakicës, çmimi i produktit do të llogaritet çmim final plus TVSH (17 leke +TVSH 20% që në këtë rast është 34 lekë ). Duke qenë se TVSH është paguar njëherë në në doganë, distributori do t’i paguajë TVSH shtetit diferencën 34 lekë minus 20 lekë që ka paguar në doganë, pra 14 lekë. Në këtë mënyrë do të funksionojë edhe pakica. Deri më tani TVSH nuk aplikohej në shkallën e fundit. Tani vlera e produktit nga distributori tek pika e pakicës shënon 210 lekë. Duke i shtuar koston dhe fitimin prej 30 lekësh që do të ketë ambulanti, i bie që çmimi ndaj konsumatorit të jetë 240 lekë plus TVSH. TVSH në këtë rast është 48 lekë. TVSH që i paguhet shtetit nga biznesi i vogël është 48 lekë minus 34 lekë, pra 14 lekë”.

http://www.monitor.al/ekspertet-ulja-e-pragut-te-tvsh-se-do-shtrenjtoje-cmimet-dhe-do-rrise-barren-per-bizneset-e-vogla-paralajmerohen-falimente-masive/

Këtu le të nënvizojmë se të dhënat për kostot janë pa vlerë për argumentin, në mos për të tensionuar lexuesin, pasi kostot janë faturë prezente pavarësisht se në çfarë regjimi fiskal je. Përkundrejt këtij argumentimi që deri diku ka një bazë, eksperti, tanimë me emër, prof. Sotiraq Dhamo, analizonte kështu për Top-Channel:

Nga pikëpamja e bizneseve që tani janë pa TVSH, në qoftë se çmimet e tyre i kanë më të ulëta sesa çmimet e biznesit me TVSH, me të cilin ato kanë konkurruar, do të detyrohen që të rrisin çmimin dhe ta çojnë te niveli i biznesit aktual me TVSH. Por, në treg ka edhe shumë biznese, të cilat ndonëse nuk paguajnë TVSH në shtet, i kanë çmimet të njëjta me ato që e paguajnë këtë taksë. Në këtë rast, qytetari e ka paguar TVSH-në në çmim, por biznesi nuk e derdh në shtet, duke e mbajtur pa të drejtë”.

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=365291#kryesoret

Qasja e fundit është shumë më objektive, pasi merr në vështrim të dyja aspektet e regjimit të TVSh-së, mungesa e të cilës për disa kategori biznesesh nuk ka çuar në çmime më të favorshme. P.sh në biznesin e shërbimeve diferencat janë minimale dhe për një ilustrim shumë të kuptueshëm mund të shohim sesi një biznes i vogël  - bar kafe – aplikon të njëjtat çmime me një fqinjin e vet – bar kafe biznes i madh – me TVSh. Shembulli më flagrant i këtij rasti është vendimi i qeverisë aktuale në vitin 2013 për të hequr TVSH 20% për sigurimin dhe për të lënë primin 3%. Një vit më pas ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani do të propozonte rikthimin e primit 10% duke deklaruar se “në treg nuk u reflektua ulje çmimi”. Pra  për një vit qeveria uli barrën fiskale për kompanitë, por kjo nuk solli ulje çmimesh. Këtu nxjerr krye një tjetër çështje, ajo e strukturimit të tregut, ku operojnë oligopole që kanë marrëveshje të dakordësuara.

Ulje apo përjashtim për mallra dhe shërbime?

Sot që diskutojmë ligji parashikon përjashtimin e disa mallrave apo shërbimeve. Kur flitet për mbajtjen e çmimeve nën kontroll, një qeveri është e interesuar që të shohë kategori të caktuara dhe jo luksin apo mallra apo shërbime që nuk janë të domosdoshme. Është kjo arsyeja që kësaj qeverie i duhet kërkuar llogari p.sh se përse nuk mbajti premtimin për uljen e TVSh-së në 6% të mallrave të shportës dhe energjisë elektrike, çka do të rregullonte teorikisht barrën finale te konsumatori.  Mirëpo edhe në këtë rast, nuk ka garanci se çmimet mund të ulen. Një shembull për këtë është ajo që ndodh me shitjen e karburanteve që mbajnë çmimet më të larta në rajon, pa reflektuar thuajse asnjëherë dinamikën pozitive të tregut ndërkombëtar. Dhe sërish këtu ata që shqetësohen për regjimin e TVSh-së i ikin diskutimit për strukturën e deformuar të tregut që mban peng në të vërtetë absurdin shqiptar.

Evazioni me TVSh-në. Problem edhe doganat

Kur flitet për evazionin përmes TVSh-së edhe njëherë sytë duhet t’i kthejmë sidomos nga biznesi I madh. Dhe duke nënvizuar sërish: nuk është rastësi që përtej kundërshtive të mëdha, raportimi mediatik për mbledhjen e TVSh-së nga kjo qeveri ka qenë nga të gjitha burimet Pozitiv dhe I vlerësuar. Kjo ka një arsye: biznesi i madh, apo një pjesë e tij, nuk dëshiron ndryshimin e këtij regjimi nga I cili fiton shumë. Nëse do të lexojmë sërish pasazhin e marrë nga revista “Monitor” do të shohim se mbi mallra aplikohet TVSh(përveçse kur ato përjashtohen) që në hyrjen në doganë. Biznesi i madh operon me fatura blerjeje dhe shitjeje për të paguar detyrimin për TVSh-në nga diferenca mujore mes të dyjave. Nëse një biznes ka më shumë shpenzime sesa blerje, atëherë diferenca është negative dhe atij I duhet rimbursuar TVSh-ja, për mbledhjen e të cilës ai luan këtu rolin e Agjentit Tatimor. Pasi siç e pamë TVSh-ja është taksë e përgjithshme mbi mallrat dhe shërbimet. Ajo paguhet në finale për çdo veprim shkëmbimi dhe I shkon vetëm arkës së shtetit. Në kalimin e mallit nga biznesi me TVSh drejt biznesit të vogël, ky i fundit bën dalje pa iu nënshtruar regjimit të TVSh-së duke patur lirinë që të veprojë me çmim shitjeje sipas interesit. Nga ana tjetër ky fakt, i lejon biznesit të vogël që të kërkojë, duke mbajtur në rregull bilancin zyrtar, blerje malli pa faturë, meqenëse në inspektimet eventuale, atij i duhet të ruaajë kufirin tavan të xhiros vjetore zyrtare që të mos kalojë si biznes I madh. Kjo ishte arsyeja që qeveria këmbëngulte për kuponin tatimor, por duke kapur problemin nga bishti. Në të vërtetë shumica e bizneseve të vogla, janë të tilla në letër dhe jetojnë duke iu shmangur taksave pikërisht për shkak të kësaj manovre.

Vetë biznesi i madh që mundëson shitje malli pa faturë tatimore e gjen këtë mundësi te shmangia e deklarimit në doganë, apo në prodhim, tjetërsimi I deklarimeve etj., duke i dhënë skemës një marzh deformimi dhe abuzimi shumë të dëmshëm. Po kështu bizneset e mëdha aplikojnë atë që quhet blerje apo shitje TVSh-je, duke operuar në bashkëveprim me njëri –tjetrin për të rritur blerjet mujore në mënyrë që të shtyjnë në kohë pagimin e TVSh-së dhe në rastin më të mirë të paraqiten para shtetit si kreditorë që kërkojnë rimbursim. Nëse gjithë bizensi kalon në regjim TVSh-je kjo lojë kufizohet shumë dhe këtu po flasim për fitime shumë të mëdha, që vijnë mbi një realitet të paqenë.

Probemi i administratës tatimore

Mund të pyetet si ndodh I gjithë ky mbulim? Gjithë kjo vjedhje. Një arsye është mungesa e dëshirës së politikës që ta ndryshojë këtë sistem që ka krijuar ekuilibrat e vet. Një tjetër është moskuptimi, por arsyeja më kryesore është Implikimi.

Gjatë aksionit kundër informalitetit, ish-ministri Cani deklaroi se nuk do të toleroheshin ata inspetkorë që punojnë edhe si kontabilist biznesesh. Qeveria madje prezantoi masën ligjore deri në 7 vjet burg për ata që e kryejnë këtë lloj aktiviteti. Ndodh që vetë inspektorët tatimorë të mbajnë bilancet e bizneseve që kanë detyrë t’I kontrollojnë, duke minuar të gjithë procesin. Është përfolur jo rrallë se në këtë aktivitet janë të përfshirë edhe drejtues të Tatimeve, që kanë madje firma dhe që mbulojnë bilancet e biznesit të madh. Sipas disa burimeve rasti më flagrant që është verifikuar është ai i rreth 40 punonjësve të tatimeve, që bënin deklarimet e biznesve nga kompjuterët e zyrave të punës. Duke qenë se logimi në sistem asociohej me PC-në përkatëse, u verifikua se nga kompjuterët e Tatimeve ishin bërë deklarime për biznese të ndryshme. Po sipas këtyre burimeve, ky rast u adresua në Prokurori, por asgjë nuk ndodhi. Mbetet lajm i pakonfirmuar zyrtarisht, por ai është vetëm një episod që dëshmon shkallën potenciale të implikimit të adminsitratës tatimore. Dhe asgjë nuk ndodhi edhe 7 vitet burg që sanksionon ligji.

Nga ana tjetër, nismat për të mbyllur këtë pompë abuzimi kanë qenë qëllimisht qesharake. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka folur disa herë për një sistem risku, që është një sistem vlerësimi që përmirëson cilësinë e kontrollit ndaj bizneseve. Ai madje ka folur edhe për një kriter zonal operimi, siç ishte rasti kur deklaroi se “në zonën e Bllokut në Tiranë” nuk do të ketë më biznese të vogla. Në fakt asgjë nuk ndodhi, sepse siç shihet nuk qëndron këtu problemi. Administrata tatimore nuk arrin dot asnjëherë efikasitetin e një banke, por të paktën qeveria ka për detyrë të mos lejojë që abuzimi të arrijë deri këtu sa biznese të caktuara të blejnë edhe drejtorët e institucioneve. Kryeministri që sot flet për reformë në adminisratë do të duhej të sillte një rast domethënës kur është vepruar ndaj asaj që ai e quan bandë zhvatësish e që në katë rast, një pjesë e saj gjendet në Tatime apo Dogana.

Dhe asgjë nuk është thënë për lojërat e nivelit të lartë që luhen me rimbursimin e TVSh-së. është e ditur se qeveria e vonon rimbursimin e TVSh-së për bizneset duke shtuar kostot për të dhe duke e nxitur biznesin që të kërkojë rrugëdalje. Ka raste “biznesmenësh” të suksesshëm, që japin edhe intervista, që kanë blerë kompani në prag falimenti për shkak edhe të vonesës në rimbursimin e TVSh-së(miliona euro) dhe mandej janë rimbursuar brenda javës. Këto janë raste që kërkojnë hetim e në vende të tjera do të përbënin skandal politik.

Është e qartë se qeveria është e vonuar me nismën e saj të fundit. Ajo gjendet tanimë përballë biznesit të madh, atyre që quhen oligarkë, të cilëve po u heq një marzh të madh abuzimi. I cili do të minimizohej nëse shkëmbimet do të monitoroheshin në kohë reale. Dhe kjo është betejë jo e vogël. Jo më kot sulmi po përqendrohet te aspekti më populist: rritja e çmimeve, për të shmangur çdo analizë mbi gjullurdinë që dominon realitetin dhe që ushqen një korrupsion të paprecedentë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.