Luli, lër mustaqe dhe na pri!

Postuar në 05 Tetor, 2017 20:11

E dini kush është politikani që e ka përdorur më shpesh togfjalëshin “paqe sociale” këto vitet e fundit? Mua më kujtohet sepse engledisjen me pulitikën e kam si biçim detyrimi. Ky është Ilir Meta, shkëlqesia e tij, Presidenti që na gënjeu të gjithëve se do na jepte nga një kallash pas zgjedhjeve. Prit për kallash, hiç Meta. Me siguri që tani si Komandant i Përgjithshëm i FA-së, po i ruan në depo. Një mendje ma thotë se do marrë me konçesion kombinatin e Poliçanit dhe pastaj do t’i demontojë aty për t’I dhënë punë vetes. Po edhe pa plan nuk ecet. 

Por t’I lëmë armët dhe t’I kthehemi Fjalës. Togfjalëshin e mësipërm sot e përdori edhe Lulzim Basha, i cili madje tha se “populli do marrë në dorë parlamentin”. 

Sa e dëgjova kërceva nga divani dhe u nisa për nga godina e seancave dhe po vija vërdallë duke menduar me gëzim se sa mirë është të jesh popull në këto kohë. Hera e fundit që u ndjeva mirë me këtë status ka qenë kur dëgjova një intervistë të Pasolinit që thoshte se unë vlerësoj apo ndihem mirë vetëm me njerëzit e thjeshtë që e shumta kanë 4 klasë shkollë. E rrotullova nëpër mend dhe i thashë vetes: ja pra se ç’i bën vetes po të kalosh në klasë të pestë. Por sot, Basha bëri sevap dhe na hapi rrugë të gjithëve. Me arsye shumë të hollë them unë. Duke qenë se zotëria vjen nga një qeveri që pati parimin “një shqiptar një diplomë”, është thuajse e pamundur të gjesh një shqiptar nga ata që kishte parasysh Pasolini. Pra popull është kushdo që i shkon pas avazit Lulit dhe i vërsulet Parlamentit. Ka diçka edhe prej patrioti kjo thirrje e Lulit. T’i vërsulesh parlamentit sot është më e kollajtë nga dje, pasi Luli I ka marrë masat për ne; ai i nxori jashtë kriminelët. Ndaj ata puftet që kanë mbetur aty brenda ne i kemi karamele. 

Unë personalisht e peshova mirë dhe arrita në përfundimin se Luli është  adapt për t’i prirë popullit. Pse? Sepse duke qenë se në rastin e Çadrës pa vetëm bythën e vet, në fakt ai u soll si një i turmës, popull pa kandar e pa zinxhir që rend me nuhatje. Këta quhen anarkistë në ca fjalorë. Unë e quaj tamam politikë të djathtë. Ndaj Luli ka të drejtë. Kush ndihet beriha dhe nuk ka ndonjë punë për të bërë t’i bashkohet Lulit. I cili duhet ta heqë mënjanë atë shprehjen “paqe sociale”, sepse nëse populli ngrihet, nuk ka më vend për paqen sociale. Por edhe sepse aty nxjerr kokë Ilir presidenti. Për kaq punon çdo radar. 

Dhe diçka, kështu si pa të keq. Tani që Bujar Nishani iku nga presidenca dhe u kthye pranë PD-së, ndoshta Luli duhet të konsiderojë që të lërë mustaqe, meqë kështu sikur e përafron portretin me misionin që ka marrë. Unë për këtë shqetësim i kam shkruar edhe Edmond Spahos që është kolona e stabilitetit në atë parti. Prina Luli. 

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.