Si ta lexojmë raportin e FMN-së për një qeveri në vend numëro?

Postuar në 03 Tetor, 2017 12:46

Misioni i FMN-së që vizitoi Shqipërinë dy javët e fundit doli me një deklaratë që lë pak vend për optimizëm. Përtej mosaprovimit të idesë për bashkimin e Tatimeve me Doganat dhe risqet fiskale të konçesioneve, në terma afatgjatë pritshmëritë mbi ecurinë ekonomike kufizohen nga objektivi për të ulur nivelin e borxhit në 60 për qind për 5 vitet e ardhshme.  

FMN i thotë jo shpenzimeve të tepërta dhe projektit më ambicioz të qeverisë për të injektuar 1 miliardë euro në ekonomi përmes një programi për investime në ifrastrukturë.

Për të siguruar që buxheti i rishikuar i vitit 2017 të qëndrojë brenda objektivit fillestar, do të ndihmonte që kursimet ekzistuese të ruheshin dhe të shmangen shpenzimet joefikase të fundit të vitit - citohet në raport.

Ajo që ka "shpëtuar" qeverinë në raport me investimet e huaja janë dy investime të mëdha në energjetikë që lidhen me gazsjellësin TAP dhe Devolli Hidropoëer, të firmosura nga qeveria e mëparshme. Në mandatin e parë të qeverisë Rama u premtua ndërtimi i një porti në Karpen të negociuar nga ish-ministrja Milva Ekonomi, projekt për të cilin çuditërisht nuk po flitet më.  Shtuar gjithë kësaj panorame edhe kontekstin rajonal dhe mundësitë që Shqipëria të jetë tërheqëse për investimet e huaja, sërish premisat zhgënjejnë, siç konstaton edhe misioni i FMN-së.

Treguesit e aftësisë konkurruese të Shqipërisë mbeten prapa vendeve të tjera në rajon. Edhe pse pagat në Shqipëri janë konkurruese, klima e investimeve vuan nga një sistem tatimor me efiçencë të ulët, nivel i lartë informaliteti, mungesa e krahut të kualifikuar të punës dhe paparashikueshmërisë së kuadrit rregullator. Perspektivat e investimeve pengohen edhe nga paqartësia në titujt e pronësisë dhe një gjyqësor i korruptuar dhe joefikas. Hendeku infrastrukturor i Shqipërisë, më i larti në rajon, mbetet një pengesë e konsiderueshme për produktivitetin e ekonomisë- konstaton FMN

Nga sa thotë FMN qeveria pritet të kursejë para nga mosarritja e pagave dhe pensioneve, përjashto arsimin dhe shëndetësinë, rivlerësimi i taksës së pronës dhe ulja e informalitetit në ekonomi. Por deri ku shkojnë zgjidhet që adopton qeveria për të përmirësuar treguesit që lidhen me efikasitetin e ulët në mbledhjen e taksave dhe operimit jo efektiv në sektorin energjetik.

Në 4 vitet e shkuara dhe këtë fillim mandati të dytë shohim se nuk  shkohët më shumë sesa fushatat dhe aksionet për disiplinim pagesash, madje duke përdorur edhe policinë apo shantazhin politik mbi biznesin. Kemi një qeveri që  krenohet me reformën në sektorin energjetik, madje duke mos i kursyer superlativat për ministrin Gjiknuri, i cili prezantohet si një reformatorët më të mëdhenj në Ballkan dekadën e fundit. Por çfarë thotë FMN në raportin e fundit. 

Pas arritjeve të para mbresëlënëse, procesi i reformave ka mbetur në vend. Autoritetet duhet të përmirësojnë efikasitetin operativ, përfshirë edhe nëpërmjet fuqizimit të drejtimit të brendshëm të shoqërive dhe investime më të mirë-planifikuara. Krahas kësaj, është mirë të përshpejtohen reformat institucionale dhe të tregut, përfshirë ngritjen e një burse të energjisë, ndarjes sipas aktiviteteve të shoqërisë së shpërndarjes dhe kalimit e klientëve të tensionit të mesëm në tregun e lirë.

Çfarë  kuptohet është se qeveria nuk ka një plan të mirëfilltë për rimëkëmbjen ekonomike, por do të mbetet peng i interpretimit të shifrave që vlejnë për të kurorëzuar me retorika kalimtare sukseset e radhës për rritje ekonomike dhe hapjen e 500 mijë vendeve të punës në 8 vjet. 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.