Palaçollëku i PD-së/Pas katër vjetësh kërkon arrestimin e...Mimi Kodhelit

Postuar në 03 Tetor, 2017 11:18

Sot gazeta zyrtare e Partisë Demokratike ka në faqen e parë një titull – thirrje për arrestimin e ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ajo akuzohet për aferën e radarëve të ushtrisë që sipas PD-së, kanë shërbyer për të mbuluar trafikun e drogës, ndërkohë që firma përkatëse ka vijuar të paguhet.

Pra nga katër vite qeverisje të PS-LSI, PD-ja sot në opozitë kërkon arrestimin e ish-ministres së Mbrojtjes. Jo të Sajmir Tahirit, jo të Ilir Beqjas, as të Damian Gjiknurit, të cilët i akuzoi për qindra milionë euro vjedhje. Jo, për Mimi Kodhelin dhe aferën e radarëve. Ministren që e hoqën dhe nuk është më në asnjë ekuacion. Le të kujtojmë se aferën e radarëve e ndjek me shumë këmbëngulje Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila nuk po vuan nga humbja e çantës së Baba Takut, teksa përmes Luan Ramës publikon materiale të ndjeshme dhe çka më shumë rëndësi: shantazhuese.

Po pse shantazhohet apo bëhet presion mbi Kodhelin, të cilën tashmë e ka bërë kauzë edhe PD-ja? Kjo është e vështirë të thuhet në një vend ku sapo akuzohet dikush, popullarizohet një akuzë për dikë tjetër. Por në planin politik është e sigurtë se kjo çështje adresohet si çështje e sigurisë kombëtare dhe këtu Presidenti ka një rol të vetin për të luajtur.

Është ende herët për të thënë nëse do të kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për këtë fasadë të re, apo nëse pas saj do të detyrohet qeveria që të bashkëpunojë në mënyrë bashkëqeverisëse për luftën kundër drogës. Por fakt është se në këtë sektor ku Shqipëria është diskredituar, PD-ja dhe LSI-ja po kërkojnë një rol. Hapja e negociatave është alibia e kësaj sjelljeje, pasi është e qartë se asnjë prej të dyjave nuk dëshiron që këtë sukses t’ja lërë vetëm PS-së. E vërteta poshtë saj është patjetër një Pazar i radhës. Një konçesion aty, një ndryshim ligji atje, një tërheqje gjetkë. Apo edhe ndonjë komision i përbashkët që inkuadron shqetësimin gjenuin të opozitës dhe sidomos të Presidentit që po rri urtë dhe ka hequr dorë nga armatosja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.