Tallje dhe dështime diplomatike për shqiptarët dhe Shqipërinë

Postuar në 01 Tetor, 2017 10:41

Ja një shembull i fundit se çfarë do të thotë diplomaci efektive përballë kapardisjes me fjalë boshe. “Shenja.tv” raporton se Maqedonia do të detyrohet të heqë nga tekstet çdo gabim, stigmatizim, apo hartë me përmbajtje irredentiste ndaj Greqisë për vetëm katër muaj. Teelvizioni në fjalë raporton se ky nxitim është imponuar nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili ka negociuar çështjen e emrit, për të cilin Athina ka paralajmëruar me veto anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. 

Qeveria e Maqedonisë sipas kërkesës së Athinës zyrtare duhet që brenda katër muajve të largojë nga tekstet shkollore irredentizmin dhe hartat gjeografike në to. Kjo pasi shefi i diplomacisë greke Nikos Kotzias, dje ka kërkuar formimin e një komisioni të përbashkët greko-maqedonas, i cili nga nëntori duhet të fillojë të kryejë punën e tij. Ai ka shtuar se zgjidhja e këtij kontesti është e domosdoshmë për anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike, duke e cilësuar si hap shumë të rëndësishëm”, informon “Shenja.tv”. 

Le të kujtojmë se me këtë lloj qëndrimi, Kotzias detyroi edhe Tiranën zyrtare të negociojë me përfaqësues të zonës së Himarës për planin e ri urbanistik, duke dërguar në takim dy ministra. Një akt i turpshëm i një qeverie që nuk di të përkufizojë prerogativat e veta, përderisa takimi në fjalë e konstituon Himarën si rast të veçantë, pse jo nesër pakicë kombëtare, në kuadrin e zbatimit të ligjit shqiptar. Nuk është pa rëndësi që në takim Himara u përfaqësua nga kreu i Omonias, Bollano, duke njohur de facto statusin e pakicës greke në këtë zonë. 

Siç u pranua gjerësisht, qëndrimi i qeverisë shqiptare u kushtëzua nga Kotzias, i cili edhe në këtë rast kërcënoi me veto për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.  Si quhet ky rezultat? 
 
Por nuk është vetëm Greqia. Nëse sjellim ndërmend muajt e kaluar, Edi Rama dhe ministri i tij i Jashtëm, për pak sa nuk e shpallën veten kumbarë të stabilitetit të Maqedonisë, në të cilën zhvillohej një krizë serioze politike. Krizë ku partitë shqiptare, pas teatrit të një takimi në Tiranë, nisën të mbajnë qëndrime të forta refuzuese dhe kushtëzuese. E nëse Zoran Zaev i pranoi kërkesat për gjuhën dhe identitetin, sot që flasim, asgjë nuk ka ndryshuar  në Maqedoni. 
Krahasimisht me Greqinë, tekstet maqedone për shqiptarët vazhdojnë të jenë me të njëjtën përmbajtje. 

“Më 1 nëntor të vitit 2012, zv/ministri i Arsimit, Safet Neziri ka thënë se është duke punuar intensivisht për tërheqjen dhe përmirësimin e të gjitha gabimeve që janë paraqitur në tekstet shkollore. Ai madje pati shtuar se janë formuar komisione për disa tekste shkollore për gjeografinë, historinë dhe muzikën, për të cilat, sipas Nezirit kanë gjetur edhe mirëkuptim tek ministri i Arsimit…Gabimet në tekste shkollore vazhduan të mbeten prezente edhe në kohën kur Abdylaqim Ademi i BDI-së, u vendos në postin e Ministrit të Arsimit. Ai disa herë pati premtuar se do të bëhet evitim i gabimeve në tekstet shkollore. Ademi më 5 gusht 2014, pati paralajmëruar se gradualisht do të zëvendësohen të gjitha librat në ciklin e ulët dhe të mesëm shkollor…”, raportonShenja”.

Ka shumë arsye për këtë dhe sigurisht që nuk duhet fajësuar vetëm Tirana zyrtare. Një arsye është edhe cilësia e përfaqësimit, morali dhe dinjiteti i politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Por padyshim që Shqipëria mund të luajë diçka në këtë drejtim. Këtu çështja është se pala maqedonase nuk merr seriozisht as shqiptarët e Maqedonisë dhe as Tirannën zyrtare, me gjasë pse dihet prej të gjithë aktorëve politikë në rajon, se çfarë lloj politike luan vendi ynë. Në emër të kujt dhe sesi lëviz interesi i tij. Nuk është këtu përgjegjës  vetëm Edi Rama. Ka traditë kjo tallja e Shkupit  me Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitet ’90, kur Greqia bllokoi kalimet tregëtare të Maqedonië nga porti I Selanikut, Tirana zyrtare i hapi portin e Durrësit, por pa kushtëzuar me ndonjë gjë thelbësore. Situata e shqiptarëve të Maqedonisë mbeti keq e mos më keq deri sa në vitin 2001 pasoi konflikti i armatosur. 

Dikush  mund të thotë se në prapaskenë kanë qenë amerikanët që ishin garantë të këtij shteti qysh në krijim. Nëse është kështu, kujt i vlen atëherë kapardisja dhe mbi të gjitha di ndokush të na thotë se çfarë kanë fituar në praktikë shqiptarët nga kjo zhurmë në Facebook? Siç shihet në të dyja rastet, Maqedoni dhe Himarë, vetëm dëm është bërë.

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Nuk e kuptoj se perse nga ana juaj, njohja e minoritetit grek ne Himare, konsiderohet si dem?!

Submitted by redaksia on

Nuk konsiderohet aspak dem. Por kjo njohje mund te vinte ne menyre te natyrshme, jo nen pozitat e presionit te huaj. Eshte dicka qe nuk sherben mire per asnje pale. Nuk po permend ketu qendrimet e kesaj qeverie per kete ceshtje, pasi nuk kemi pse te humbasim kohe. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.