Çfarë po ndodh me Vjosën? Gjermanët e quajnë karikaturë studimin mjedisor të kompanisë turke

Postuar në 01 Tetor, 2017 17:08

Ndërtimi i hidrocentralit në Poçem shihet nga shkencëtarët gjermanë dhe ata austriakë si kërcënimi më i madh për shkatërrimin e biodiversitit të rrallë natyror që shtrihet përgjatë lugines së lumit Vjosë. Gazeta greke "To Vima" ka ndjekur nga afër ekspeditën e një grupi shkencëtarësh të Agjencisë Mjedisore Riverwatch në Vjenë dhe EcoAlbania në Tiranë.

Friedrich Simmer, profesor i zoologjisë në Universitetin e Vjenës e quan "karikaturë" studimin për ndikimin në mjedis që kompania turke “Kovlu Energji” ka dorëzuar si pjesë të projektit. Ai thotë se studimi hartua në konsultë me një firmë private në Tiranë.

"Pjesë të mëdha janë kopjuar nga studime të tjera. Hulumtimi në terren nuk ka ndodhur kurrë"- thotë ai.

Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por ligji gjithashtu kërkon studime të ndikimit në mjedis për projekte të mëdha si diga, shton ai më tej.

Së bashku me biologët shqiptarë, Simer ka organizuar një program për regjistrimin e florës dhe faunës në zonën e kërcënuar nga diga. Gjeologët matën shtratin e lumit deri në milimetrin e fundit, duke vënë në dukje madhësinë e zhavorrit dhe strukturën e sedimentit.

"Kemi pasur vetëm një ide të paqartë se çfarë speciesh mund të gjejmë këtu"-thotë Simer. Gjatë një periudhe prej tre ditësh kemi kapur 20 lloje të ndryshme speciesh në ujë, në mesin e të cilave ngjala dhe një levrek prej 50 centimetrash. Simer nuk është i familjarizuar me shumicën e specieve dhe i liron pothuajse të gjitha pas një ekzaminimi të shkurtër. Edhe peshkatarët e fshatrave përreth janë habitur nga kapjet e rralla.

"Nëse diga do të ishte atje, asnjë peshk nuk do të kishte mbërritur aq lart në lumë nga  Adriatiku. Deri më tani, Viosa rrjedh lirshëm, nuk është bllokuar nga ndërtimi i ndonjë dige. Edhe dy degët e saj, me dy përjashtime, janë të lira nga digat. "Kjo është diçka unike në Evropë"-thotë shkencëtari gjerman.

Ka pak ironi për faktin se studiuesit nga Gjermania dhe Austria po përpiqen të mbajnë një lumë të virgjër, kur lumenj si Danubi dhe Rhein janë plot diga.

"Kërkojmë shumë nga shqiptarët", pranon një shkencëtar gjerman. "Në vendet tona askush nuk kujdeset për të shpëtuar lumenjtë e virgjër".

Pra, pse të mos lejojmë shqiptarët të bëjnë atë që është bërë kudo në Evropën Perëndimore? "Kur ndërtuam diga hidroelektrike në lumenjtë tanë, ne nuk dinim shumë për dinamikën e këtyre sistemeve"- shpjegon Simer. "Vetëm në 20 apo 30 vitet e fundit kemi filluar të kuptojmë se sa të rëndësishme janë për natyrën lumenjtë e paprekur. Ne duam që shqiptarët të mos përsërisin gabimet që kemi bërë ne" thotë Simer.

Shqipëria prodhon energjinë elektrike pothuajse tërësisht nga hidrocentralet - dhe kërkesa po rritet. Ndërsa pothuajse çdo fshat tani ka energji elektrike, mushkat ende përdoren gjerësisht për transport dhe shumë nga rrugët janë në gjendje të keqe. Nën rrethana të tilla, çdo investitor është i mirëpritur, edhe nëse planet e tij mund të dëmtojnë natyrën. Sipas Riverëatch, 500 hidrocentrale të vegjël që kërkojnë diga janë planifikuar vetëm për Shqipërinë dhe pothuajse 3,000 në të gjithë rajonin e Ballkani.

http://www.tovima.gr/world/article/?aid=904290

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.