Secili me hallin e vet në PD

Postuar në 29 Shtator, 2017 20:33

Partia Demokratike doli nga zgjedhjet e 25 qershorit me 200 mijë vota minus dhe duket se halli i vetëm që ka është të mbetet në lojën e pushtetit, qoftë edhe duke mbajtur qoshen e opozitës. Ajo që kuptohet është se qëndrimet nuk nisen nga premisa demokratike për të vendosur një raport sa më të drejtë të përfaqësimit opozitar në parlament, por nga llogari personale që nisin nga kryetari dhe dhe përfundojnë  deri tek enturazhi që hyri qoftë edhe rastësisht në politikë.

Dhe atë që PD nuk mund ta arrijë me votë për aq kohë se në krye do ketë Lulzim Bashën,  kërkon ta bëjë përmes formulave ligjore që imponon kodi zgjedhor.  Vetë Lulzim Basha është shprehur për një rikthim te mazhoritari dhe zvogëlim të trupës parlamentare nga 140 në 100 deputetë, formulë që i jep shance PD-së të  mos penalizohet nga partia e tretë, por me një pazar eventual të fitojë mandatin që me sistemin proporcional e humbiste automatikisht.

Por ky variant duket se lë të pakënaqur brenda vetë PD-së. Nënkryetari i grupit parlamentar Oerd Bylykbashi i njohur edhe si një nga ekspertët më të mirë zgjedhorë të Partisë Demokratike ka dalë hapur kundër një sistemi mazhoritar me argumentin se kjo formulë u hap rrugën hyrjes së biznesmenëve në politikë.

 “Një sistem mazhoritar është përfaqësues, një sistem proporcional me listë të mbyllur, siç e kemi ne është po aq përfaqësues sa mazhoritari, madje dhe më shumë. Sisteme të tjera po ashtu. Çështja është si e përdorim ne sistemin zgjedhor. Mund të përdorim një sistem mazhoritar që u hap derën…dhe ky ishte rreziku prandaj e hoqëm komponentin mazhoritar në 2008-ën…pra u hap derën kriminelëve dhe biznesmenëve (me para që nuk i kanë nga djersa e ballit), të futen në Parlament dhe të mos ketë më vend për politikanë karriere që nuk kanë mundësi të shpenzojnë para në zgjedhje dhe këtë e mundëson mazhoritari në kushtet e Shqipërisë. Po aq sa çke një sistem proporcional si ky që kemi ne, me listë të mbyllur, që i përdorur mirë, pra kur lista centrohet në mënyrë perfekte nga lidershipi i një partie, është shumë përfaqësues, është shumë i suksesshëm dhe ajo listë me rend të mbyllur të përfaqësojë bazën dhe elektoratin dhe të japë rezultat fitues” – ka thënë Bylykbashi për Abc Neës.

Kuptohet që meraku është se me një mazhoritar të pastër, figura të tilla si Bylykbashi mund të mos zgjidhen më deputet, pasi PD mesa duket e ka bindje se elektoratin e bind paraja dhe jo programet dhe platformat.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.