PS-ja, zyrtarisht në regjim kazerme

Postuar në 27 Shtator, 2017 09:40

Dje Partia Socialiste u dhuroi atyre shqiptarëve që patën nerva ta ndjekin, një shfaqje tipike të atyre takimeve të hapura që ishin harruar prej dekadash. Njerëz që mblidhen me shqetësimin e madh për ecurinë e punëve të Shqipërisë, a thua gjërat e rëndësishme vendosen në mbledhje të kësaj natyre.

Lehtësia me të cilën imponohet në media kjo hipokrizi, është edhe metri i vërtetë i arrogancës ku ka mbërritur pushteti aktual.

Në tesktin e marrëveshjes që synon të vendosë në pozita pune dhe bashkëpunimi, qeverinë dhe Grupin Parlamentar të PS-së, përkufizohen terma apo funksione që duken thuajse si kontradiksione logjike. 

Hartues i qëndrimeve strategjike”; “Organizatorët e debatit”; “Ndërtuesit e konsensusit”; “Kujdestarët e marrëdhënieve brenda grupit dhe me anëtarët e kabinetit”; “Ndërlidhësi komunitar”; “Filtruesit e kandidaturave”. Ja disa funksione të reja që pas emërtimeve komike, sikur të bëhej fjalë për një konvikt adoleshentësh, qëndron nevoja për të disiplinuar çdo gjë. Çdo fjalë, çdo frymëmarrje.

Me këtë marrëveshje, PS-ja ka hedhur në kosh përkufuzimin bazik të një partie politike që konsiderohet “bashkim vullnetarësh”. Ky shtrëngim prej kazerme nuk i përgjigjet paradigmës në fjalë dhe e çon PS-në në kulturën e kazermës. Kjo nuk është e huaj për një parti që burokratizimin e ka kulturë, por ajo heq çdo shpresë për demokratizimin e saj. Po flasim për një nga forcat kryesore në Shqipëri, që priret të infektojë çdo mjedis social me modelet që rekomandon me forcën e pushtetit.

Por ka edhe një aspekt tjetër që vjen në vështrim. Sot PS-ja përbëhet nga një masë anonime deputetësh, zgjedhje personale e Edi Ramës, një masë po aq anonime drejtorësh të cilëve qameti u thuhet jep dorëheqjen se ke bërë kërdinë, dhe dy apo tre njerëzve me identitet politik që vendosin për gjithçka. Edi Rama, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa apo edhe Taulant Balla, janë një brez i ngushtë njerëzish që vendosin dhe dinë gjithçka aty brenda. Poshtë tyre një armatë pohuesish, me vlerë vetëm elektorale.

Kuadri i marrëveshjes mund të kishte njëfarë vlere apo objektiviteti nëse PS-ja do të kishte në gjirin e vet disa emra parlamentarësh, që dinë dhe duan të jenë pjesë e debatit politik, që kanë identitet dhe autoritet. Policentrizmi I një partie edhe mund ta bënte të kuptueshëm këtë inkastrim me rregullore, por në kushtet e tanishme, kur edhe qeveria është e mbushur me ministra që diinë vetëm të luten për Edi Ramën, kjo nuk ka kuptim. Ose ajo na zbulon një tjetër gjë: nevojën për të caktuar disa njerëz aktivë që do të flasin për çdo gjë, në kushtet e një grupi parlamentar që ndoshta nuk e ka idenë e procedurave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.