Pro fraksioneve, por të tilla nuk ka

Postuar në 26 Shtator, 2017 08:23

Kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, ka dhënë dje një përgjigje për çështjen e fraksioneve. Ndonëse natën e mbledhjes së kryesisë ai deklaroi para gazetarëve se “sa të jem unë në PD, nuk do të ketë fraksione”, mbrëmë ai u shfaq më i “aryseshëm” në refuzimin e tij. I pyetur në emisionin “Studio e Hapur”, ai tha:

Mbaj mend që jam përgjigjur për fraksionet në PS në vitin 2005. Unë kam thënë se ka fraksione bananesh, çeliku. Pra çfarë janë fraksionet? Nëse bëhet fjalë për të mbrojtur interesat e grupimeve të ndryshme jemi të hapur për këdo që të kontribuojë, por ky nuk është fraksion. Vendimet në PD-së merren sipas normave statuore. Partia ka norma dhe gjithkush gjen veten.

Synimi im është që vendimmarrja të shkojë tek anëtarësia dhe ky është modeli më i mirë që ka edhe perëndimi. Mendim ndryshe do ketë dhe ka pasur vend në PD. Stili i Berishës ka qenë ndryshe dhe nuk duhet të ngatërrohet qëllimi ndryshe me synimet. Pasi ka edhe njerëz që i shërbejnë kundërshtarit dhe jo partisë që përfaqëson. Ne jemi të hapur ndaj mendimit ndryshe dhe mendimit kritik. Të qenit demokrat nuk lidhet me kolltukun e deputetit

Recitali i zakonshëm. Z. Basha duket se e ka ndarë mendjen që ta mbajë tepsisë e partisë të gjithën për vete. Sepse teksa i referohet statutit të partisë, ai “harron” se një nga kritikat kryesore, ajo që edhe ngacmoi reagime të shumta, ishte pikërisht shkelja e statutit me vetëngrirjen në detyrë që zotëria bëri sapo mori shuplakën e 25 qershorit. Statuti vlen për të gjithë dhe jo vetëm për një palë. Nga ana tjetër, mendimi ndryshe sot në këtë parti, konsiderohet si armiqësi nga njëra palë dhe ciladoqoftë teza e z. Basha, përjashtimi në bllok nga listat e deputetëve të disa figurave të partisë, nuk mund të argumentohet me asgjë përveçse si llogari politike. Dhe ai vendim u mor me dritëshkurtësi në kontekstin e “forcës” që ndjeu kryetari pas marrëveshjes së 18 majit.

Ndryshimi i tonit që kryetari i PD-së shfaq nga një dalje mediatike në tjetrën, reflekton pasigurinë e tij dhe faktin se pas “sportivitetit” në përgjigje për çështje të ndryshme, fshihet ndoshta një presion shtypës që rrjedh nga disa gabime politike rresht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.