Tirana zyrtare ul tonet me Greqinë. Bushati njofton takim të afërt zyrtar me homologun grek

Postuar në 22 Shtator, 2017 09:28

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka folur gjatë një interviste për Zërin e Amerikës edhe për marrëdhëniet me Greqinë, të cilat arritën nivelin më të ulët në katër vitet e fundit. Në këtë drejtim Bushati nuk ka patur ç’të thotë shumë dhe ka përsëritur suksesin e arritur në fillim të mandatit të parë të qeverisjes socialiste me çështjen e toponimeve.

Janë bërë disa hapa konkrete përpara si për sa i përket marrëveshjes për toponimet apo çështje të tjera që kanë ndjeshmëri për qytetarët tanë. Kemi shkëmbyer pikëpamje, kemi ngritur një mekanizëm komunikimi në nivel zëvendësministrash ku të gjitha çështjet janë vënë në tryezë. Tani jemi në një moment përcaktues ku së bashku me homologun Kotzias do të ulemi së bashku me një grup ekspertësh për t’i trajtuar në një gjykim dhe më politik këto çështje dhe për t’i dhënë zgjidhje e më pas për t’ua prezantuar kryeministrave të vendeve tona ato çështje të cilat meritojnë një zgjidhje gjithnjë bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në frymën europiane që duhet të forcojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë”, tha ministri Bushati.

Takimi i afërt i tij me Kotzias është i pari në nivelin politik që pritet të zhvillohet pas tensioneve të dy viteve të fundit që erdhën edhe si pasojë e instrumentalizimt nga kryeministri shqiptar i temave të ndjeshme. Bushati ka deklaruar se nuk mendon se Greqia do të kushtëzojë j perspektivën europiane të Shqipërisë, duke shtuar se në këtë drejtim po punon edhe qeveria shqiptare.

“Siç u bë e qartë dhe gjatë prezantimit të programit qeveritar nga kryeministri Rama, çka pasqyrohet dhe në pjesën e programit për politikën e Jashtme, ne jemi të interesuar për të kyçur në një marrëdhënie realisht strategjike me Greqinë, në një marrëdhënie e cila respekton të drejtën ndërkombëtare dhe frymën europiane e që sjell zgjidhje të drejta për të dyja palët. Prandaj në momentet që flasim kemi rënë dakort për një kalendar të qartë aktivitetesh që do të përfshijë jo thjesht burokratët dhe pjesën teknike të dy vendeve por dhe pjesën politike me synim që të përshpejtojmë rrugën e zgjidhjeve për një pjesë të mirë të problematikave që ende e mbajnë larg pritshmërive marrëdhëniet shqiptaro greke”, tha ai.

https://www.zeriamerikes.com/a/4038633.html

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.