Privatizimi i vulës së një partie

Postuar në 22 Shtator, 2017 08:58

Nga mbledhja e djeshme e kryesisë së PD-së, mbetet si lajm vetëm njoftimi i kryetarit me vulë Lulëzim Basha, në pronconcimin për gazetarët: 

Sa kohë të jem unë në krye të PD nuk do të ketë fraksione, por do të këtë hapësirë për këdo demokrat që të punojë për qëllimin e përbashkët. Është qëllim kombëtar për të çliruar vendin nga zgjedha e krimit”, tha Basha.

Një deklarim kategorik i një njeriu që nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen katastrofike në zgjedhje, ndërkohë që sot premton analizën në parti. Mund të pyetet, nëse Partia Demokratike është vërtet demokratike, mbi cilat fuqi dhe atribute, një njeri i vetëm, qoftë ky edhe kryetari, i vë vizën dhe vulën një procesi diversifikimi që mund të jetë kërkesë e shumë anëtarëve të kësaj partie? Nëse sot në këtë parti ka nisur një analizë dhe do të ngrihet një komitet për rishikimin e statutit të saj, pse vallë kryetari përjashton me një direktivë konstituimin e fraksioneve që janë praktikë e kudogjendur në parti të ndryshme në Europë?

Z. Basha thotë “sa kohë të jem unë”. Dështimi i tij i paprecedentë e pyet sot përmes refuzimit të përgjithshëm të gënjeshtrave që ai përhap për të fituar kohë: Sa të jesh çfarë? Kryetar i kujt? I PD-së? Po nëse PD-ja vetë është aktualisht një fraksion i asaj që more në dorëzim, çfarë premtimi është ai ndalimi i fraksioneve?

Në Shqipëri eksperimenti politik i partisë së disiplinuar rreth një lideri – kur ka patur të tillë – nuk dha rezultate afatgjata. Fraksioni nuk është shpërbërje, por pariimisht, rregullator i demokracisë së brendshme dhe mbi të gjitha, paradigmë e një rotacioni në parti dhe dialogut të vërtetë brenda saj.

Demokracia në PD, sot nuk garantohet nga humori i Lulëzim Bashës, apo pse ai vuan nga inflacioni i buzëqeshjes. Ajo garantohet me krijimin e kushteve stautore për një hapësirë të re për të gjithë. Z. Basha nuk ka as stofin, as kapacitetin e një imponimi autoritar. Ai madje mund të thuhet se nuk ka as ambicjen për të sjellë PD-në në pushtet, përderisa i intereson vetëm axhenda e tij. Për këtë arsye krijimi i fraksioneve është i dobishëm dhe mbi të gjitha i shkon PD-së si forca e parë e pluralizmit që ta hedhë këtë hap. Z. Basha nuk është një politikan. Ai merret me politikë. Atë e ulën aty ku e ulën siç ka ndodhur jo rrallë në këtë vend të dështuar. Ai është njeri i interesave personale, ekonomike dhe jo vetëm. Pak rëndësi ka kjo. Si një njeri që i kupton interesat, ai duhet ta dijë se pas vullnetit për fraksione dhe për diversitet qëndrojnë edhe interesa të tjera të cilat një lider i kohës sonë vetëm sa i menaxhon në një hapësirë.

Nuk jemi në kushtet e 1997-ës, apo vitit 2000 kur fraksioni kërkohej nisur nga motive më parimore. Janë interesa. Askush nuk do dhe nuk ka kohë të dëgjojë bilbilin e Lulëzim Bashës deri në lodhje, as recitimin e tij politik bosh dhe pa kuptim. Kontributi që sot ai kërkon nga të gjithë shqiptarët, duhet të garantohet me shprehi institucionale. Përndryshe, mbaje atë vulë dhe i pafsh hajrin!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.