Tërheqje e përkohshme: "Ligji për importin e mbetjeve do të rishikohet"

Postuar në 21 Shtator, 2017 09:16

Eduard Shalsi, nismëtari i ligjit për importin e mbetjeve ka dhënë një intervistë për “Report Tv”. Ai komenton zhvillimet e fundit, duke u përpjekur të sqarojë paqartësitë juridike mbi tërheqjen e qeverisë nga nisma e cila për opozitën duhet zgjidhur duke votuar dekretin e presidentit Nishani. Më poshtë intervista:

Përse u tërhoq projektligji, presion nga qytetarët apo prapaskenë?

Ligji është iniciuar nga një legjislaturë, të kaluarën, ka edhe një opinion të Presidentit, që nuk është më, pasi kemi një President tjetër. Kemi dy rrethana që kanë ndryshuar, nuk kemi më të njëjtin grup deputetësh. Praktika e kërkon që dekretet që nuk janë shqyrtuar nga legjislatura e kaluar nuk duhet të jenë në rendin e ditës. Gjatë dëgjesave që kemi bërë, ajo tymnaja mbi mbetjet ende nuk është davaritur, retë e dyshimit dhe helmatisja masive që në grup njerëzish, sharlatanësh dhe abuzuesish arritën të krijojnë një gjendje, që ne gjykojmë që duhet të vijojë të diskutohet edhe më shumë. Ne votat i kemi. E gjithë pjesa e diskutimit nuk është kuptuar sa duhet, prandaj e tërheqim nisëm.  

Por ligji ishte në kalendar...

Kalendari është një paraqitje apo mbartje nga legjislatura e kaluar. Në bllok të gjithë iniciativat, kemi tërheqje të tjera, përveç mbetjeve kemi edhe një tjetër dekret, ai i Dhomave të Tregtisë. Është gjykuar, që është në kontekstin e ri, ne kemi një ministri që do i mbulojë nga disa që ishin më parë. Tani do i mbulojë Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, e cila do të jetë përgjegjëse. Sot kemi një kontekst të ri. Njerëzit ranë në propagandën e plehërave, por ky ligj vetëm me plehërat nuk merret. Është më mirë të tërhiqemi dhe të vijojmë betejën, që ka edhe një synim, pastrimin e Shqipërisë nga plehërat.

Kjo ishte tërheqje e vetë Ramës apo edhe në konsultë me ju si iniciator i ligjit?

Nuk besoj që është e rëndësishme kjo. Por e rëndësishme është se të gjithë jemi dakord për tërheqjen e iniciativës.

Do të kemi një ligj të ri, pasi të konsultoheni?

Iniciativa kishte të bënë me dhënien e oksigjenit për industrinë ricikluese që të mos falimentonte. Strategjia po rishikohet, ka shumë modele, nuk jemi si në 2013, por kur kemi disa modele, landfillin e Maliqit, impiantin e Elbasanit, disa koncepte më të qarta. A ka ardhur koha për të rishikuar ligjin? Ndoshta po! Kjo do të dalë nga diskutimet që do të bëhen.  

A do të merreni ju me këtë ligj?

Ne si komision, unë Besnik Bare dhe një grup jemi të interesuar që trajtimin e mbetjeve të fusnim në një diskutim serioz. Ftoj që të bëhen pjesë e debatit njerëz profesionistë, cilësor, larg cdo lloj teatri dhe tymnaje.  Sa mund të jetë koha që duhet për ligjin e ri? Është e parakohshme që të flasim. Do jetë një ministri që do të rakordojë masterpanin dhe politikat e mbetjeve...

Çfarë ndodh me dekretin e Nishanit tani, është nul?

Ka qenë një debat në fakt edhe nga pikëpamja ligjore. Kemi një parlament, të kaluarin që e ka përmbushur misionin, sot kemi një president të ri dhe ndoshta as nuk duhet futur në kalendar, por gjithsesi ka edhe një Këshill i Legjislacionit, që mund të marrë një vendim. Por iniciativa nuk do të shqyrtohet më.

Intervista/Shalsi: Ligj të ri për menaxhimin e... by 3-14-15-92

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.