Prishja e marrëveshjes bërthamore, një mundësi e humbur për botën*

Postuar në 21 Shtator, 2017 16:22
Hassan Rouhani - President i Republikës Islamike të Iranit

Katër muaj më parë, më shumë se 41 milionë njerëz që përbëjnë 73% të qytetarëve iranianë që kanë të drejtë vote iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhjet e 12-ta presidenciale dhe sërish, ata shprehën besim për platformën time, që bën thirrje për moderim në respekt të të drejtave të njeriut,  prosperitetit dhe ringjallërimit ekonomik në Iran si dhe angazhimit konstruktiv në botë.

Vota e tyre manifeston maturinë e elektoratit në një shoqëri që ka përjetuar qeverisje të lirë dhe demokratike për vetëm katër dekada. Kjo nuk ishte thjesht një votë për një president, por një investim i madh politik nga popullsia jonë, një popull i aftë të ringrihet, që është edhe aseti ynë më i besueshëm.

Të drejtat e njeriut dhe ato të qytetarëve, bashkë me përpjekjen për drejtësi dhe vlerat islamike përbëjnë kërkesat më kryesore të popullit iranian në më shumë se 150 vjet betejë, sidomos në revolucionin islamik të vitit 1979.  Gjatë mandatit të parë, duke vijuar negociatat ndërkombëtare për çështjen bërthamore, brenda Iranit u përqendrua në diskutimin dhe artikulimin e të drejtave të qytetarëve që çoi në shpalljen e kartës së të drejtave të qytetarëve dhe nisja e zbatimit të saj.

Adoptimi i kësaj karte i përgjigjej kërkesave të një populli që u ngrit kundër regjimeve diktatoriale me aspiratën e rivendosur të drejtat dhe dinjitetin e vet, 111 vjet më parë me revolucionin kushtetues dhe sërish, me revolucionin islamik, 39 vjet më parë.

Zonja dhe zotërinj, deklaroj sot para kësaj asambleje botërore se moderimi është dispozita dhe shtegu i zgjedhur i popullit të madh Iranian. Moderimi nuk kërkon as izolim dhe as hegjemoni. Moderimi nuk nënkupton as indiferencë dhe as intrasigjencë. Shtegu i moderimit është shtegu i paqes. Por i një paqeje të drejtë dhe përfshirëse, jo paqe për një shtet dhe luftë e trazira për të tjerë.

Moderimi është liri dhe demokraci, por në një mënyrë përfshirëse dhe jodiskriminuese. Jo duke pretenduar se promovon lirinë në një vend, ndërkohë që mbështet diktatorët gjetkë. Moderimi është sinergji e ideve dhe jo vringëllim shpatash. Dhe në fund, shtegu i moderimit shqen bukurinë. Eksporti i armëve vdekjeprurëse nuk është gjë e bukur. Paqja është e bukur. Ne në Iran përpiqemi që të ndërtojmë paqen dhe promovojmë të drejtat e njeriut për popujt dhe kombet. Ne nuk e falim kurrë tiraninë dhe përherë mbrojmë të pafuqishmit. Nuk kërcënojmë askënd, por as tolerojmë të tjerët të na kërcënojnë. Diskursi ynë është ai i dinjitetit dhe respektit. Dhe nuk tutemi nga kërcënimet dhe intimidimi. Ne besojmë në dialogun dhe negocimin bazuar në barazi dhe respekt të ndërsjellë.

Në botën e sotme të globalizuar, paqja, siguria, stabiliteti dhe përparimi i të gjitha kombeve është i ndërlidhur. Është e pamundur që një regjim mashtrues dhe racist merr nëpër këmbë të drejtat më bazike të palestinezëve dhe rezervave të këtij vendi…Është thjesht e pamundur për këdo që të aspirojë përparim afatgjat, paqe dhe zhvillim ndërkohë që njerëz në Siri, Jemen, Bahrain dhe gjetkë jetojnë në mjerim, luftë dhe varfëri. Z. President, përgjatë historisë së tij, Irani ka qenë bastion i tolerancës për shumë besime fetare dhe etni. Ne jemi po ata njerëz që shpëtuan hebrejtë nga skllavëria babilonase, pritëm krahëhapur mes nesh, armenët kristianë dhe krijuam kontinentin kulturor iranian me një përzierje unike të besimeve fetare dhe etnive të ndryshme

Unë përfaqësoj po atë Iran që ka ndihmuar historikisht të shtypurit. Shekuj më parë ne mbështetëm të drejtat e popullit hebre dhe sot ne këmbëngulim në rikthimin e të drejtave për popullin palestinez. Irani është ende ai vend që mbështet drejtësi dhe kërkon qetësi. Sot ne jemi në ballë të luftës kundër terrorit dhe ekstremizimit fetar në Lindjen e Mesme. Jo për arsye sektare dhe politike, por për arsye humamitare dhe strategjike.

Irani nuk synon të restaurojë perandorinë e tij antike, imponojë besimin e tij fetar zyrtar mbi të tjerët, apo të eksportojë revolucionin përmes forcës së armëve. Ne kemi kaq shumë besim në thellësinë e kulturës sonë, vërtetësinë e fytyrës sonë dhe vendosmërinë dhe jetëgjatësinë e revolucionit tonë, saqë ne nuk do të kërkojmë kurrë të eksportojmë ndonjë prej tyre në mënyrën sesi neokolonialistët bëjnë me çizmet e rënda të ushtarëve.

Në promovimin e kulturës sonë, qytetërimit, besimit fetar dhe revolucionit, ne trokasim në zemrat dhe angazhojmë mendjet. Ne rezitojmë poezinë tonë dhe diskutojmë për filozofinë tonë. Poetët, mistikët dhe filozofët janë ambasadorët tanë. Ne kemi mbërritur në këto brigje të Atlantikut përmes Rumiut dhe përhapur ndikimin tonë në Azi përmes Sadiut. Ne e kemi kapur tashmë me Hafizin. Ne nuk kemi nevojë pra për pushtime.

Shkëlqesi, thirrja për moderim vjen nga një komb që ka qenë i përkushtuar ndaj tij. Ne nuk po predikojmë, por po e praktikojmë atë. Plani i Përbashkët i Veprimit është një shembull në këtë pikë. Marrëveshja është fryt i dy viteve negociata intensive shumëpalëshe, të përshendetura nga komuniteti ndërkombëtar dhe të miratuara nga Këshilli i Sigurimit si pjesë e Rezolutës 2231. Si e tillë, ajo i takon komunitetit ndërkombëtar në tërësinë e vet dhe jo vetëm një apo dy vendeve. PPV mund të kthehet në një model për ndërveprimet globale, bazuar në angazhimin e ndërsjellë konstruktiv mes nesh të gjithëve. Ne i kemi hapur dyert tona ndaj angazhimit dhe bashkëpunimit. Ne kemi përfunduar disa marrëveshje zhvillimi me vende të zhvilluara si të Lindjes, ashtu edhe të Perëndimit.

Fatkeqësisht, disa e përjashtuan veten nga kjo mundësi unike. Ata kanë vendosur sanksione, në të vërtetë kundër vetes dhe tani ndihen të tradhëtuar. Ne nuk u mashtruam as mashtruam ndonjë. Ne vetë e kemi përcaktuar shkallën e programit tonë bërthamor. Ne nuk kërkuam kurrë të përdorim armët bërthamore për deterrencë – frenim. Ne e kemi imunizuar veten përmes dijes sonë dhe çka është më e rëndësishme përmes aftësisë reaguese të popullit tonë. Ky është talenti ynë dhe qasja jonë. Disa kanë shpallur se kanë dashur të mos lejojnë që Irani të ketë armë bërthamore, armë të cilat ne vazhdimisht dhe me zë të lartë i kemi refuzuar. Dhe sigurisht, ne nuk kemi qenë dhe as jemi të nervozuar pse pengohemi në një sipërmarrje që nuk e kemi patur kurrë qëllim. 

Zonja dhe zotërinj, vetëm imagjinoni për një moment sesi do të dukej Lindja e Mesme nëse Plani i Përbashkët i Veprimit nuk do të përmbyllej. Imagjinoni se krahas luftërave civile, terrorit, makthit humanitar dhe krizave komplekse socialpolitike në Azinë Perëndimore të kishte aty edhe një krizë të qëllimshme bërthamore. Si do t’ia bënim të gjithë ne?

Deklaroj para Jush se Republika Islamike e Iranit nuk do të jetë vendi i parë që do të shkelë marrëveshjen, por do të përgjigjet me vendosmëri ndaj dhunimit të saj nga çdo palë. Do të ishte për të ardhur me të vërtet keq nëse kjo marrëveshje do të shkatërrohej nga batakçinj që sapo kanë futur këmbët në botën e politikës. Bota do të humbiste një mundësi, por një sjellje e tillë nuk do ta pengojë kurrë kursin e progresit të Iranit. Duke shkelur mbi angazhimet e veta ndërkombëtare, administrata e re e SHBA vetëm sa shkatërron besueshmërinë e vet dhe minon besimin ndërkombëtar në negocimin me të. Duke mos pranuar fjalën apo premtimin e saj

Zonja dhe zotërinj, katër vjet më parë Republika Islamike e Iranit mbështeti në këtë asamble nismën e botës kundër dhunës dhe ekstremizmit. Ne konsideronim se dialogu dhe negociatat bazuar në një paradigmë përfituese si të vetmen rrugë drejt kriave globale. Ne kemi marrë një vendim të ndërgjegjshëm për të fuqizuar lidhjet me fqinjët tanë dhe rritur bashkëpunimin me të gjitha vendet mike. Është e pamundur të ecësh përmes sfidave komplekse dhe të rrezikshme në këtë fazë të trazuar dhe tranzitore globale pa zgjeruar shkëmbimet ndërkombëtare dhe pa institucionalizuar dialogun mes kombeve dhe shteteve. Retorika injorante, absurde e urrejtjes, mbushur me hamendësime qesharake të pabaza që u shpalos para kësaj asambleje dje, jo vetëm që nuk ishte e përshtatshme për t’u dëgjuar në OKB, që u themelua për të promovuar paqen dhe respektin mes kombeve, porn ë të vërtetë bie në kontradiktë me kërkesat e kombeve tona ndaj kësj trupe botërore që të afrojnë qeveritë kundër luftës dhe terrorit.

Do të doja të nënvizoja këtu se kapacitetet mbrojtëse të Republikës Islamike të Iranit përfshirë rraketat tona janë vetëm si paralajmërim mbrojtës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe parandalimin e prirjeve aventureske nga aspirantë iracionalë. Ne nuk mund të harrojmë se civilët në shumë prej qyteteve tona  u bënë shënjestra të sulmeve me raketa me rreze të gjatë nga Saddam Hussein, gjatë agresionit të tij 8 vjeçar kundër nesh. Ne nuk do të lejonmë asnjëherë që populli ynë të bëhet sërish viktimë e delireve të tilla katastrofike. Ndarjet në rajonin tonë vetëm sa janë thelluar, kjo nga dora e aktorëve dhe fuqive të huaja që përpiqen të shesin sa më shumë nga armët e tyre vdekjeprurëse shteteve të tjera, ndërkohë që akuzojnë Iranin se nxit destabilizimin. Dua të sjell në vëmendje se ndërhyrja e huaj dhe imponimi i vullnetit të huaj mbi njerëzit e rajonit vetëm sa do të zgjerojë dhe thellojë krizat në të. Krizat në Siri, Jemen, Bahrein nuk kanë zgjidhje ushtarake dhe mund të zgjidhen vetëm përmes ndalimit të dhunës dhe respektimit të vullnetit të popullatave. Qeveria e SHBA duhet t’i shpjegojë popullit të vet se përse shpenzimi i miliona dollarëve asetesh që i përkasin atij populli dhe rajonit tonë, në vend se të kontribuonin në paqe dhe stabilitet vetëm sa ka sjellë luftë, mjerim, varfëri dhe rritjen e terrorizmit dhe ekstremizmit.

…Zonja dhe zotërinj, nëse ne besojmë me të vërtetë në vendimmarrjen tonë kolektive…ne mund ta kthejmë diskutimin e imponimit, unilateralizmit, intimidimit dhe luftës në logjikën e dialogut, sinergjisë dhe paqes, në mënyrë që moderimi të mund të bëhet zëri dominues në mbarë globin.

Shënim: Fjala e presidentit iranian Hassan Rouhani në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka patur jehonë në shumë media, qoftë për shkak të përqendrimit të saj te moderimi dhe ulja e toneve, qoftë për faktin se ajo ishte një përgjigje e matur ndaj fjalës së presidentit amerikan Donald Trump që u shfaq me tone kërcënuese në Asamblenë e OKB-së. Menduam ta përkthejmë me disa shkurtime nisur nga rëndësia e saj në debatin e sotshëm për një nga krizat kryesore në botë. Rouhani ka shmangur termat përgjithësues pezhorativë, duke u treguar i kujdesshëm që të flasë për "regjimin sionist" dhe jo "Izraelin", apo për "administratën amerikane" në vend të "Amerikës", siç bënte shpesh paraardhësi i tij Ahmedinexhad. 

http://www.haaretz.com/middle-east-news/iran/1.813519

*Titulli i ResPublica

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje fjalim paksa me tej se i zakonshem i nje lideri shteteror, mbajtur ne OKB (UNO), qe besoj se pak do te ndikoje ne planet e kapitalit te madh nderkombetar perendimor. Irani ka rreth 40 vjet qe hodhi ate valle idiotesh qe i percaktoi perendimi, dhe tani do te kete mundesine te perplaset me idiote perendimore, si Trumpi, i cili e di rolin e tij prej idioti, pra njeriu te dukshem e qe do te lere gjurme, packa se si! Fatkeqesi per Iranin, qe nuk ka as edhe nje shtet tjeter mbrojtes!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.