Kundërshtitë e “opozitës së re” për konçesionin e pullave për barnat

Postuar në 21 Shtator, 2017 17:39

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së denoncoi përmes facebook-ut futjen në kalendarin e punimeve të kuvendit të rishikimit të kontratës konçesionare për pullën fiskale të barnave. Vasili thotë se kjo është një tjetër taksë që qeveria e Edi Ramës po vendos mbi shëndetin e shqiptarëve dhe i bën thirrje kryeministrit të tërhiqet.

“Kryeministri nga ligji i dekoratave edhe tërhiqet, por kur vjen puna te ligjet që u hanë lekët dhe i varfërojnë qytetarët dhe pasurojnë të tjerët me koncesione, ai nuk tërhiqet kurrë”-thekson Vasili. Por jo më kot ish-kryetari i LSI-së bën një analogji me ligjin dekoratave, nga i cili qeveria u tërhoq për ta diskutuar me publikun. Kjo pasi rishikimi i kontratës konçesionare për pullat fiskale të barnave është një projekligj që  është  dërguar në Parlament në 13 tetor të 2016, kur LSI ishte në qeveri me socialistët. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=337835

Asokohe LSI përmes Komisionit të Ekonomisë vendosi që t’i drejtohet me një letër Ministrisë së Financave për t’u informuar në lidhje me efektin financiar që ka pasur një koncesion i tillë vitet e kaluara dhe për të marrë shifrat në lidhje me efektet e uljes së mundshme të evazionit.Mësohet se shifrat që i janë vënë në dispozicion Komisionit nuk i kanë bindur anëtarët e tij në lidhje me vazhdimin e koncesionit dhe menjëherë LSI është pozicionuar kundër duke e bllokuar atë.

Gjithsesi projektligji mbeti në sirtarët e kuvendit për arsye që nuk dihen, por që supozohet se mund të kenë patur lidhje me përplasjet e brendshme PS-LSI para zgjedhjeve të 25 Qershorit.Në fakt, pajisja e barnave me pullë fiskale ishte vendosur që në kontratën fillestare të koncesionit me kompaninë “SICPA” të miratuar në vitin 2011, nga qeveria Berisha ku bënte pjesë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në vitin 2014 Autoriteti i Konkurrencës vuri në dukje se, në tërësi marrëveshja koncesionare për vendosjen e pullave fiskale me kompaninë “Sicpa Holding”, nënshkruar që në vitin 2012, ka mungesë të qartësisë dhe transparencës lidhur me interesin publik. https://www.ata.gov.al/ak-rishikim-kontrates-per-pullat-fiskale-te-barnave/

Ndryshimi i ri i kontratës koncesionare u kërkua nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2016. Në relacionin shoqërues të saj thuhet se, sistemi i ri mundëson një kontroll më të fortë mbi barnat dhe bën të mundur gjurmueshmërinë e tyre nga prodhuesi te konsumatori final, duke i mbrojtur ata nga abuzimi me cilësinë apo kontrabanda.

Me këtë ndryshim çmimet e ilaçeve për konsumatorët pritet të rriten me 2.4 për qind, për shkak se këto produkte tani do të pajisen me pullë fiskale. LSI, e cila ka qenë e brendshme në këtë hsitori ka shpjeguar edhe në terma praktikë efektin mbi çmimet e barnave. “Thënë më thjeshtë: nga 6 lekë të vjetra mund të arrijë edhe deri në 31 mijë lekë të vjetra, pra rritje rreth 5 mijë here. Kjo, pasi pulla e barnave tash e tutje do kushtojë sa 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë. Grabitje kjo që nuk është parë gjëkund ”- sqaron Vasili në facebook.

Për çështjen në fjalë ka folur edhe deputeti i PD-së, Tritan Shehu që thotë se me rritjen e konçesionit të pullës fiskale për banrnat “për qytetetarët do të jetë gjithmonë e më e vështirë për të përballuar shpenzimet për shëndetësinë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.