Drejt kastës së gjyqtarëve dhe prokurorëve

Postuar në 21 Shtator, 2017 09:00

Duhet shpresuar megjithë mend që reforma në drejtësi të japë rezultate, qoftë edhe duke u nisur nga masa e shpërblimeve që po mendohet të aplikohet për gjyqtarët dhe prokurorët që do të jenë në sistem. “Shqiptarja.com” shkruan sot se pas kërkesës këmbëngulëse të përfaqësuesve të SHBA-BE, përveçc rrogave të mira dhe priviligjeve,  gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët do të kalojnë me sukses procesin e Vetingut do të kenë një shpërblim të shumëfishtë, të sigurt dhe afatgjatë.

“Njerëzit e drejtësisë aktuale, të cilët do të rikonfirmohen në detyrë, do të kenë një pagë mujore që shkon deri në tre mijë USD. Përveç pagës bazë, e cila do të jetë sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës. Po ashtu, çdo vit, prokurorët apo gjyqtarët të cilët në vitin paraardhës kalendarik, në mënyrë të veçantë, kanë pasur vlerësimin më të lartë etik dhe profesional, marrin një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë. Për ushtrimin e pozicionit të kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë, do të përfitojnë 10% shtesë page mbi pagën bruto fillestare. Por, nuk mbaron me kaq. Gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë”, raporton gazeta.

Po kështu ata do të kenë trajtim të veçantë për blerjen e shtëpisë dhe sipërfaqen e banimit për çdo anëtar të familjes. Të gjitha këto janë përfshirë në ligjin për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit. Po kështu ligji parashikon edhe mbrojtjen fizike të veçantë.

Të gjitha këto privilegje janë aplikuar me shpresën e një cilësie të re në dhënien e drejtësisë dhe njekjen e hetimit. Duhet thënë se shpërblimi monetar është një anë e medaljes. Ana tjetër është se me këtë privilegjim financiar mund të kalohet në krijimin e një kaste të paprekshmish për të na dhënë atë dukurinë problematike të korporatizmit që e shohim sot në Itali. Po kështu, Komisioni I Venecias, në shqyrtimin e bërë për kërkesat e PD-së dhe LSI-së për draftin e paketës për reformën në drejtësi, konstatonte se pavarësisht se Kushtetuta e Shqipërisë ishte ndër më të rejat në Europë, keqpërdorimi i saj, kishte çuar në krijimin e korporatizmit në gjyqësor. Të huajt sot po mendojnë dhe ja kanë dalë që të mbyllin vrimat e presionit të jashtëm mbi gjyqtarët dhe prokurorët, me vettingun dhe shpërblimin. Sot ata kanë angazhimin për ta bërë këtë gjë. Kjo është edhe garancia e tyre për veten, jo për shqiptarët. Nesër, nëse ky angazhim bie dhe do të kemi kompromisin e radhës, nuk përjashtohet që kjo politikë të bashkohet për të çliruar popullin nga barra e kastës së gjyqtarëve. Ekziston ky rrezik, sepse kjo drejtësi qëndron artificialisht mbi një shoqëri që voton rregullisht të korruptuar dhe të inkriminuar edhe kur e di se janë të tillë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.