Imagjinata, përpara gjuhës

Postuar në 20 Shtator, 2017 00:31
Stephen Asma - profesor i filozofisë në Columbia College Chicago

Imagjinata është pjesë e pandarë e jetës sonë të brendshme. Mund të thuhet se ajo është një ‘univers i dytë’  brenda kokës sonë. Ne shpikim kafshë dhe ngjarje që nuk ekzistojnë, përsërisim historinë me përfundime të tjera, përfytyrojmë utopi sociale dhe morale, kënaqemi në artin e fantazisë dhe meditojmë njësoj si për atë që mund të kishim qenë, edhe për atë që mund të bëheshim. Animatorë si Hayao Miyzaki, Walt Disney dhe njerëz në Studiot Pixar janë mjeshtra të imagjinatës, por ata vetëm sa krijojnë një version publik të jetës sonë të përditshme. Nëse do të mund të shihnit trazimin fantastik që ndodh brenda mendjes së një 5 vjeçari, atëherë “Star Wars” dhe “Harry Potter” do të dukeshin të matur dhe të mërzitshëm. Pse pra ka kaq pak analizë mbi imagjinatën nga filozofët, psikologët dhe shkencëtarët?

Përveç disa pasazheve kriptike tek Aristoteli dhe Kanti, filozofia nuk ka thënë thuajse asgjë rreth imagjinatës dhe atë që thotë duket tërësisht e shkëputur nga kreativiteti që artistët dhe laikët e quajnë ‘imagjinative’. Aristoteli e përshkroi imagjinatën si një fakultet të njerëzve(dhe shumicës së kafshëve) që prodhon, mbledh dhe ripërdor imazhet që ne përdorim në aktivitete të ndryshme mendore. Deri edhe gjumi ynë energjetizohet nga ëndrrat e imagjinatës sonë të pavullnetshme. Immanuel Kant e pa imagjinatën si një sintetizuese të ndjesive dhe kuptimit. Ndonëse ka shumë dallime mes filozofisë së Aristotelit dhe Kantit, Kant binte dakord se imagjinata është një fakultet sintetizues i pandërgjegjshëm që tërheq bashkë perceptimet ndijore dhe i lidh ato në përfaqësime koherente me dimensionet konceptuale universale. Imagjinata është një fakultet mendor që ndërmjetëson mes veçanësisë së ndjesive – të themi ngjyrat e shkëlqyeshme blu – dhe universalitetit të kuptimit tonë konceptual – të themi gjykimi se “Dritaret e Amerikës” i Marc Chagall është i bukur.

Imagjinata sipas këtyre filozofëve është një lloj njohjeje, apo më saktë një proces lidhës, parakusht i aftësisë njohëse. Puna e saj është e pandërgjegjshme dhe shtron rrugën për dijen, por nuk është abstrakte apo gjuhësore mjaftueshëm sa për të qëndruar si dije. 

Kjo qasje më tepër mekanike ndaj imagjinatës gjen jehonë në teori më të fundit kompjuterike dhe modulare të mendjes, sipas të cilave të menduarit njerëzor paketohet nga procesorë të lindur. Filozofi amerikan Denis Dutton, p.sh. argumenton në “Instinkti i artit”(2009) se pikturat e peizazheve janë popullore, sepse ato akitivizojnë një preferencë të lindur instinkitve për pozicionet e largëta të vëzhgimit te paraardhësit tanë, që vlerësonin përmes tyre horizontin për ndonjë kërcënim apo burime të ndryshme. Kjo pikëpamje – dominante në psikologjinë evolucionare bashkëkohore – duket se është shumë larg nga optika apo imagjinata krijuese e artistëve dhe inxhinierëve. Nuk është për t’u çuditur që filozofët dhe teoricienët e njohjes kanë më tepër një pikëvështrim të thatë për imagjinatën. Por edhe idetë tona të zakonshme rreth imagjinatës nuk janë më mirë.

Duke ndjekur grekët, ne ende mendojmë për kreativitetin tonë si një muzë që rrjedh ndër ne – një lloj mbërthimi shpirtëror apo çmendurie mrekullibërëse që vërshonte përmes Vincent van Gogh dhe John Lennon, por vetëm sa pikon tek ty dhe unë. Pasi kitaristi i madh teksan, improvizuesi Stevie Ray vdiq, Eric Clapton  e vlerësoi duke e përshkruar atë si “një kanal të hapur…muzika thjesht vërshonte përmes tij”.

Ne e kemi romantizuar kreativitetin kaq shumë saqë kemi përfunduar me një mister të padepërtueshëm brenda kokës sonë. Ne ndoshta sot mund të mos besojmë në dominimin nga një muzë, por ne ende nuk e kemi zëvendësuar këtë vështrim ‘të mistershëm’ me një tjetër më të mirë. Siç edhe tha dikur piktori austriak Ernst Fuchs për humbjen e mistershme të vetes që shoqëron krijimin artisitik:

Dora ime krijoi, e udhëhequr në trans, gjëra të errëta…Jo rrallë unë bie në trans(gjendje gjysmë e ndërgjegjshme, diçka mes gjumit dhe zgjimit ku aftësia për veprime të vullnetshme mund të ndërpritet), ndërkohë që pikturoj, gjendja ime e ndërgjegjshme vanitet, për t’i hapur rrugë një ndjenje të të qenit i përmbytur…për të bërë gjëra për të cilat nuk di shumë në mënyrë të ndërgjegjshme”.

Ky vështrim misterioz i imagjinatës është i mjegullt dhe i errët, por të paktën ai kap diçka rreth gjendjes psikologjike të çqendërzimit që shoqëron krijimin. Psikologë si Mihaly Csikszentmihalyi kanë nënvizuar këtë aspekt të kreativitetit duke pëshkruar(dhe rekomanduar) gjendjet e rrymës – vërshimit, por idea në fjalë është provuar të jetë thjesht diçka më shumë sesa një ripërshkrim i vështrimit misterioz.

Mendimi evolucionar ofron një shteg që nxjerr jashtë këtij konfuzioni. Në lidhje me aspekte të tjera evolutive të mendjes njerëzore, imagjinata ka një histori. Ne duhet të mendojmë për imagjinatën ashtu si një arkeolog do të mendonte për një sit të pasur gërmimi, me shtresa dhe përmbajtje të mbivendosura njëra mbi tjetrën. Ajo shfaqet ngadalë përgjatë zgjatimeve të mëdha të kohës, një proces i saktë ky ekuilbrimi që ndërtohet mbi trashëgiminë e përbashkët nga kafshët. Në mënyrë që ta kuptojmë atë, ne duhet të gërmojmë në shtresat sedimentare të mendjes. Në punimin e tij “Prejardhja e njeriut”(1871), Charles Darwin thotë:

Imagjinata është një nga prerogativat më të larta të njeriut. Me anë të këtij fakulteti ai bashkon imazhet e dikurshme me idetë, pavarësisht nga vullneti dhe kështu krijon rezultate të reja të shkëlqyera…Ëndërrimi na jep ne nocionin më të mirë të pushtetit; siç e thotë poeti Jean Paul Richter: “Ëndrra është një art i pavullnetshëm i poezisë

Richard Klein, Maurice Bloch dhe të tjerë paleoantropologë e vendosin imagjinatën si shfaqje të vonë në historinë e species njerëzore, mijëra vjet pas shfaqjes së njeriut modern në anatominë e sotme. Pjesërisht kjo teori pasqyron një paragjykim sipas të cilit fakultetet artisitike janë një lloj torte evolutive – ëmbëlsira që krijohen si nënprodukte të adaptimeve më serioze konjitive si gjuha apo logjika. Me më shumë rëndësi, ajo mendohet se ka si premisë artin e shpellave të Paleolotit të Vonë(rreth 38 mijë vjet më parë). Është e zakonshme për arkeologët që të hamendësojnë se imagjinata evoluoi vonë, pas gjuhës dhe se pikturat e shpellave janë një shenjë e mendjeve moderne në punë, që mendojnë dhe krijojnë siç bëjmë ne sot.

Në të kundërt të këtij interpretimi, dua të sugjeroj se imagjinata, e kuptuar siç duhet, është një nga aftësitë njerëzore më të hershme, jo një e mbërritur vonë ndër ne. Mendimi dhe komunikimi janë përmirësuar gjerësisht nga gjuha, është e vërtetë. Por ‘të menduarit me imazhe’ dhe madje edhe ‘të menduarit me trup’ duhet të kenë paraprirë gjuhën për qindra apo mijëra vjet. Është pjesë e trashëgimisë sonë gjitare që të lexojmë, mbledhim dhe të riposedojmë përfaqësimet e koduara emocionalisht të botës dhe ne e bëjmë këtë përmes asosacioneve(përafrimeve) të kushtëzuara, jo kodimeve propozicionale(që bartin funksionet e pohimit/mohimit si vlerë vërtetësie).

Luanët në savanna p.sh, mësojnë dhe bëjnë parashikime, sepse përvoja krijon asosacione të forta mes perceptimit dhe ndjeshmërisë. Duket se kafshët përdorin imazhet(vizuale, dëgjimore, kujtime të nuhatjes) për t’u orientuar në territore dhe probleme të reja. Për njerëzit e hershëm u  hap një lloi boshllëku konjitiv mes stimulit dhe përgjigjes – një hapësirë që krijoi mundësinë e disa përgjigjeve ndaj një perceptimi, më tepër sesa një përgjigjeje imediate. Kjo hapësirë ishte kyçe për imagjinatën: ajo krijoi një hapësirë të brendshme në mendjet tona. Hapi tjetër ishte gjenerimi i informacionit nga truri i njerëzve të hershëm, më shumë sesa thjesht regjistrimi dhe procesimi i tij – ne filluam të krijojmë përfaqësime të gjërave që nuk kishin qenë asnjëherë, por mund të ishin. Mbi këtë vështrim, imagjinata shkon pas, të paktën deri në periudhën e Pleistocenit dhe me gjasë nisi të shfaqej ngadalë te kushëriri ynë, Homo Erectus.

Në filozofinë bashkëkohore, përfaqësimi priret të kuptohet më së shumti në termat e gjuhës. Një përfaqësim është një entitet mental i brendshëm që ka kuptim përmes korrespondencës së vet me botën e jashtme apo përmes koherencës brenda një konteksti të përvojave të tjera me kuptim(që është të tjera përfaqësime, rregulla, skema etj.) Përfaqësimi im për një qen ngrihet mbi gjitarët e vërtetë me gjak dhe mish që jetojnë në botë. Teoritë tradicionale semantike, nga empirizmi, pozitivizmi dhe deri disa pjesë të semiologjisë, supozonin se elementi bazë i kuptimit ishte fjala – ‘qen’, ‘chien’(frëngjisht) apo ‘gou’(mjaft – gjuha kineze). Gjithësesi, filozofë si Mark Johnson i universitetit të Oregon e kanë sfiduar këtë model kuptimi duke treguar se ka struktura më të thella metaforike të trupëzuara brenda vetë gjuhës dhe se kuptimi është i rrënjosur në trup(jo në kokë).

Më shumë sesa i bazuar mbi fjalët, kuptimi buron nga veprimet e asociuara me një perceptim apo imazh. Edhe kur termat leksikorë në dukje neutral, procesohen nga truri ynë, ne gjejmë një sistem më të thellë stimulimi imazhesh. Kur dëgjojmë fjalën ‘filxhan’ p.sh, motori nervor apo sistemet e prekjes aktivizohen, sepse ne kuptojmë gjuhën duke ‘simuluar në mendjen tonë sesi do të ishte përjetimi apo përvoja e asaj që gjuha përshkruan’, siç e përcakton shkencëtari konjitiv Benjamin Bergen në punimin e tij “Më fort se fjalët”(2012). Kur ne dëgjojmë fjalën ‘filxhan” pjesa motorike e trurit tonë “kap” një ‘filxhan’.

Ky ka qenë një kërkim i rëndësishëm në mënyrën sesi ne e kuptojmë mendjen, por që imagjinata të kuptohet plotësisht ne duhet të eksplorojmë periudhën evolucionare përpara gjuhës(një shtresë e mendjes paragjuhësore në të cilën mendoj se kemi akses ende). Njësoj si fëmijët që nuk kanë nisur të flasin apo edhe primatët jonjerëzorë, njerëzit e rritur kanë një përfaqësim emotiv, asociues p.sh për qenin. Mund të ketë përafrime të lezetshme që orientojnë qasjen tonë, apo ndjenja negative që na orientojnë të shmangemi. Imazhi i një qeni, në perceptim apo në memorie, do të ngarkohet me mundësi veprimi dhe ndjenjash. Fjala ‘qen’, në të kundërt të kësaj, është një nivel përfaqësimi më i vonët, më abstakt dhe më i zbutur – zbrazur nga përmbajtja më emocionale dhe motorike.

Imagjinata pra, është një shtresë e mendjes përmbi stimujt – përgjigje pastërtisht bihevioriste por poshtë metaforave gjuhësore dhe kuptimit propozicional. Imagjinata jonë moderne origjinon në këtë erë të kuptimit të imazhit apo të semantikës së imazhit. Ky moment historik(nisur ndoshta gjatë Pleistocenit të hershëm rreth 2 milionë vjet më parë) është replikuar apo rikapituluar në proceset e aktiviteteve bashkëkohore imagjinative. Është fuqia për ta fikur mendjen –çkyçur nga vërshimi i menjëhershëm i perceptimit  - dhe vënë në punë simulime të realiteteve virtuale kundërfaktuale.

Sot jeta jonë improvizuese dhe imagjinative ka një depërtim të tërthortë në mendjen tonë të hershme. Kuptimi i kësa lidhjeje është objektivi i një lëvizjeje kërkimore në rritje – e quajtur biosemantika – që kërkon të themelojë kuptimin njerëzor në ndërverimet e trupëzuara të primatëve socialë, jo vetëm në gjuhën tonë. Njësoj si majmunët e mëdhenj, ne njerëzit jemi përfshirë në atë komunikim të gjuhës së trupit, delikat dhe antifonik(ndërveprues) që e shohim te të gjithë primatët socialë. Psikologët e primatëve si Louise Barrett në librin “Përtej trurit”(2011) kanë nisur të gjurmojnë rrjetet e ndërveprimit që ndërtohen ngadalë gjatë periudhës së zhvillimit,  që u japin primatëve fjalorin lokal të gjesteve që në finale i shërben funksioneve më të mëdha të dominimit dhe nënshtrimit, çiftëzimit, bashkëpunimit, ndarjes së ushqimit, sigurimit të tij dhe kështu me radhë. Por ne veprojmë në këto sisteme të trupëzuara të kuptimit të gjesteve shumë më tepër sesa mund ta dimë. Kushërinjtë tanë primatë kanë aftësi mbresëlënëse(me zanafillë në cerebellum) për ndarjen e aktiviteteve motorike(të lëvizjes – koordinimi i muskujve) – ata kanë një lloj gramatike detyrash për kryerjen e serive komplekse të veprimit siç është përpunimiI bimëve të papërshtatshme në ushqim të ngrënshëm. Gorillat p.sh i hanë hithrat çpuese vetëm pas një korrjeje të kujdesshme dhe një renditjeje të gjetheve, pasi përndryshe goja e tyre do të gjakosej nga gjembat e shumtë. Ky është një nivel në zgjidhjen e problemeve që kërkon lëvizje më të zgjuara mes trupit dhe mjedisit. Ky lloj i sekuencimit koordinativ mund të jetë niveli i parë i gramatikës improvizuese apo imagjinative. Imazhet dhe sjellja sekuencuese mund të rindërtoheshin në mendje përmes gramatikës së veprimeve, shumë më para sesa të shfaqej gjuha. Shumë më vonë ne nisëm të mendojmë me simbole gjuhësore. Ndërkohë që përherë e më shumë simbolet abstrakte – si fjalët – intensifikuan shkëputjen e përfaqësimeve dhe simulimeve nga përvoja immediate, ata krijuan dhe përçuan kuptime duke vënë në veprim sistemet e vjetra të trupëzuara(si emocionet) në audiencat e tregimtarëve.

Muzikani, kërcimtari, atleti apo inxhinieri imagjinativ huazon direkt nga rezervuari paragjuhësor i kuptimit(disa herë i quajtur “sistemi i nxehtë njohës” – një shteg i shpejtë, i përparmë përmes të cilit truri na jep zgjidhje emocionale apo gjysmë instinktive për problemet në mjedisin tonë). Një muzikant improvizues apo një zgjidhës intuitiv problemesh duhet të shtypë pikërisht mbi atë sistem antik njohës të gjuhës së trupit, thirrje – përgjigje si dhe mbi shprehjen emocionale, në mënyrë që të lundrojë botën sociale ashtu siç duhet…

Thirrje – përgjigje’ është p.sh një nga teknikat improvizuese më të vjetra siç është sinkronizimi mes melodive dhe lëvizjeve të trupit gjatë kërcimit. Këto janë procedura antike për çimentimin e komuniteteve, ngulitura në performime që shprehin dhe frymëzojnë emocion. Në një nivel të thjeshtë, njerëzit sinkronizojnë lëvizjet e tyre për të kërcyer në kohë. Në një nivel më kompleks, ata kujtojnë kërcimin më vonë dhe eksperimentojnë me të, duke e rishpikur për veten. Teknika të tilla simulimi na lejojnë të eksplorojmë opsione të hapura në skaje të rregullave sociale dhe teknologjike. Eventualisht, një eksplorim i tillë i kufizuar evoluon drejt një eksperimentimi  përherë më tepër të pakontrolluar, të jashtëm, që rritet në format e mendimit me imazhe, me tinguj, me gjeste.

Aspekti emocionalisht i ngarkuar i këtij simulimi të jashtëm është i qartë kur ne konsiderojmë se të afërmit tanë te kafshët, kanë nevojë për ngacmues kimikë dhe perceptime të qarta të një trupi seksualisht tërheqës që të eksitohen, por njerëzit mundet thjesht të fantazojnë për një trup që dëshirojnë dhe pajisjet seksuale do të nisin të vihen në punë.

Së pari, parardhësit tanë i simulonin të tjerët në kohë reale, duke kërcyer apo prodhuar vegla, por më vonë këto simulime morën vlerë edhe jashtë modelit të kohës reale. Pra si simulime jo të drejtpërdrejta, si memorie dhe funksion ekzekutiv.

Teoritë kompjuterike të mendjes – që barazojnë mendjet tona me shpejtësinë binare të kërkimit në Google – mund të tallen me mendimin tonë gjuhësor, por jo me njohjen e mëparëshme imagjinative. Mendimi që bazohet mbi imazhin, përthith një tërësi informacioni të pasur në hollësi dhe përafrime emocionale dhe koordinative. Ne i shifrojmë dhe manipulojmë imazhet dhe gjestet, duke formuar si rrjedhojë bazën e kuptimit që pason. Siç e ka shprehur Eric Kandel në librin e tij “Epoka e brendësimit”(2012)( The Age of Insight):

Ndoshta në evolucionin njerëzor aftësia për të shprehur veten tonë në art – në gjuhën piktorike – paraprin aftësinë për të shprehur veten në gjuhën e folur. Si pasojë, ndoshta proceset në tru që janë të rëndësishme për artin ishin dikur universale, por u zëvendësuan teksa evoluoi kapaciteti universal për gjuhën

Unë besoj se gjuhët piktorale dhe ato të gjesteve janë ende mes nesh dhe kur ne e qetësojmë aq gjatë sa duhet ndërgjegjen tonë diskursive – siç bëjmë në aktivitetet improvizuese dhe krijuese – ne mundemi ende të bisedojmë në këto gjuhë më antike.

Një rast i rrallë nga literatura mjekësore na ofron ne një evidencë ngacmuese se mendimi piktoral ka pushtetin e vet të pavarur nga gjuha. Në një rast studimor të jashtëzakonshëm në vitin 1998, psikologu Nichoal Humphrey në universitetin e Cambridge zbuloi ngjashmëri mahnitëse mes pikturave në shpellat e Chauvet dhe vizatimeve të shekullit të 20-të të një vajze autike me emrin Nadia. Rasti i Nadias përforcon idenë se piktura dhe vizatimi, larg të qenit atribut i mendjes moderne, mund të kenë paraprirë të dyja gjuhën. Nadia lindi në vitin 1967 në Nottingham në Angli dhe vuajti nga paaftësi të rënda zhvillimore. Në moshën 6 vjeç ajo nuk ishte në gjendje akoma që të fliste, kishte dëmtime fizike dhe shumë pamundësi sociale. Por megjithë këto mangësi thelbësore, Nadia mund të pikturonte me saktësi dhe shprehi të madhe që në moshën 3 vjeç. Humphrey i vendosi vizatimet e Nadias së vogël pranë imazheve nga shpella Chauvet dhe vuri re ngjashmëri befasuese në realizimin e kafshëve si kuajt dhe elefantët.

Konturet janë shumë të ngjashme, siç janë edhe paraqitjet e tyre dinamike, por po ashtu edhe mënyra sesi figurat përsëruten dhe mbivendosen të njëra-tjetra. Ky nuk është paralelizëm mistik apo shenjë e përfaqësimeve të lindura, por më tepër është një tregues se mendja njerëzore është e përgatitur për imitime të sakta. Dhe imitimi grafik  - po aq sa përshkrimi gjuhësor – është një lloj dijeje.

Ne nuk mund t’u besojmë shumë të dhënave anekdotike, por rasti i Nadias duhet të paktën të provokojë njëfarë skepticizmi rreth nocionit se njerëzit e Paleolititit të Vonë kishin mendje moderne. Nëse Nadia ishte kaq e mirë me përfaqësimin piktoral, ndërkohë që i mungonte themeli i simbolizmit gjuhësor, atëherë është e mundshme që Homo Sapiens i 40 mijë vjetëve më parë ishte grafikisht i nxënë përpara se të ishte verbalisht i mësuar. Një interpretim edhe më i fortë është se Nadia ishte piktoralisht e sofisitikuar sepse ajo kishte shumë pak ose aspak shpërqendrim gjuhësor në mendjen e saj. Pa aspektetet tjetërsuese të simboleve gjuhësore, Nadia mund të ishte e ndjeshme në perceptim duke çuar kështu në saktësi dhe shprehi më të madhe në vizatimet e saj.

Nadia përftoi kuptim në mënyrë shumë efektive pa ndihmën e mjeteve propozicionale. Paraardhësit tanë të afërt mund gjithashtu të kenë patur një mendje jogjuhësore impresionuese – ndoshta përherë takuar në aktivitet imagjinativ. Mendimi bazuar mbi imazhin mundet që të ketë patur një shteg evolutiv përbashkues me gjuhën, apo mund të ketë evoluar më herët nga përzgjedhja natyrore mbi kapacitetet e prodhimit të veglave të punës apo teknikave zbukuruese.

Imagjinata – qoftë ajo piktorale apo më vonë gjuhësore – është veçanërisht e mirë në komunikimin emocional dhe kjo mund të ketë ndodhur sepse informacioni emocional udhëheq veprimet dhe formëson sjelljen përshtatëse. Ne duhet të kujtojmë se imagjinata vetë nisi si përshtatje në një botë armiqësore, mes primatëve që socializohen, kështu që ndoshta nuk është për t’u çuditur se një rrëfyes tregimesh, piktor, apo këngëtar mund të manipulojë universin tim të dytë brendshëm duke aktivizuar në mendjen time imazhe dhe ngjarje kundërfaktuale që përçojnë ngarkesë të madhe emocionale.

Fantazia që vërtet na vë në lëvizje ne – qoftë kulturë e lartë apo e ulët – priret të jehojë me frikën dhe shpresat tona antike. Mendja përafruese e njohjes së nxehtë – lokalizuar më shumë në sistemin limbik – vepron si rezervuar për artistët imagjinativë. Artistë të tillë si Edgar Allan Po, Slvador Dali, Edvard Munch dhe H R Geiger mund të marrin kontrollin e udhëtimit drej trurit të tyre primitiv(një udhëtim i pakontrolluar është çmenduria) dhe të sjellin më pas këto forca të pandërgjegjshme në imazhet apo historitë e tyre.

Imagjinata është kompetente në përafrimet e imazheve, por është po ashtu skajshmërisht e aftë në përfafrimet mikse. Të menduarit dhe komunikuarit me imazhe kërkon akses në përfaqësimet më të thella, më të brendshme, por artisti i shkartis këto imazhe në kombinimet më të pazakonta dhe të papritura. Aftësitë tona më antike konjitive të përafrimit të lirë ndërthuren me aspekte më të ndërlikuara të njohjes, si funksioni ekzekutiv dhe aftësia për të miksuar, tejkaluar dhe shkelur kategoritë taksonomike(me lidhje të natyrshme) – duke hibridizuar imazhet. Kur ne imagjinojmë, ne përziejmë fotografi dhe propozicione, kujtime dhe përvoja të atij momenti, tinguj, histori dhe ndjenja. Është një procesor multimedial që kërcen anash përmes konotacioneve më tepër sesa të thellohet përmes arsyetimi logjik. Shumëcka prej kësaj është e pandërgjegjeshme, ndaj edhe analogjia e muzës është e fuqishme, por kjo fazë pasohet nga një tjetër, rihyrëse, ku përafrimet e lira apo rrymat e ndërgjegjes sillen sërish nën një kontroll ekzekutiv dhe integrohen në projekte më të fokusuara të agjentit apo artistit.

Propozuesit e misterianizmit (sipas të cilëve problemet e mëdha të ndërgjegjes nuk mund të zgjidhen nga njeriut) janë përqendruar në këtë fazë të rrymës të de-egoizuar të imagjinatës, ndërkohë që mekanicistët(që propozojnë se natyra funksionon si makinë e ndërlikuar) janë përqendruar në rezultatet kombinatorike, prodhuar në makinerinë e errët të imagjinatës. Secili model kap një aspekt të imagjinatës, por kur ne konsiderojmë evolucionin e mendjes, ne shohim sesi të dyja modelet janë të integruar në aktivitetin e njohjes sonë të trupëzuar.

Në fazën e parë të këtij procesi evolucionar(ndoshta gjatë epokës së Pliocenit) ne kishim një lloj imagjinate të pavullnetshme. Në këtë kohë, jeta e ndërgjegjeshme e homininit duhet të ketë qenë e afërt me përafrimet e lira të jetës sonë bashkëkohore të ëndrrave.

Paraardhësit tanë mund të perceptonin një luan në savanna,  por memoria rastësore e imazhit të luanëve mundet gjithashtu të të zgjohe në mënyrë të paparashikueshme gjatë angazhimit të përditshëm me punë. Hapi tjetër,  gjatë Pleistocenit, mori jetë një imagjinatë gjysmë e vullnetshme, si ajo që konstatojmë në njohjen e nxehtë(e ndikuar dhe e ngarkuar me emocione)(ende e aksesueshme në kretivitetin tonë improvizues bashkëkohor). Ne mund të imagjinojmë p.sh, si sjelljet e ritualizuara të udhëhequra nga shamanët do të kishin sjellë qenie imagjinare në ndërgjegjen përmes veprimeve të zakonshme dhe gjesteve.

Dhe në fund(nga Paleoliti i Vonë përmes epokave të Holocenit), shfaqet imagjinata e vullnetshme, e cila korr produktet përafruese të dy fazave të para dhe i sjell ato nën një kontroll ekzekutiv të njohjes së ftohtë(e ngadaltë, e logjikshme, e qëllimshme). P.sh, pikturat e shpellave “njeriu – luan” në Hohlenstein-Stadel në Gjermani dhe “njeriu – bizon” në Grotte de Gabillou në Francë, mund të jenë shembujt e parë të miksimit të vullnetshëm të formave të kafshës me ato të njeriut në artin pamor. Krijesa të përbëra apo të hibridizuara dominojnë disa prej shprehjeve të para kulturore tonat – nga pikturat në shpella te mitologjitë mesopotamase, egjiptiane dhe vedike. Këto shkelje të kategorive zoologjike duket të jenë manovra të hershme(dhe këmbëngulëse) në logjikën e imagjinatës.  
Mes qarkut të përgjithshëm modular dhe fluturimeve misterioze të fantazisë qëndron mbretëria e përulur e shkallëve evolutive.  Përpara se të keni një sy modern, ju keni nevojë për një paraardhës më të thjeshtë optik dhe përpara se ju të ndjeni nevojën e indit të ndjeshëm ndaj dritës.  Shkallët evolutive ngrihen nga toka, nëse mund të shprehemi kështu. Në mënyrë të ngjashme, evolucioni krijon një fakultet imagjinativ të papërpunuar përpara se gjuha dhe kultura ta latojë atë dhe ta sofistikojë. Sistemi natyror(dominuar nga përafrimet emocionale dhe perceptive) është ende i gjallë në bazamentin e psikologjisë sonë. Mund ta rrokni një grimë të tij në ëndrrat tuaja, ose kapni një instrument muzikor, apo një penel dhe letër dhe hapeni syrin e mendjes parake.

https://aeon.co/essays/imagination-is-such-an-ancient-ability-it-might-p...

Përshtatja në shqip nga "ResPublica"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.