Shkoza, Zharrëza dhe 1 milionë shuplakat

Postuar në 19 Shtator, 2017 22:25

Sot në disa media pranë qeverisë mbinë si papritur dy dokumente që provojnë se projekti i zgjerimit të rrugës në Shkozë dhe më tej amendimi i kontratës së parë, është bërë që në kohën kur në pushtet ka qenë qeveria e koalicionit PD-LSI. E gjendur përballë një situate të pakëndshme të krijuar nga protesta e banorëve të zonës, qeveria shqiptare nuk ka gjetur dot një përgjigje më të mirë sesa t’u thotë banorëve që

vendimin e ka marrë PD-ja me LSI-në 

Dhe kështu duke çmobilizuar aksionet eventuale politike të asaj që thirret si opozitë, qeveria synon që të kufizojë përmasën e protestës te pronarët e atyre 154 shtëpive që do të prishen me të cilët mandej do ta gjejë gjuhën. Sepse kjo ka ndodhur përherë.

Kjo sjellje na dëshmon hipokrizinë e qeverisë kur kërkon të afektojë potencialin e protestës me logot  e PD-së dhe LSI-së, si dy njolla që bëjnë pis. Por duke dëshmuar këtu nga ana tjetër, frikën e vet për efektet e mundshme të një pakënaqësie që nuk është se mungon pavaësisht krekosjes me shuplakat e 25 qershorit. Tanimë kjo qeveri dhe ky kryeministër e kanë përftuar profilin e tyre publik: ata nuk duan përplasje. Dredhia dhe hileja, gënjeshtra janë mjete më efektive për të mbaruar punë. Mjafton që bërthamat e tensionit të izolohen dhe pastaj në kontesktin e një indiference sociale thuajse të plotë, projektet shkojnë përpara.

Nuk është rastësi që po sot, qeveria tërhoqi nismat për ligjin e mbetjeve dhe për dekoratat e funksionarëve të kohës së Diktaturës. “Do t’i bisedojmë me popullin”, shkruan deputeti Taulant Balla. Teatri i bashkëqeverisjes ka hyrë kështu në stadin e plotë performativ pa iu fshehur më asgjëje.

Rasti i Shkozës është ilustrim i mirë i asaj që mund ta quajmë kastrim i protestës. Tredhje në kuptimin figurativ kur ndonëse kemi në krye një qeveri kundër të cilës duhet bërë shumë më tepër sesa thjesht protestë, sërish ditët kalojnë të qeta për shkak të kompromentimit të përgjithshëm social. Të opozitës e cila ka humbur shumëçka nga autoriteti i saj dhe sot nuk është në gjendje të mobilizojë askënd. Por edhe të shoqërisë që rri e shikon venitjen e çdo gjëje, duke heshtur dhe pranuar kapjen dhe privatizimin e çdo të drejte dhe prone publike në mes të ditës.

Nuk është rasti i vetëm. Protesta e Zharrëzës flet edhe më shumë. Një protestë e vërtetë, që vazhdoi me ditë të tëra, që preku në fill financiar një kompani jo të vogël, që vazhdoi me marshim nga Fieri në Tiranë, për t’u mbyllur me një vendim qeverie që as jepte e as zgjidhte gjë. Qershia mbi tortë: fitorja e PS-së në Fier, spektakolare.

http://www.respublica.al/2017/09/19/do-ta-zgjidh%C3%AB-nd%C3%ABrhyrja-e-...

Vota është edhe ndëshkim, mjet presioni. Protesta po ashtu është një e drejtë që nuk duhet shitur te partitë. Siç mund të shihet, pushteti e ndjen i pari frikën dhe reagon, me dredhi. Pasi fatkeqësisë së madhe të një shoqërie apatike, i shtohet edhe fatkeqësia tjetër e një pushteti që mashtron dhe nuk beson në asgjë përveç forcës dhe parasë. Forca është te reagimi, të cilin deri më tani e kanë ujitur me premtime narkotizuese.

Sigurisht është rrugë e gjatë. Në një vend ku ndodh çdo gjë, do të ndodhë edhe protesta e vërtetë. Por deri më atëherë komunitete si këta në Shkozë do të paguajnë papërgjegjshmërinë e vet për ndërtimet që kanë bërë, për mënyrën si votojnë, por edhe për gjumin e thellë ku kemi hyrë të gjithë. Deri sa të na vijë radha për ndonjë hall tonin dhe atëherë do t’i drejtohemi rrjeteve sociale për ndihmë.

Kujtoni se çfarë ka thënë ai që sot qëndron pas prishjeve në Shkozë, Erjon Veliaj: “Mua kjo punë më mësoi të eci përpara”. Dhe për herë të parë nuk gënjen. Kështu me landfillin me të vdekur brenda që sot ja shiti nuk dihet kujt, kështu me sheshin “Skënderbej”, kështu me lejet e ndërtimit dhe kullat ikonike. E të tjera. Shqiptarët kanë vetëm llafe. Lali e di mirë këtë. Ndaj:

hurin në Shkozë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.