Plehërat dhe dekoratat, qeveria thërret në ndihmë popullin

Postuar në 19 Shtator, 2017 21:19

Mazhoranca ka vendosur që dy nisma ligjore, ajo për heqjen e dekoratave për bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit dhe dekreti për menaxhimin e integruar të mbetjeve të cilat u përfshinë në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 18 shtator deri në 13 tetor, të hidhen për diskutim në popull.

Në mungesë të një qëndrimi transparent mbi këto dy nisma dhe skuthërisë me të cilën u futën në axhendën e punimeve të kuvendit, qeveria gjeti si rrugëdalje karagjozllëkun e radhës të diskutimit në popull. Debati me grupet e interesit është një normë demokratike dhe këtu nuk duket të ketë ndonjë lajthitje në parim, por absurdi qëndron te reflektimi i supermazhorancës për t’i diskutuar me qytetarët këto nisma pasi ia ka propozuar më parë kuvendit, madje njërën si iniciativë të kryeministrit.

“Nuk ka më projekt-ligj për dekoratat apo për mbetjet. Grupi Parlamentar Socialist do t'i rikthejë në publik për një debat shterrues, bazuar në argumente jo në akuza dhe në arsye jo në mllef. Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm ka filluar”-shkruan Taulant Balla në fejsbukut pa qartësuar se kujt i drejtohet.

Për më tepër që dihet se çfarë nënkupton kjo qeveri kur thotë do ta diskutoj me popullin. Në terma praktikë mbushje e takimeve me militantë të partisë dhe fjalime të Parisë pr nisma në dobi të popullit dhe të ardhmes së tij. I vetmi rast kur Edi Rama dëgjoi popullin, por pa hyrë në diskutime ishte çështja e armëve kimike, të paktën kështu u duk mediatikisht. Dy tre takime, pesë ose gjashtë fjalime dhe bashkëqeverisja do konkuldojë me ridërgimin në parlament të këtyre nismave  dhe ja populli u dëgjua dhe qeveria u rehatua.

Domethënës është reagimi i LSI-së lidhur me këtë piruetë të Partisë Socialiste. Petrit Vasili jep një version më politik të asaj se çfarë do të thotë diskutim me popullin. “Ligji për importin e plehrave u fut në mënyrë tinëzare në parlament një vit më parë, pasi kryeministri demagog e anulloi importin e plehrave me vendimin e tij të parë si kryeministër në shtator 2013. Zgjidhja është vetëm një REFERENDUM POPULLOR për t'i thënë po ose jo vërshimit të plehrave në Shqipëri”-shkruan Vasili. Këtë qëndrim LSI mund ta kishte mbajtur edhe kur ishte në qeveri me socialistët, por preferoi të bllokojë nismën e referendumit për interesa të veta politike.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.