Kontrata e ndryshuar me Rapiscan, të ardhura 11.3 mln euro

Postuar në 19 Shtator, 2017 11:41

S2 Albania, kompania që po zbaton marrëveshjen koncesionare për skanimin në dogana, ka deklaruar në tatime të ardhura prej rreth 1.5 miliardë lekësh për vitin 2016, apo 11.3 milionë euro.  

Monitor raporton se subjekti nuk ka dorëzuar bilanc për vitin 2016, por të dhënat bëhen të ditura nga tatimet. Në krahasim me vitin 2015, kur xhiro e deklaruar në bilanc ishte 1.5 milionë euro, të ardhurat janë rritur me 73 herë. Me kontratën që filloi të zbatohej në 7 shtator 2015, 2016-a ishte viti i parë i plotë i aktivitetit.

S2 Albania ka deklaruar në 2016-n fitime, që arritën në 459 milionë lekë (para taksave), ose rreth 3.4 milionë euro, me një normë kthimi prej rreth 30%, duke iu shtuar në këtë mënyrë listës së koncesionarëve që kanë norma të larta fitimi.
Për çdo 100 lekë që bizneset ose buxheti kanë paguar për shërbimin e skanimit, 30 lekë kanë shkuar si fitim për koncesionarin.

E krijuar më 22 maj 2013, S2 Albania ka si objekt “Zbatimin e marrëveshjes së koncesionit për skanimin e kontejnerëve në dogana, si dhe çdo aktivitet tjetër lidhur me çështjen ose i kërkuar për të realizuar zbatimin e marrëveshjes.
Koncesioni hasi që në fillim kundërshtimin e bizneseve, ndërsa qeveria e pas 2013-s, pasi nuk arriti ta anulonte e rishikoi marrëveshjen, sipas të cilës nga 7 shtatori i vitit 2015 filloi të paguhej 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro (tarifa u përgjysmua në raport me kontratën e mëparshme, kur ishte 39 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro).

Ai u rishikua sërish, pak muaj më pas, duke përjashtuar një kategori biznesesh, që në fillim u detyruan t’i paguanin tarifat nga dy herë. Nga kjo tarifë, koncesioni i skanimit të kontejnerëve që nuk aplikohet në asnjë vend tjetër të rajonit po i kushton biznesit shqiptar, ashtu siç pritej, rreth 12 milionë euro në vit.

Në marrëveshjen e rishikuar, buxheti i shtetit mori përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit, ndryshe nga kontrata e mëparshme, ku koncesionari do të merrte direkt tarifën prej 39 eurosh për çdo deklaratë doganore, duke bërë që risku i humbjeve të merrej përsipër nga ky i fundit. Në total për 15 vite, Rapiscan do të marrë sipas kontratës së re 210 milionë euro.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.