Ku shkoi "Policia që duam", institucioni "më i besueshëm"?

Postuar në 18 Shtator, 2017 16:30

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shprehur sot falënderime për të gjithë ata që e kanë mbështetur në nisjen e procesit të vettingut në Policinë e Shtetit. Është në fakt një premtim i mbajtur i z. Xhafaj, i cili gjithësesi krijon një kakofoni me qëndrimet e deritanishme të qeverisë për këtë institucion.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i tij Sajmir Tahiri tundën me të madhe para shqiptarëve një sondazh që e nxirrte Policinë e Shtetit si institucionin më të besueshëm në vend, ose ndër më të besueshmet. Dhe mbas këtij sondazhi u synua të neutralizoheshin të gjithë ankesat, vërejtjet dhe çka ka më shumë rëndësi, akuzat për trupën e uniformave blu. Njësoj si me ente të tjera që u akuzuan gjerësisht për abuzime, edhe Policia po kalon na proces pastrimi sapo PS-ja dhe Edi Rama garantuan pushtetin e vet më 25 qershor.

Një sjellje racionale për dikë, por që na thotë dhe flet shumë për faktin se kjo qeveri nuk e ka korrigjimin pjesë integrale të punës, por vetëm aspekt të konformizmit me imazhin që duam. Vettingu në polici sot na thotë se në polici ka njerëz të trafiqeve, që dekonspirojnë operacione, që favorizojnë kontigjentin e krimit, që shkelin ligjet, që abuzojnë. Deri më sot nën mbrojtjen e kokëfortësisë së kryeministrit dhe hermetizmit të ish-ministrit që donte të krijonte idenë e një trupe që e kuptonte vetëm ai.

Vettingu na flet për kalbëzimin e institucioneve të ekzekutivit shqiptar, për atë korrupsion të “përhapur në çdo degë të qeverisjes”, por që sot nuk ka më peshë negative elektorale. Ne votuam me shumicë qeverinë e reformave, me siguri pasi pamë të gjithë në ëndërr Rilindjen e vërtetë, jo atë të katër viteve që ikën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.