Ndryshe nga 4 vjet më parë!

Postuar në 11 Shtator, 2017 11:36

Kryeministri Rama prezantoi në kuvend atë që quhet program politik i qeverisë për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. Ndryshe nga 4 vjet më parë, kryeministri socialist u shfaq më pak arrogant, reflektues dhe i hapur për bashkëpunimin me opozitën në funksion të së ardhmes së vendit.

Zgjatim i një qasje të mishëruar që prej 18 majit kur shtrëngoi duart me Lulzim Bashën për një pakt ndryshimesh kushtetuese që do të kryhen me dakordësinë e të dyve. Kjo mund të shpjegojë edhe elozhet në kuvend për opozitën e Lulzim Bashës, e cila sipas tij e kishte tepruar me denoncimet, por kishte shkaktuar një tërmet mbi qeverinë për çështjen e kanabisit.

“Duhet te thuhet sot se opozita luajti nje rol real ne shkundjen tone karshi ketyre problematikave. Nëse sot ne jemi në një ofensivë totale dhe me rezultate të paimagjinueshme kundër kanabiasit e kotë të mohohet se edhe opozita pati kontributin e saj”- deklaroi Rama, duke i njohur një kontribut opozitës, të cilin në fakt ia mohoi për 4 vjet kur injoroi çdo denoncim për këtë çështje.

Lajtmotiv i fjalës së kryeministrit në kuvend ishte pajtimi me opozitën edhe për çështje të karakterit patriotik që ka të bëjë me konsensusin mbi figurat kombëtare, dhe konkretisht Skëndërbeun ku propozoi një nismë të përbashkët me opozitën për zhvillimin e një tryezë të hapur dialogu. Ai e quajti marrëzi atë çka ndodhi në Ditën e Faljes së Kurban Bajramit dhe foli për mbrojtjen e kollonës së harmonisë fetare.

“Njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë. Aq qesharak, ai episod kërkon analizë, reflektim, jo për perden që nuk e mbuloi monumentin, por me cfarë u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar si embrioni i një krimbi kërcënues, për harmoninë fetare dhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve”-deklaroi Rama.

Kryeministri foli edhe për problemet me Greqinë, duke thënë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të shuajtur mosmarraveshjet historike, ndërsa paralajmëroi një paketë investimesh në infrastrukturë e arsim në këtë mandat të dytë qeverisës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.