Fëmijët, viktima të zakoneve mesjetare

Postuar në 11 Shtator, 2017 10:18

Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor Gazeta Panorama ka sjellë në vëmendje historinë e (pa)zakontë të një djali 10-vjeçar nga fshati Barbullush i Shkodrës, i cili prej 3 vitesh është detyruar ta kryejë shkollën jo në fshatin e tij, por 3 orë larg tek të afërmit në një shkollë të Postribës. Kjo për shkak të zakonit mesjetar të gjakmarrjes që mbizotëron ende në komunitetet lokale të kësaj zone të veriut të Shqipërisë.

Zanafilla e konfliktit që çoi dy familje të fshatit në gjakmarrje është sa absurde aq edhe banale. Babai i 10-vjeçarit, Agim Gjeta vrau para 6 vitesh një bashkëfshatarin e tij pas një sherri të momentit. Që prej asaj dite e gjithë familja është ngujuar, përfshi dhe të birin 10 vjeçar, i cili  është privuar nga jeta normale,e nuk del të luajë, nuk shkon në plazh apo të tjera normalitete të jetës së një fëmije. Ajo që kanë negociuar gjaksit me familjen është që djali të shkollohet te dajat e tij në Postribë dhe të mos duket në fshat pasi mund të vritet siç e do zakoni.

Absurdi është transferuar edhe jashtë vendit, ku anëtarë të dy familjeve kanë emigruar. Reshiti, gjyshi i djakit 10-vjeçar thotë se familja tjetër ka dhënë besën vetëm për shkollimin e nipit të tij në një fshat tjetër. “Dy djemtë e mi janë në Milano dhe qëndrojnë të mbyllur për shkak se katër djemtë e familjes tjetër janë edhe ata në Milano, 30 km larg nga fëmijët e mi. Punojnë vetëm gratë e djemve nga pak sa për të mbajtur frymën gjallë”. Histori që kanë kuptim në një vend si Shqipëria ku kodet mesjetare mbajnë të ngujuara mendjet e njerëzve, por edhe jetët e fëmijëve. Shifrat flasin për 24 fëmijë të ngujuar vetëm në Shkodër.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.