Partnerët, mungesë e madhe besimi ndaj policisë shqiptare

Postuar në 08 Shtator, 2017 18:33

Qeveria thotë se policia shqiptare është institucioni më i besueshëm nga shqiptarët, por kërkesat e policive partnere për ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore vënë në dyshim integritetin e policisë shqiptare. Janë të paktën 3 vende të Bashkimit Europian që kanë kërkuar ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore për çështjet e azilit, luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Vetë policia raporton se  Haki Çakos i është kërkuar nga homologu grek ngritja e një Qendre të Përbashkët Policore në pikën kufitare të Kakavijë në lidhje me personat në kërkim ndërkombëtar që fshihen në territoret e shteteve respektive.Pjesëmarrje në hetime u kërkua dhe nga francezët e holandezët, vende që janë përfolur se po shqyrtojnë mundësinë e pezullimit të lëvizjes Shengen me Shqipërinë, lajme të cilat qeveria i ka mohuar.

Por njoftimi i policisë shqiptare konfirmon shqetësimin real të autoriteteve franceze dhe hollandeze dhe mungesën e madhe të besimit ndaj policisë shqiptare.

“Në takimin me delegacionin e policisë franceze u diskutua parandalimi i azilkërkuesve shqiptarë me destinacion vendet evropiane, veçanërisht Francën dhe goditjen e grupeve kriminale shqipfolëse të cilat operojnë në territorin francez, duke dakordësuar ngritjen e grupeve hetimore të përbashkëta, me qëllim hetimin, dërgimin para organeve të drejtësisë të autorëve të këtyre veprave penale, si dhe dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale që burojnë prej tyre.

Në qendër të diskutimeve me delegacionin e policisë holandeze ishte intensifikimi i bashkëpunimit policor dypalësh, së pari në  luftën ndaj krimit të organizuar, sidomos të organizatave kriminale shqipfolëse të cilat operojnë kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike (kokainë) nga Holanda në drejtim të vendeve të tjera evropiane; së dyti në identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, të cilët fshihen në territorin holandez. Homologët holandezë u angazhuan në një shkëmbim më të lartë informacioni me palën shqiptare, ndërsa u dakordësua ngritja e grupeve hetimore të përbashkëta”-thuhet ne njoftimin e policise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.