"Melankolia” e një pjese të medias për fatin politik të Majlinda Bregut

Postuar në 08 Shtator, 2017 21:47

Është e pabesueshme dhe befasuese sesi media apo gazetarë pranë pushtetit apo pushteteve nga më të ndryshmet në Tiranë, riciklojnë, apo më saktë suvatojnë në fasadën e diskutimit publik gjithfarë imazhesh të politikës. Rasti më i fundit dhe i “çuditshëm” është ai ish-ministres së Integrimit dhe ish-deputetes së PD-së, Majlinda Bregu. 

Pas sulmit të rëndë të para disa viteve në media të ndryshme të PS-së, sipas të cilave zonja në fjalë na rezultonte e lidhur me Sacra Corona Unita, zonja në fjalë ka gjetur shtratin e rehabilitimit, që pa transparencën e të vërtetës së atyre akuzave, është në thelb mbivlerësim i sponorizuar. 

Zonja në fjalë nisi opozitarizmin me disa shaka publike me kryeministrin aktual që e ka menunë e shijeve politike monotone në kulm: përtej të majtës dhe të djathtës, meqë kështu i siguron vetes autolëvdatën e antikonformistit. 

Mund të thuhet kjo për arsye se zonja Bregu nuk përfaqëson ndonjë gjë në mendimin politik. Ajo edhe në politikë nuk përfaqëson gjë tjetër përpos një statistike formale të femrës në politikë, e aftë për të gjetur gjuhën me ndonjë ambasador. Zonja ka qenë mbrojtëse e politikave të Sali Berishës në qeverinë e shkuar dhe me metrin e termit Rilindje, kjo është përmasë e të qenit në orbitën e Rrumpallës. Pse vallë ky lakim kaq i bezdisshëm dhe kjo lëpirje e mediave të caktuara që duan të paketojnë për publikun “një të mirë” që deri më dje e sulmonin në mnëyrë brutale? Me siguri që nuk ka ndonjë arsye përtej interesave të vogla personale të fistekëve të medias apo ndonjë ambasadori dhe të kryeministrit që investon tek alternativat. 

Kaq e patretshme është bërë ky mjegullim i analizave “sentimentale” saqë po flitet “për ditën e fundit të punës të zonjës Bregu”, diçka që do të duhej të kishte një përkufizim tjetër nga ky kumtim i trishtë par Shqipërinë Europiane. Aq më tepër që vetë zonja Bregu ka qenë aq politikane sa të na japë mundësinë të lexojmë piruetat e saj brenda PD-së. 
Duke dashur të përgënjeshtrojë se ajo ka qenë një emër për ministre në qeverinë Rama II, zonja, në intervistën e fundit tha edhe këtë: 
“…E di se në histori dhe në politikë asgjë nuk mbaron pa një alternativë…”.  
Ky pohim vlen edhe për veprimin politik, ku pak gjëra mund t’i lejohen rastësisë. Qëndrimet katërvjeçare të zonjës Bregu nuk shquhen për sensin e të vërtetës, që edhe i tillë, u mbyt nga sensi I protagonizmit që të jep thënia e diçkaje ndryshe në një parti shqiptare. Këtë e pamë edhe me Ben Blushin e me të tjerë. Qëndrimet kontestuese nuk bëhen në tym. Ato e kanë alternativën e vet dhe sado i zgjuar të jetë z. Rama me zonjën Bregu, Shqipëria është shumë e vogël sa për të mos marrë vesh paracaktimin e karrierave. Sikundër është shumë e lexueshme arsyeja e këtij stacionimi mediatik te emri i zonjës në fjalë, që po përjeton përkëdhelinë e pushtetit pa patur asnjë përgjegjësi dhe mbi të gjitha duke folur “kundër” nën garanci të plota politike. 

Këto lojra të shëmtuara dhe monotone në skematizmin e tyre nuk janë  ndonjë risi. “Risia” këtu është melankolia e shtirur e një pjese të medias që është mësuar të pështyjë, të lëpijë atë që pështyn, të pështyjë sërish, e në fund nëse i duhet. Ka nisur kjo praktikë e shtirjes dhe deformimit qysh me hyrjen e z. Rama në politikë i cili ka promovuar karriera të askushëve të dobishëm që bëhen “dikushë të rëndësishëm” brenda natës vetëm e vetëm pse statura e tyre minore është kaq konveniente për të maturuar mitin e rremë të politikës së mençur të ndryshimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.