Kujt i duhet shoku Gramoz?

Postuar në 08 Shtator, 2017 14:45

Partia Socialiste po bëhet gati të ushtrojë mandatin e dytë parlamentar me një trupë të zgjedhur sipas kalemit të kryetarit dhe llogarive natyrisht që kombinojnë eksperiencën e më të dalluarve në menaxhimin e fondeve publike dhe rishtarëve që do flasin me zërin e kryetarit, në mos me stilin e tij. 

Për të vërtetuar se historia e timonit nuk ishte një truk elektoral por një devijim ideor në funksion të një qeverisje shembullore, edhe vitrina e parlamentit detyrimisht duhet të reflektojë stofin e ri të "Shqipërisë që Duam". Kusha tha që stof i ri nuk bëhet me dok të vjetër!
Dhe që teatri dhe parodia të mos kenë të njëjtën fytyrë, duhen garanci që vijnë nga shkolla e vjetër e disiplinës dhe etikës partiake. E kush mund ta bëjë më mirë disipliimin e flotës PS+ sesa shoku Gramoz, siç i drejtohet Edi Rama, aparatçiut me përvojë të ish-Partisë së Punës.  

Rama e ndjeu për nevojë t'ua përsërisë deputetëve se shoku Gramoz është i duhuri për çështje besimi të përvojës në dirigjimin e punëve me karakter disiplinor. “Në atë sallë do të nisë një kapitull i ri me zgjedhjen e Gramozit në krye të kuvendit dhe dua ta nënvizoj qartë për të gjithë se Gramozi nuk është njeriu i duhur për të investuar besimin tonë, por është shoku ynë se është njeriu i duhur për të investuar besimin tonë. U them konkurrentëve tanë demokratë se nëse nuk e votojnë Gramozin nesër gabojnë një herë, sepse refuzojne deputetin më të jetëgjatë, por duke e shenjestruar me topat e politikës së baltës gabojnë 100 herë se refuzojnë të kuptojnë se vendit as i duhet, e se shqiptarët e shpërfillin lojën me topa balte mes politikanëve”- u tha Rama deputetëve. 

Dhe për të afirmuar atë që do pasojë me shokun Gramoz porositë ishin të qarta.“Asnjë të mos mungojë në seancë nesër. Duhet korrektesë maksimale dhe neser nuk do te lejohet dalja nga rendi i dites i punimeve te percaktuara te seances se Kuvendit”
Kjo është frika e kryeministrit që parlamenti të mos kthehet sërish në estradë ku ai të jetë një nga personazhet. Por mesa duket shfaqjet nuk do të mungojnë pavarësisht garancive që Rama mendon se jep shoku Gramoz përtej pritshmërive për kontributin që ai pritet të japë në dipllomacinë parlamentare dhe integrimin e Shqipërisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.