Një Akademi për publikun apo për hir të vetvetes?

Postuar në 07 Shtator, 2017 16:17
Selami Xhepa*

Debati publik mbi Akademinë e Shkencave që mori shkas nga zgjedhjet në institucionin që simbolizon (fiktivisht) majën e piramidës së kërkimit shkencor, rizgjohet sërish pas disa muajsh diskutimi për reformën e kërkimit shkencor.

Fatkeqësisht debatet nisin me furi, prodhojnë shumë kritika dhe pak alternativa, dhe sapo zbehet intensiteti i debatit, çështja harrohet dhe asgjë nuk ndryshon. Edhe para disa muajsh bëra një shkrim që po e riprodhoj edhe në këtë artikull, pasi mendoj se bazuar edhe në eksperiencën e vendeve më të zhvilluara, mund të gjenden disa ide racionale që e ndihmojnë realisht reformën e kërkimit shkencor në tërësi, përfshirë edhe të ardhmen e Akademisë si një institucion. Shumë vende perëndimore vazhdojnë të kenë Akademi, por natyra dhe mënyra e funksionimit të tyre është rrënjësisht e ndryshme nga eksperienca e vendeve lindore, ku Shqipëria bën pjesë akoma dhe sot.

Reforma e kërkimit shkencor e iniciuar në vitin 2008 nuk arriti t’i jepte një zgjidhje finale kësaj çështjeje, prandaj dhe mendoj se duhet të rimerret (jo me ultimatume dhe zgjidhje bllokuese) për ta adresuar këtë problem. Më 3 mars 1863, Presidenti Linkoln do të nënshkruante Aktin e themelimit të Akademisë Amerikane të Shkencave.

Skema e organizimit akademik në SHBA do të plotësohej kohë pas kohe, duke krijuar një seri nënorganizatash të dedikuara ndaj kërkimit shkencor dhe promovimit të inovacionit në industri dhe shoqëri. Por një parim ka mbetur i pandryshuar që prej krijimit të tyre pothuaj dy shekuj më parë: të gjitha këto ente kërkimore janë krijuar në formë organizatash jofitimprurëse dhe nuk financohen nga fondet publike si të tilla; financimi ofrohet vetëm mbi bazë projektesh kërkimore.

Të gjithë anëtarët e Akademisë shërbejnë si vullnetarë, pa shpërblim, dhe ofrojnë dijen e tyre në shërbim të kombit, sa herë këshillat dhe dijet e tyre nevojiten. Të gjithë entet kërkimore e shkencore, të cilat anëtarësohen në akademi, kanë të drejtë të përfaqësohen në drejtimin e Akademisë dhe kështu krijohet një këshill drejtues që ofron thjesht një platformë të komunikimit të dijes dhe shkencës, lehtëson pjesëmarrjen e shkencëtarëve në projekte dhe diskuton axhendat kombëtare të kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Vetë Akademitë nuk kryejnë kërkime shkencore, por thjesht hartojnë raporte kërkimore dhe e vënë atë në dispozicion të publikut dhe aktorëve të interesuar. Shkenca dhe kërkimi shkencor kryhet në njësi kërkimore që funksionojnë pranë universiteteve apo në qendra të dedikuara kërkimore. Ndërsa financimi i kërkimit shkencor kryhet nga agjencitë qeveritare, sipas prioriteteve që ata kanë, nga sektori privat dhe korporatat apo fonde nga organizata donatore.

Ndoshta më e vjetra në historinë e organizimit akademik njihet Royal Society e Anglisë, themeluar që nga viti 1660 nga mbreti Charles II. Sërish logjika është e njëjtë: Akademitë thjesht lehtësojnë kërkimin shkencor që kryhet nga universitetet, diskutojnë axhendat kërkimore me interes kombëtar, inkurajojnë kërkuesit e rinj, mobilizojnë dhe ofrojnë grante kërkimore për grupe kërkuesish ose organizata kërkimore, promovojnë shkencën dhe japin çmime për arritjet në shkencë etj.

Kjo filozofi është ruajtur edhe në kohët më moderne dhe në vende relativisht të reja. Vizitoni site-n e akademisë së Zvicrës – e pasur në burime financiare dhe mundë- si të pamata të financimit të kërkimit dhe inovacionit.

Sërish, akademia ka rol koordinues për kërkimin, sigurimin e ndërdisiplinaritetit në kërkimin shkencor në saj të anëtarësimit në to të qendrave kërkimore të dedikuara apo universitare, por vetë akademitë nuk kryejnë veprimtari të mirë- filltë shkencore.

Edhe as nuk njihen tituj “akademikë’, por thjesht anëtarë të akademive të shkencave, të cilët kryesisht zgjidhen sipas një modeli përfaqësimi me personalitete të organizatave anëtare të akademive. Anëtarësimi në akademi është një punë vullnetare, pasi secili “akademik” e kryen veprimtarinë e tij kërkimore e shkencore në organizatën kërkimore ku ai është i punësuar. Ndërkohë që modeli me akademi si një- si të mirëfillta kërkimore është një model tipik i ish-vendeve komuniste, të cilat akoma nuk kanë arritur të reformohen sipas principeve të komercializimit të dijes dhe krijimit të dijes për interesa publike dhe fusha me interes prioritar publik sipas principeve të konkurrencës në kërkimin shkencor.

Sot në Shqipëri ka disa ente publike që i dedikohen kërkimit shkencor, siç është Agjencia e Kërkimit Shkencor (me një emër të gjatë), Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, madje kishim dhe një ministri për inovacionin, por financimi publik për kërkimin shkencor është inekzistent. Edhe pse planifikohet një shumë rreth 1 milion dollarë në vit për kërkimin shkencor, në fakt ai asnjëherë nuk është realizuar, ndërkohë që angazhimi që ka Shqipëria është që fondi i kërkimit shkencor të jetë në 0.5% të PBB-së. Nga ana tjetër, fakti që sektori privat nuk e ndien të nevojshme të financojë kërkimin shkencor apo inovacionin, tregon se sa pak të dobishëm e konsiderojnë ata këtë funksion për rritjen e produktivitetit të sipërmarrjes së tyre.

Nga ana tjetër, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit të botës sa u takon treguesve të konkurueshmërisë bazuar në indikatorët e inovacionit dhe shkallës së sofistikimit të biznesit. Dhe ky është një rreth vicioz që duhet shpërthyer. Raportet e progresit të BEsë nënvizojnë në mënyrë të vazhdueshme mungesën e progresit në kërkimin shkencor. Numri i aplikimeve që paraqet Shqipëria në projektet e kërkimit shkencor të BE-së (FP7 dhe tani Horizont 2020) është ndër më të ul- ëtit në rajon (20 aplikime, kur edhe Mali i Zi ka 21 aplikime); vendi ka një renditje të ulët në platformën e treguesve shkencorë: Shqipëria në vendin e 121, Bosnja 98, Maqedonia 94, Serbia 54 (sipas SCImago Journal & Country Rank, 2013). Këta janë tregues që demonstrojnë gjendjen dramatike ku ndodhet kërkimi shkencor në vend dhe këto duhet të jenë edhe çështjet e debatit publik.

Prandaj është rasti që reformimi i kërkimit shkencor të vendosë objektiva të qarta dhe prioritete mbi të cilat ajo duhet të bazohet dhe prej të cilave burojnë edhe modelet institucionale që duhen zgjedhur dhe zhvilluar. Modele me “21 akademikë” që zgjidhen sipas preferencave të “udhëheqësve”, nuk adresojnë aspak shqetësimin e madh të vendit për mungesën e lidhjes së kërkimit shkencor me ekonominë dhe shoqërinë.

Nuk ka asnjë dyshim se shoqëria duhet të mbështesë disa aspekte të kërkimit shkencor që kanë interes kombëtar, veçanërisht në fushën e kulturës, arkeologjisë, etnografisë (shkencat albanologjike) etj., të cilat nuk mund të financohen tërësisht me financime private dhe ku ndoshta ruajtja e interesit shkencor duhet të inkurajohet dhe mbështetet me fonde publike. Por filozofia duhet të jetë e ndryshme: grantet kërkimore duhet të jenë të orientuar drejt projekteve me interes kombëtar dhe institute, grupe shkencëtarësh apo kërkues individualë të kenë mundësi të konkurrojnë për të nga ku mund të identifikohen projektet më të mira dhe më solide nga pikëpamja shkencore, në metodë dhe metodologji, në thellësi argumenti, në qasjen shkencore etj.

Nëse Shqipërisë i duhet një Akademi e Shkencave dhe Arteve, ndoshta për traditë, ajo duhet të jetë një Akademi që të veprojë si një shoqatë e hapur me anëtarësim të të gjithë komunitetit shkencor të vendit, ku të përfaqësohen të gjithë universitetet dhe qendrat kërkimore dhe ku i gjithë profesorati të ketë mundësi të votojë përfaqësuesit e vet më të shquar për të qenë anëtar të Akademisë (por jo “akademik”), të cilët pastaj zgjedhin forume përfaqësuese dhe drejtuese. Le të ketë edhe anëtar nderi, nobelist apo shkencëtar të shquar, vendas apo të huaj, që i bëjnë nder kombit me arritjet e tyre prej të cilave ka përfituar kombi dhe njerëzimi. Por të qenët “akademik” nuk mund të krijojë përfitime financiare të shtuara. Çdo “akademik” duhet të vazhdojë të jetë i tillë në institucionin ku punon dhe në “akademi” punojnë me kohë të plotë vetëm administratorë dhe nëpunës zyrash që kryejnë detyrat që kërkon statuti.

Madje, plani i biznesit duhet të kërkojë që ky organizim të jetë i vetëfinancueshëm, me kuota apo donacione, në mënyrë që të ruhet një disiplinë financiare mbi këto ente, ndërkohë që grantet kërkimore dhe për projekte inovacionesh duhet të jenë në formën e garës së hapur për të gjithë entet anëtare, ose edhe për ente të tjerë që nuk janë anëtar. Akademitë janë “shoqata të të diturve” e si të tilla duhet të jenë të hapura dhe jo oaze qetësie dhe pensionimi, të jenë qendra që projektojnë prioritetet e kërkimit shkencor të shoqërisë dhe të promovojnë zhvillimin e dijes jo si një “monopol” të tyren, por si një burim që zhvillohet në çdo qelizë kërkimore dhe shkencore të vendit.

*President i Institutit Europian Pashko

Panorama(http://www.panorama.com.al/nje-akademi-per-publikun-apo-per-hir-te-vetve...)

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me nje fjale, Akademia Shqiptare e Shkencave (AShSh) duhet te vazhdoje punen panvarsisht debateve te gjithfare (h)in-te-le(sh)-ktualve, te vazhdoje te botoje dy revistat e saj ne gjuhet angleze dhe franceze dhe, mundesisht, te zvogloje buxhetin e saj. Kaq, troc, shkoqur dhe thate!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.