Banalizmi i qeverisjes - nuk duhet një i "fortë" kundër të fortëve

Postuar në 07 Shtator, 2017 15:26

Sa ditë duhen për programin e ri qeverisës të qeverisë së Edi Ramës? Nëse nisemi nga fakti se prioritetet e shpallura janë asgjë më shumë sesa disiplinim i administratës, ndërhyrjet e pritshme nuk lidhen edhe aq me tregun apo me ekonominë direkte. 
Dje kryeministri premtoi procedura të reja për certifikatat duke u kujtuar shqiptarëve sesa djersë harxhohet për marrjen e një dokumenti të tillë. Sipas tij do të jetë vetë administrata që do të nxjerrë certifikatën për qytetarët në momentin që ajo kërkohet për procedura të caktuara. 100 ditë tha z. Rama dhe ky premtim do të jetë i realizuar. Në fakt, qysh tani, Platforma Qeveritare e Ndërveprimit, që qëndron pas shërbimeve të dixhitalizuara publike garanton akses të plotë të qytetarëve dhe njësive të administratës publike mbi fondin e dixhitalizuar dokumentar sa herë që është e nevojshme. Çdo qytetar mund ta dijë dhe ta ketë vënë re sa herë që shkon në gjendjen civile se punonjësit e saj kanë në kompjuterat e punës akses të plotë mbi regjistrin e gjendjes civile pavarësisht se kanë të të drejtë të lëshojnë certifikata vetëm për njësinë e tyre.

E njëjta gjë vlen edhe për noterët. Aplikimi për dëshmi trashëgimie pranë një noteri kushtëzohet me një hetim administrativ që noteri bën për rrethin e trashigmëtarëve përmes aksesit që i është dhënë në regjistrin e gjendjes civile dhe në regjistrin e testamenteve çka do të thotë se rrjeti i dokumentacionit është funksional. Çfarë duhen 100 ditë për të formalizuar një situatë që është realitet prej kohësh? 

Nga ana tjetër vështirë se zgjidhja e kësaj yçkle burokratike të mund të jetë temë për t’u trajtuar nga një kryeministër, ndonëse jep zgjidhje për shumëkënd. Është e dukshme se z. Rama po kërkon tema për t’i artikuluar si objektiva, ndërkohë që zgjidhjet e ofruara prej tij në formën aktuale nuk i përgjigjen kërkesave që ka sot shoqëria. Një shoqëri kërkon garanci nga ligjet dhe zbatimi i tyre dhe jo nga vullneti i mirë i një njeriu. Kur z. Rama kërcënon se ata që kanë makina luksi, apo ndërtesa shumëkatëshe pa bërë asnjë ditë punë, do të kalben në burg, në kuadrin e sistemit ku jetojmë, ai në fakt ka shkelur syrin e hilesë që fshihet pas kësaj deklarate. Sepse cilidoqoftë vullneti apo pushteti i kryeministrit, çdokush që ka në disponim pasuri që nuk justifikohen, ka në fakt një problem me drejtësinë. Jo me qeverinë. E cila në rastin konkret ka një problem të madh moral. E mbajmë mend të gjithë kur z. Rama mbrohej për deputetët e vet me probleme ligjore se “ne kontrolluam dëshminë e penalitetit”. Ata që kanë një makinë luksoze patjetër që kanë qenë subjekt e ligjeve shqiptare kur e kanë deklaruar makinën. Të kërkosh të fusësh hundët përmes politikës në probleme që janë strikt probleme të rendit, është në thelb banalizim i politikës dhe i qeverisjes në kushtet e mungesës së objektivave. Urojmë të mos jetë kështu, por me siguri që të fortët kundër të cilëve z. Rama sot po bën të fortin, në fakt nuk do të ishin nëse do të kishin nuhatur era shtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.