Fundi i modelit "kanabis pa dallim feje, krahine dhe ideje"

Postuar në 30 Gusht, 2017 14:42

Si mund të merresh me hashash në Shqipëri? Ka disa mënyra. Më parë ka qenë e vështirë; duhej një lidhje jashtë, pastaj këtu duhet të punoje në grup dhe të korruptoje ndonjë oficer policie, shqiptar apo të huaj, sipas doganës dhe të përpiqeshe të kaloje mallin. Lazarati u kthye në pikën kryesore të kultivimit dhe shpërndarjes dhe siç thonë shumë zëra edhe të informacionit për policinë. Deklarata e ish-kryeministrit Berisha se në Lazarat nuk u ndërhy si pasojë e një vendimi të tij, na thotë se në një vend si Shqipëria, aktivitetet ilegale fitimprurëse nuk mund të bëhen pa asistencën dhe mbikëqyrjen e segmeneteve të politikës. 

Po si ndryshoi ky aktivitet me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste? E thjeshtë. Kushdo, pa dallim feje, krahine dhe ideje, mund të kontaktonte me një drejtues policie në qytetin e tij, përmes një ndërmjetësi dhe të pranonte që 30% të vlerës së shitjes t’ja dorëzonte zyrtarit dhe mandej çdo gjë ishte e mbuluar. As policia nuk të shqetësonte dhe madje edhe të mbronte. Kanabizimi i Shqipërisë është vepër e Edi Ramës dhe qeverisjes së tij, pavarësisht si do të kualifikojmë shkaqet apo arsyet: për paaftësi, për politik, për mosveprime, apo për organizim. Kjo është hollësi që nuk ka vlerë. Kanabisi preku zemrën ekonomike dhe politike të vendit nën qeverisjen e këtij njeriu i cili u rikonfirmua në detyrë me më shumë vota se në vitin 2013. 
Dhe meqenëse qeverisja me shqiptarët është perceptim, sot kryeministri ka dalë për t’u dhënë lajmin e mirë shqiptarëve: 
“Të gjitha strukturat e përfshira, drejtuesit e Policisë së Shtetit meritojnë një falënderim të veçantë.  Kjo është një luftë që vazhdon edhe sot. Në këtë fazë, kanabisi ka hyrë në një kapitull vendimtar. Është e vërtetë që kam pasur kënaqësinë që ta konstatojë me komunikimet e drejtpërdrejta me ndërkombëtarët që ky vit shënon numrin më të ultë të kultivimit të kanabisit që prej vitit ’91. Rezultatet që u publikuan sot janë një pasqyrë inkurajuese. Por kjo përqasje kërkon një shtrirje horizontale dhe vertikale shumë më agresive, për të luftuar kundër kultivimit dhe trafikimit dhe për të arritur jo thjeshtë disa shifra që mund të jenë domethënëse, por tek asetet kriminale. Duhet t’iu nënshtrohen një procesi verifikimi ligjor të gjithë ata që kanë para në llogaritë bankare të pajustifikuara
”,  tha Rama në mbledhje me Task Force.

Këto raportime të dekanabizimit mbijnë nga mbledhje të këtilla ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, kreu i Guardia di Finanza, deklaronte shtim të trafikit nga Shqipëria, një vend që e gjen veten në radhët e para vetëm për trafiqet e drogës. 

Nuk dihet sesi u zhduk për pak javë kjo ekonomi miliardëshe, sesi krimi i organizuar hoqi dorë kaq shpejt nga fitimet e mëdha, sesi miliardat nuk kanë më forcë korruptuese dhe sesi policia e shtetit, e cila sipas ish-ministrit të Brendshëm, të diskredituarit Sajmir Tahiri, nuk ka kapacitete për të luftuar kanabisin, ja doli të zhbëjë farën që bleroi Shqipërinë. Ka shumë njerëz që votojnë dhe jetojnë politikisht me teatrin bajat të Edi Ramës, pas fjalëve të të cilit qëndrojnë vetëm ca fjalë të tjera, e më tutje ca të tjera…Por është e vështirë që të jetosh dhe punosh duke besuar te ky teatër që njëherë si skenar përdor gjithfarë raporte miqsh europianë, apo ish-kryeministra të superpaguar, e njëherë tjetër krijon skenarët e vet performativë për të na thënë se edhe pak metra na ndajnë nga përmasat skënderbejane të kësaj qeverie. Sa më shumë të fryhet tullumbacja aq më e madhe do të jetë edhe zhurma e çarjes, zhurmë e cila me siguri do të jetë e vetmja çikatrice apo vragë historike e një ekipi që po korrupton çdo qelizë të shoqërisë me modën e mashtrimit qytetar që aplikon përditë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.