Priten shkurtime masive në administratë, pasojë e organizimit me 4 rajone

Postuar në 27 Gusht, 2017 18:49

Në mbledhjen e Asamblesë Socialiste u bë publike edhe struktura e qeverisjes në kuptimin administrativ. Një reformë që parashikon shkrirjen e një numri të madh institucionesh të varesisë dhe agjencish shtetërore. 

Me pak fjalë do të ketë një model të ri organizativ të shërbimeve shtetërore. Pa dhënë shumë detaje ministri i ri i Bujqësisë, Niko Peleshi sqaroi se  në bazë të organizimit rajonal, territori i Shqipërisë është ndarë në 4 rajone të mëdha, sipas pikëpamjes zhvillimore.

"Nga 141 agjenci kemi ruajtur 104 agjenci dhe kemi shkrirë agjenci me më pak se 10 persona në staf, apo kemi shkrirë institucione që kanë funksione të njëjta”- deklaroi Peleshi. Ndarja e re parashikon 4 agjenci rajonale për shëndetësinë, 4 për arsimin, 4 për mjedisin, 4 për shërbimin social, 4 për degët e thesarit nga 36 që janë aktualisht. 

Ndryshime të tjera të rëndësishme janë Integrimi i ALUIZN-it te Agjencia e Titujve të Pronësisë,  krijimi i Agjencisë Kombëtare e të Ardhurave  te Ministria e Financave, ku përfshihen shkrirja e doganave dhe tatimeve.

Po ashtu është parashikuar një reformë në sistemi e Prokurimeve dhe ngritja e Agjencisë së Mbrojtjes Civile për Emergjencat. I gjithë ky ristrukturim organizativ ku 37 agjenci shtetërore do të shkrihen pritet të shoqerohet me shkurtime masive në administratë. Peleshi nuk dha detaje të efekteve që do të ketë kjo reformë në burimet  njerëzore, por fshesa në administratë është vetëm çështje kohe. Për më tepër që në qeverinë e re është shkrirë Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.