Mosveprimi kriminal i AKU-së dhe heshtja kriminale e PD-së

Postuar në 24 Gusht, 2017 11:51

Nuk e kanë thënë kot, çudia më e madhe në Shqipëri 3 ditë zgjat. I thënë në një kontekst që satirizon Shqipërinë e një shekulli më parë, fatkeqësisht mbetet i vlefshëm edhe për shtetin dhe demokracinë që kemi ndërtuar 100 vjet më vonë. 
Madje sot mund të thuhet se në Shqipëri nuk çudit më asgjë. Sepse, grabitja është kthyer në normë politike, ku shteti grabit shtetin dhe ku fjala publike përdoret për të mpiksur të ashtuquajturat shoqëri civile, opozita politike apo institucione publike.

Tipizime të tilla diakronike kanë vlerë për të kuptuar se jemi ende në një raport hipokrizie me të vërtetën dhe aftësinë për të merituar një shtet serioz dhe të drejtë. Edhe opozitën e kemi shtetërore, jo publike. është aty për interesa private, duke pritur rradhen të sistemohet në pushtet dhe të mirat që vijnë pas tij.

Ndryshe nuk ka si të shpjegohet memecëria e Partisë që sot mban flamurin e opozitës për skandalin që u raportua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhur me shkeljet kriminale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucion që sipas KLSH nuk garanton sigurinë ushqimore të shqiptarëve. 

Nëse ka çështje më të rëndësishme për publikun është siguria ushqimore, për të cilën paguajmë një agjenci shtetërore të kontrollojë dhe inspektojë çfarë na shitet për të ngrënë, pra të mos lejojë që të hamë sapunin për djathtë. 
Gjetjet e raportit të auditimit të KLSH-së ishin alarmante, mungesë inspektimesh, kontrolle minimale, burime njerëzore të pakualifikuara, laboratore të paçertifikuara, drejtues të politizuar dhe një han pa porta për produktet e importit.

Më e pakta që dëgjojmë janë helmimet në dasma por askush nuk i di se cilat janë pasojat në shëndet dhe sëmundshmërinë e shkaktuar nga kequshqyerja apo prodhimet me helme, pesticide etj. Tani na e kanë marrë dorën edhe të huajt, të paktën mesa thuhet prodhimet e destinuara për Shqipërinë nuk kanë të njëjtën cilësi me atë të vendeve të tjera.

Të paktën Kontrolli i Lartë i Shtetit na dha mundësinë të dijmë se si ka vepruar autoriteti që është i ngarkuar me ligj të garantojë sigurinë ushqimore. Nuk teprohet të thuhet se AKU ka kryer atë që rrallë ta bën edhe armiku, genocid ndaj popullit të vet, duke lënë pa kontrolluar ushqimet që u japim fëmijëve tanë. Gjithë ky skandal nuk shkakton asnjë indinjatë, të paktën tek opozita që ka instrumentat politikë për ta denoncuar këtë krim dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore zyrtarët dhe qeverinë.

E mirëkuptojmë kryetarin e PD-së që është akoma me lejen e verës, po a ka departamente kjo parti, a ka struktura që mbrojnë interesin publik. Se mirë kryeministri që e ka zgjidhur çështjen e shëndetit publik me administratën dhe Partinë e tij duke i vënë t'u nënshtrohen testeve fizike, po opozita dhe kryetari i saj ku hanë dhe ku pijnë.

Çështja e sigurisë ushqimore është jetike edhe për Bashkimin Evropian që shpenzon miliona euro për të zbuluar abuzimet me produktet ushqimore, por edhe në këtë pikë ne kemi standardin tonë që përputhet plotësisht me qeverinë dhe opozitën që na drejtojnë. 

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.